Ballina Aktualitet Paralajmëroi takim me Hamzën sot, Kurti: Duhet të merremi vesh për Presidentin,...

Paralajmëroi takim me Hamzën sot, Kurti: Duhet të merremi vesh për Presidentin, pastaj për një strategji për Hagën

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Kryeministri Albin Kurti tha se duhet një President dhe “stabilitet institucional” për ndërtimin e një “strategjie serioze” për t’iu kundërvënë dënimit të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa paralajmëroi një tjetër takim sot me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza.

Kurti tha se duhet “organizim dhe strategji”, ndërsa shtoi se “nuk ndihmojnë veprimet e gjestet pa strategji e para strategjisë”.

Para se të votohej në parim ndryshimi i ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, kryeministri tha se se s’duhet të ketë “shfryerje mllefi pa suksesin e duhur”.

“Prandaj, ne po e mbështesim këtë ligj, pikërisht që menjëherë edhe pas zgjedhjes së Presidentit të ulemi bashkë për strategji shtetërore e kombëtare për të na nxjerrë fitimtarë”, tha ai.

Kurti tha se “për të pasur një strategji të qëndrushme për situatën e padrejtë në Hagë, duhet ta kemi edhe një shtet fort të qëndrushëm e tërësisht funksional në Kosovë”.

“Duhet ligj për gjykatën në Hagë, por duhet edhe President për Kosovën. Njëra pa tjetrën mund të jetë shumë e dëmshme”, tha ai.

Duke paralajmëruar një takim të ri me Hamzën sot, të cilin e falënderoi për konstruktivitet, Kurti tha se “duhet të merremi vesh”.

“Do të takohemi përsëri sot, sepse duhet të takohemi, duhet të merremi vesh, duhet të ecim përpara të gjithë bashkë”, tha ai.

Kurti dhe Hamza janë takuar edhe në fundjavë.

Sipas burimeve të Gazetës Express, Kurti ka kërkuar që fillimisht Projektligji për Specialen të miratohet vetëm në lexim të parë, më pas Kuvendi të kalojë në seancën për zgjedhjen e Presidentit dhe vetëm pas kësaj të procedohet leximi i dytë i projektligjit.

Koha për një kompromis është e kufizuar, pasi e marta është dita e fundit e afatit për zgjedhjen e Presidentit dhe dështimi për ta përmbyllur procesin do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja, që do të ishin të katërtat në dy vjet.