Në Rusi, ish-kancelari gjerman Gerhard «Schrjoder» u konsiderua për një kohë të gjatë si shpresa e fundit që vinte nga Gjermania. Kjo lidhet edhe me historinë familjare të tij dhe të Vladimir Putinit. Ja çfarë kujtojnë sot me nostalgji gazetarët rusë të brezit të vjetër.
Nga Gerd Meißner
Shprehja popullore ruse se shpresa vdes e fundit vlen, në mediat e Moskës, edhe për ish-kancelarin gjerman Gerhard Schröder. Që nga fillimi i «operacionit special ushtarak» në shkurt të vitit 2022, gazetat dhe radiostacionet në kryeqytetin rus e kanë përmendur vazhdimisht, ndonëse me kujdes, «Schrjoderin» si një figurë te e cila mund të mbështeteshin shpresat për ndërmjetësimin e paqes në Ukrainë.
Gazeta e përditshme Kommersant, gazetarët e së cilës e shohin luftën pa kurrfarë entuziazmi, e vlerësoi atë në korrik të vitit 2022 si një njeri që kishte qasje te udhëheqja politike e Rusisë dhe që, për këtë arsye, mund të ushtronte ndikim për t’i dhënë fund luftës.
Si u interpretuan në Rusi deklaratat e Matthias Mierschit
Spekulimet në Rusi se Schröder mund të luante sërish një rol politik morën hov të ri kur sekretari i përgjithshëm i atëhershëm i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), Matthias Miersch, bëri thirrje në tetor të vitit 2024 që të vlerësoheshin meritat e Schröderit. Gjesti pajtues dhe dashamirës i Mierschit u interpretua me shpresë në Rusi, ku analiza politike ndonjëherë kalon pa u vënë re në parashikime astrologjike, si një shenjë e një pranvere të dytë politike për ish-kancelarin.
Entuziazmi për Schröderin në Moskë u ushqye edhe më shumë kur presidenti rus Vladimir Putin, në maj të vitit 2026, e propozoi ish-kancelarin si ndërmjetës të mundshëm mes Ukrainës dhe Rusisë. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, i hodhi edhe më shumë benzinë zjarrit të euforisë për Schröderin, kur në një deklaratë për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve TASS u shpreh në mënyrë disi profetike se kandidatura e Schröderit si ndërmjetës do të ishte një provë e gatishmërisë së Evropës për dialog me Rusinë.
Gerhard Schröder bëhet anëtar i ri i këshillit mbikëqyrës të kompanisë Hyperglobus
Tregtia e Moskës me premtime boshe mori një hov të ri në qershor, kur TASS raportoi se presidenti Putin e shihte Schröderin si përfaqësues të «interesave kombëtare të Gjermanisë». Vetëm gazeta liberale ekonomike RBK, në fillim të qershorit, ua bëri të ditur lexuesve të saj, me njëfarë kujdesi, se shumë politikanë evropianë ishin, për ta thënë butë, skeptikë ndaj një misioni ndërmjetësues të Schröderit.
Ndërsa vera po mbaronte dhe, bashkë me gjethet e vjeshtës, po binin edhe shpresat për misionin e Schröderit si sjellës i paqes, ky supërnjeri i supozuar i politikës u shfaq në një supermarket të kryeqytetit rus, rastësisht pikërisht në ditëlindjen e Putinit. Gazeta ekonomike RBK raportoi se Schröder ishte emëruar anëtar i këshillit mbikëqyrës të kompanisë «Hyperglobus», degës ruse të kompanisë «Globus», e cila administron 22 supermarkete në tetë rajone të Rusisë.
Kur Putini, pranë Schröderit dhe Chiracut, u përgjigjej në gjermanisht pyetjeve të gazetarëve gjermanë
RBK citoi Schröderin, i cili u shpreh në mbështetje të lidhjeve ekonomike me Rusinë dhe investimeve në këtë vend: «Pikërisht në kohë krizash, këto lidhje janë veçanërisht të rëndësishme: ato na mundësojnë ta dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të gjejmë një rrugë drejt së ardhmes».
Edhe pse engjëlli i paqes, Schröder, në këtë mënyrë u zvogëlua në përmasat e një engjëlli të zakonshëm të supermarketeve në prag të Krishtlindjes, kjo nuk e zbeh aspak dashamirësinë ruse për «Schrjoderin». Sepse numri i gjermanëve që ende u pëshpëritin rusëve disa fjalë miqësore tashmë është aq i vogël, sa mund të zërë vend në një autobus turistik të Intouristit.
Gazetarët moskovitë të brezave më të vjetër, gjatë bisedave joformale nëpër kuzhina, ndonjëherë flasin me entuziazëm e nostalgji për takimet mes kancelarit të atëhershëm Schröder dhe presidentit rus. Ata kujtojnë, për shembull, takimin në Hotel Europa, në Shën Petersburg, më 11 prill 2003, kur Putini, i ulur pranë Schröderit dhe presidentit francez Jacques Chirac, iu përgjigj në një gjermanishte të mirë pyetjeve të gazetarëve gjermanë. Në këto biseda përmendet nganjëherë edhe një fakt për të cilin ata që në Gjermani bërtasin kundër «kriminelit të luftës» Putin dhe «tradhtarit» Schröder nuk janë madje as të informuar.
Gjermania dhe Rusia nuk duhej të luftonin më kurrë kundër njëra-tjetrës
Gerhard Schröder dhe Vladimir Putin janë të dy bij ushtarësh që luftuan në front. Babai i Schröderit ra në tetor të vitit 1944 në Rumani, gjatë luftimeve kundër Ushtrisë së Kuqe. Babai i Putinit luftoi në radhët e Ushtrisë së Kuqe gjatë mbrojtjes së Leningradit dhe u plagos rëndë.
Fakti që presidenti Putin dhe kancelari Schröder ranë dakord t’u siguronin nipërve të ushtarëve të Wehrmachtit shtëpi të ngrohta përmes gazit rus ishte pjesë e një plani për të nxjerrë mësime nga historia. Gjermania dhe Rusia duhej të ndërthureshin ekonomikisht po aq ngushtë sa Franca dhe Gjermania, në mënyrë që popujt e tyre të mos luftonin më kurrë kundër njëri-tjetrit.
Në atë kohë ishte e paimagjinueshme që, vetëm pak vite më vonë, kancelarët gjermanë do të dërgonin armë në frontin lindor për t’u përdorur kundër ushtrisë ruse. Kështu, Gerhard Schröder mbetet, në sytë e miliona rusëve, gjermani i tyre i parapëlqyer dhe kujtimi i një Gjermanie që nuk ishte e përgatitur për luftë, një Gjermani që sot nuk ekziston më, edhe për shkak të veprimtarisë së ministrave socialdemokratë./derFreitag















