Pse ka rëndësi: Vetëm tri javë para zgjedhjeve, Trump po ringjall një marrëdhënie dhjetëvjeçare, të shoqëruar me skandale, me një diktator ndaj të cilit shumica e amerikanëve kanë qëndrim negativ, përfshirë edhe mbështetësit e vetë Trumpit.
Zhvillimet kryesore: Që nga biseda me Putinin të premten, Trump ka ndërmarrë një seri të jashtëzakonshme lëshimesh diplomatike dhe veprimesh në mbrojtje të Rusisë gjatë pesë ditëve, duke shkaktuar reagime kundërshtuese nga të dyja partitë, pikërisht në kohën kur votuesit po përgatiten të votojnë.
- Të premten, Trump njoftoi një marrëveshje që do të mundësonte hedhjen në tregjet botërore të miliona tonëve naftë dizel ruse, duke lehtësuar sanksionet e vendosura për t’i kufizuar Moskës të ardhurat që përdoren për financimin e luftës.
- Të shtunën, Trump kritikoi ashpër presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës dhe kërkoi që Ukraina ta zëvendësonte presidentin e saj.
- Të dielën, Trump e zuri në befasi Zelenskyn duke shpallur një «armëpushim energjetik» të menjëhershëm. Rusia ka vazhduar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, pa u përballur me pasoja të dukshme nga Uashingtoni.
- Të hënën, Trump hodhi poshtë raportimet e disa muajve, të mbështetura në informacione të shërbimeve të inteligjencës, sipas të cilave Rusia po ndihmonte operacionet ushtarake të Iranit duke i siguruar informacione mbi kapacitetet dhe mjetet ushtarake amerikane.
- Të martën, Trump rikonfirmoi mbështetjen për marrëveshjen e dizelit dhe shpërfilli shqetësimet se të ardhurat prej saj mund të përdoreshin për financimin e makinerisë ruse të luftës, ndërkohë që senatorë republikanë e cilësuan marrëveshjen si «tradhti» dhe «dhuratë për kundërshtarin tonë».
Çfarë fshihet pas këtyre zhvillimeve: Përfitimet për Rusinë janë të qarta. Shumë më pak e qartë është se çfarë sjellin lëshimet e Trumpit për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, për aleatët evropianë apo për perspektivën e tij politike.
- Për Shtetet e Bashkuara: Analistët e tregut të energjisë dyshojnë se marrëveshja për dizelin rus do të ndikojë ndjeshëm në uljen e çmimeve të karburanteve, të cilat janë rritur në mënyrë të konsiderueshme për shkak të luftës me Iranin.
- Për Evropën: Uashingtoni po shmang qëndrimin e përbashkët të aleatëve të NATO-s, të cilët po përballen me një nivel historik kërcënimesh, ndërsa Rusia po intensifikon fushatën e saj të luftës hibride, përmes akteve të sabotimit, sulmeve kibernetike dhe depërtimeve të dronëve në hapësira ajrore të huaja.
- Për republikanët: Ndërsa kontrolli i Kongresit mbetet i pasigurt, Trump po afrohet me një diktator ndaj të cilit 81% e personave që votuan për të në vitin 2024 kanë mendim negativ, sipas një sondazhi të YouGov të zhvilluar në janar.
Tabloja e përgjithshme: Marrëdhënia e ngrohtë e Trumpit me Putinin e ka shoqëruar si një problem politik që nga viti 2016, kur Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale amerikane për ta ndihmuar atë të mposhtte Hillary Clintonin.
- Nga hetimi i prokurorit të posaçëm Robert Mueller deri te samiti i Helsinkit, qëndrimi i Trumpit ndaj Putinit, i perceptuar si tepër i përulur, ka shkaktuar prej kohësh përçarje mes republikanëve dhe e ka vënë presidentin në kundërshtim me institucionet e veta të sigurisë kombëtare.
- Një dekadë hetimesh, skandalesh dhe reagimesh të ashpra në Uashington nuk ka arritur ta dobësojë ndjeshëm këtë afërsi. Përkundrazi, shqyrtimi i vazhdueshëm kritik duket se vetëm sa ia ka forcuar Trumpit vendosmërinë për t’iu kundërvënë konsensusit të politikës së jashtme amerikane.
Deklaratat: Të hënën, Trump sugjeroi edhe një herë se Rusia ishte më e interesuar për përfundimin e luftës sesa vendi që ajo kishte pushtuar, duke u thënë gazetarëve:
«Mendoj se, në fakt, Putini dëshiron të arrijë një marrëveshje më shumë sesa Zelensky».
«Marrëveshja e presidentit për dizelin do të ndihmojë në uljen e çmimeve për fermerët, drejtuesit e kamionëve dhe familjet në mbarë vendin, ndërsa ai, njëkohësisht, u bën thirrje të dyja palëve në konfliktin Rusi-Ukrainë që të ndalojnë sulmet ndaj rafinerive, të cilat po rrisin kostot dhe po dëmtojnë konsumatorët amerikanë», deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly.
Përfundimi: Humbja e kontrollit të Kongresit mund ta paralizojë agjendën legjislative të Trumpit dhe ta ekspozojë administratën e tij ndaj hetimeve shumëvjeçare dhe thirrjeve zyrtare për paraqitje, dëshmi apo dorëzim dokumentesh.
- Megjithatë, ndërsa po shtohen sinjalet shqetësuese nga sondazhet, presidenti duket gjithnjë e më i prirur të ndjekë instinktet e tij të papërpunuara politike, pavarësisht pasojave për republikanët që po luftojnë për ta ruajtur kontrollin e Kongresit dhe për t’i mundësuar atij vazhdimin e zbatimit të agjendës së tij.
- Në një postim në rrjetin social Truth Social, të martën, Trump e bëri të qartë se e konsideron veten personalisht të paprekur nga rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit, duke shkruar:
«Unë nuk po garoj në këto zgjedhje. Unë tashmë kam fituar, ME NJË FITORE DËRRMUESE».(Axios)















