Egzon Bugujevci, 31 vjeç, dhe motra e tij, Nafije Bugujevci, 27 vjeçe, të cilët u vranë të premten, më 9 tetor 2026, në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit, do të varrosen sot, e diel, më 11 tetor, në Pozharan të komunës së Vitisë.
Sipas njoftimit mortor të familjes Bugujevci, të publikuar nga faqja lokale „Pozherani LIVE“, ceremonia e varrimit do të mbahet në orën 15:40, në Xhaminë e Pozheranit.
Vrasja e dyfishtë ka tronditur familjarët, të afërmit dhe opinionin publik në Kosovë. Në të njëjtën ngjarje mbeti i plagosur rëndë edhe një familjar tjetër, 48-vjeçari Mazllum Bugujevci.
Për këtë krim është ndaluar bashkëshorti 38-vjeçar i Nafijes, i dyshuar për vrasjen e saj dhe të vëllait. Sipas informacioneve të publikuara nga Prokuroria Themelore në Gjilan, motivi i ngjarjes ende nuk është sqaruar, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave po vazhdojnë.

Familjari me mesazh prekës: Një nënë që sakrifikoi gjithçka për fëmijët e saj
Pas tragjedisë, një reagim emocional ka ardhur nga Besnik Zeqiri, i cili ka treguar se i njihte personalisht viktimat dhe se nëna e tyre është kushërira e tij.
Në një postim publik në Facebook, ai ka përshkruar sakrificat e nënës për rritjen e fëmijëve dhe dhimbjen e jashtëzakonshme që ajo po përjeton pas humbjes së dy prej tyre.
Zeqiri ka kujtuar se nëna i kishte rritur fëmijët me shumë mund, sakrifica dhe vështirësi, duke shpresuar se një ditë do t’i shihte të lumtur pranë familjeve të tyre.
Por, në vend të gëzimit, ajo sot përballet me dhimbjen e humbjes së vajzës dhe djalit.
Në reagimin e tij, Zeqiri ka dënuar fuqishëm dhunën ndaj grave dhe vrasjet në familje, duke theksuar se asnjë konflikt apo rrethanë nuk mund ta justifikojë marrjen e jetës së një njeriu.
„Një grua nuk është pronë e askujt. Ajo ka të drejtë të jetojë e lirë, e respektuar dhe pa frikë. Asnjë konflikt, asnjë arsye dhe asnjë rrethanë nuk mund ta arsyetojë vrasjen“, ka shkruar ai.
Ai u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe ka bërë thirrje që shoqëria të mos heshtë përballë dhunës ndaj grave.

Njoftimi i plotë mortor i familjes Bugujevci
„NJOFTIM MORTOR:
Me dhimbje të thellë dhe pikëllim të madh, njoftojmë të gjithë familjarët, miqtë dhe dashamirët se janë ndarë nga jeta motër e vëlla:
EGZON BUGUJEVECI
NAFIJE BUGUJEVECI
Varrimi i të ndjerëve do të bëhet nesër, më 11 tetor 2026 (e diel), në ora 15:40, në Xhaminë e Pozheranit.
Në këto momente të rënda pikëllimi, ndajmë dhimbjen me familjen Bugujevci dhe të gjithë të afërmit.
Zoti i shpërbleftë me Xhenet dhe familjes u dhëntë sabër e forcë për ta përballuar këtë humbje të rëndë.
Të pikëlluar: Familja Bugujevci.
U prehshin në paqen dhe mëshirën e Zotit.“















