Ballina Kultura Mirë se vini në një botë ku nuk lexohet më: Pse dëmet...

Mirë se vini në një botë ku nuk lexohet më: Pse dëmet mund të jenë më të mëdha nga sa mendojmë

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Nga Alix L’Hospital

A ka vdekur Little Nell? Jemi në vitin 1841, në Nju Jork. Anije britanike sapo kanë mbërritur në port, ndërsa një turmë e dendur pret me padurim. Mos vallë ndodhet në bord ylli më i fundit i momentit? Jo. E vetmja pyetje që ka rëndësi bërtitet nga moli drejt pasagjerëve: personazhi i krijuar nga Charles Dickens në romanin e tij me vazhdime The Old Curiosity Shop, episodi i fundit i të cilit sapo është botuar në revistën angleze Master Humphrey’s Clock, është apo jo ende gjallë? Legjenda thotë madje se disa njerëz humbën ndjenjat kur morën vesh lajmin. Një lexues që do të kishte rënë në katatoni atë ditë dhe do të ishte zgjuar së fundmi, do të mbetej i habitur po të zbulonte se, në vitin 2026, një libër voluminoz nuk është më një kënaqësi popullore, por diçka që i tremb njerëzit.

Nuk duhet t’i besojmë vitrinës së mbushur të L’Amie prodigieuse, një librari e vendosur në distriktin e pestë, tejet intelektual, të Parisit. Këtu, librat më të shitur nuk janë L’inconnue du quai de Javel i Philippe Jaenada-s, me 528 faqe, ende në garë për çmimin e shenjtëruar Goncourt, apo Ligne de feu i spanjollit Arturo Pérez-Reverte, me 656 faqe, kandidat për çmimin Médicis étranger. Janë antologji të vogla me rreth njëqind faqe, të vendosura mbi banak; ndonjëherë Princi i Vogël, i cili këtë vit mbush tetëdhjetë vjet, ose librat polemikë të momentit, si C’était ça ou mourir (Grasset), autori i të cilit, Thélyson Orélien, akuzohet se ka përdorur inteligjencën artificiale dhe plagjiaturën. “Librat e mëdhenj i trembin njerëzit, duhet t’i shtysh që t’i marrin”, thotë Mustapha Ben Abdeladhim, kujdestari i librarisë. “Njerëzit nuk kanë më kohë për këtë.”

I riu që sapo ka hyrë në L’Amie prodigieuse, me hapin e vendosur të dikujt që e di çfarë ka ardhur të kërkojë — De l’inconvénient d’être né të Emil Cioran-it, rreth 250 faqe — nuk e ndryshon dot këtë realitet: sipas Qendrës Kombëtare të Librit (CNL), koha që francezët i kushtonin leximit në vitin 2025 mezi i kalonte mesatarisht 3 orë e 30 minuta në javë, pra më shumë se një orë më pak se në vitin 2023. Ndërkohë, koha jonë javore para ekraneve u rrit me 49 minuta gjatë dy viteve, duke arritur në 23 orë e 27 minuta. Me fjalë të tjera: çdo ditë u kushtojmë ekraneve pothuajse po aq kohë sa u kushtojmë librave gjatë një jave të tërë.

Lexuesit e mëdhenj po bëhen gjithnjë e më të rrallë

Epoka “pas shkrim-leximit”

Jo vetëm që lexojmë më pak, por lexojmë edhe më keq. Sipas të dhënave më të fundit të OECD-së për Francën, 28 për qind e personave të moshës 16 deri në 65 vjeç kishin nivel të ulët të shkrim-leximit në vitet 2022-2023; domethënë, në rastin më të mirë, mund të kuptonin vetëm tekste të shkurtra. Kjo e vendos Francën në 255 pikë nga 500, nën mesataren e OECD-së. Rezultatet e fundit të Programit Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve (PISA) e konfirmojnë prirjen. Ndërsa rezultatet në lexim kanë rënë me 28 pikë në dhjetë vjet në të gjitha vendet anëtare të organizatës, në Francë vetëm 67 për qind e 15-vjeçarëve arrijnë nivelin minimal të të kuptuarit të tekstit, që u mundëson të identifikojnë idenë kryesore të një teksti me gjatësi mesatare, kundrejt 69 për qind mesatarisht në OECD. Edhe më keq: vetëm 5 për qind arrijnë nivelin që u mundëson të kuptojnë tekste të gjata, të operojnë me koncepte dhe të dallojnë faktet nga opinionet.

Të heqësh dorë nga leximi do të thotë gjithashtu të braktisësh modelin tonë shoqëror të bazuar në barazi dhe liri

Mirë se vini në atë që revista The Atlantic ose gazetari anglez James Marriott e quajnë epoka “pas shkrim-leximit”: një shoqëri që ndoshta lexon më shumë fjalë sesa para ardhjes së internetit — përmes e-maileve, mesazheve dhe rrjeteve sociale — dhe që di t’i deshifrojë ato në kuptimin teknik, por në mënyrë të fragmentuar, në dëm të vëmendjes që kërkojnë tekstet e gjata dhe komplekse. Pikërisht kjo ushqen shqetësimin e Maryanne Wolf, neuroshkencëtare e shquar amerikane dhe autore e Lecteur, reste avec nous ! (Rosie & Wolfe). Sepse leximi i thelluar kërkon aktivizimin e shumë aftësive thelbësore të individit, të cilat ai më pas ndihmon t’i zhvillojë gradualisht. Këtu përfshihen mendimi analogjik — aftësia për të kuptuar diçka të re duke e lidhur me diçka të njohur — inferenca, pra nxjerrja e një përfundimi nga informacionet pa qenë ai i shprehur në mënyrë të drejtpërdrejtë, empatia dhe mendimi kritik. Meqë leximi nuk mbështetet në një zonë të veçantë të trurit, por në krijimin e lidhjeve neuronale ndërmjet zonave të ndryshme të tij, zëvendësimi i tij me lëvizjen e vazhdueshme në ekran dhe me qasjen e lehtësuar në informacion përmes internetit ose inteligjencës artificiale mundet, sipas saj, “të rrezikojë zhvillimin njohës të fëmijëve dhe ruajtjen e aftësive të fituara te të rriturit”.

Por leximi nuk është vetëm çështje lidhjesh neuronale. “Të lexosh një libër nuk do të thotë vetëm të dish se si është sjellë ky apo ai personazh ose si përfundon një histori. Do të thotë të zhytesh në një botë të plotë, të kuptosh se në univers ekziston diçka tjetër përveç vetes, të bësh pyetje mbi ekzistencën”, reflekton me zë Amin Maalouf, sekretar i përhershëm i Akademisë Franceze, fitues i çmimit Goncourt më 1993 dhe autor i Le Siècle de notre métamorphose (Grasset). “Duke e bërë këtë, leximi na lejon të kuptojmë se kush janë ‘të tjerët’ dhe, për rrjedhojë, të pyesim veten se kush jemi ne”, thotë autori franko-libanez, duke vazhduar idenë që Marcel Proust shprehte në vëllimin e fundit të Në kërkim të kohës së humbur (Koha e rigjetur, 1927): “çdo lexues, kur lexon, është lexuesi i vetvetes. Vepra e shkrimtarit është vetëm një lloj instrumenti optik që ai ia ofron lexuesit, për t’i mundësuar të dallojë atë që, pa atë libër, ndoshta nuk do ta kishte parë kurrë brenda vetes”.

Fundi i demokracisë liberale?

Por, më shumë sesa thjesht një pasqyrë, leximi ka qenë gjatë gjithë historisë edhe një mjet i jashtëzakonshëm për barazinë e kushteve, e cila, siç shkruante Alexis de Tocqueville, është “fakti gjenerues” i demokracisë moderne. Këtë e dëshmon fati i amerikanit Frederick Douglass, i lindur në skllavëri dhe që, falë leximit, u bë një nga figurat kryesore të lëvizjes amerikane për heqjen e skllavërisë. Apo Malcolm X, i cili në burg kopjoi fjalorin dhe iu përkushtua leximit përpara se të bëhej një nga zërat e lëvizjes për të drejtat civile. Janë shembuj që e shtyjnë Sarah-Jane Murray, profesoreshë irlandeze e specializuar në tekstet e mëdha dhe krijimtarinë letrare në Honors College të Baylor University në Teksas, të thotë se “të heqësh dorë nga leximi do të thotë gjithashtu të braktisësh me vetëdije modelin tonë shoqëror të bazuar në barazi dhe liri”.

Studiuesi amerikan Adam Garfinkle, bashkëthemelues me Francis Fukuyama-n i The American Interest, nuk priti sondazhin më të fundit të PISA-s për t’u shqetësuar mbi pasojat kolektive që mund të sjellë rënia e leximit. Shumë përpara kthimit të Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025, zgjedhjes së Javier Milei-t në Argjentinë, të italianes Giorgia Meloni apo rritjes së forcës së AfD-së gjermane, ai druhej tashmë se një shoqëri që largohet nga leximi mund të bëhet më emocionale, më e paqëndrueshme dhe gjithnjë e më e depërtueshme ndaj formave të pushtetit të bazuara në karizëm. “Demokracia liberale lindi nga një kulturë e shkruar”, kujton ai. “Është thjesht e pamundur të kuptojmë kuptimin e institucioneve dhe ligjeve tona pa lexuar. Për më tepër, leximi na ndihmon të mësojmë të mendojmë vetë, të zhvillojmë mendimin kritik dhe të strukturojmë mendimin. Nëse heqim dorë prej tij, informacioni do të përfundojë duke pasur më pak rëndësi sesa personi që e mishëron atë. Kështu, shoqëria bëhet më e nënshtruar ndaj emocioneve të veta dhe, për rrjedhojë, më e depërtueshme nga diskurset populiste, identitare dhe autoritare — madje, në disa aspekte, edhe nga teoritë e konspiracionit, që kapitalizojnë mbi emocionet kolektive.” Donald Trump? Një “produkt i pastër i epokës sonë pas shkrim-leximit”.

“A e bën rënia e leximit politikën më të marrë?”, pyeste së fundmi në titull revista e nderuar The Economist. Revista merr si shembull fjalimet parlamentare britanike, të cilat janë shkurtuar me një të tretën brenda dhjetë vjetësh. Po kështu edhe fjalimi i inaugurimit të Donald Trumpit, që sipas testit të lexueshmërisë Flesch-Kincaid ishte në nivelin e shkollës së mesme, ndërsa ai i George Washingtonit ishte në nivel pasuniversitar. Dhe e përjavshmja sugjeron se “ulja e sofistikimit letrar mund të çojë në uljen e sofistikimit politik”. Por a është kjo domosdoshmërisht problem? Për Sir Jonathan Bate, profesor i anglishtes në Oxford, i cituar nga The Economist, humbja e aftësisë për të lexuar prozë komplekse mund të ndikojë në aftësinë për të zhvilluar ide të ndërlikuara dhe të nuancuara. Dëshmi se leximi nuk është vetëm çështje politike, por edhe çështje e sigurisë kombëtare: që nga viti 1989, programi profesional i leximit i komandantit të Trupave të Marinës të Shteteve të Bashkuara synon çdo vit t’i nxisë ushtarakët të zhvillojnë mendimin e tyre kritik. Për vitin 2026, lista zyrtare ishte organizuar në katër kategori: trashëgimi, inovacion, udhëheqje dhe strategji.

Ana e fshehtë e IA-së

Në korridoret e institucioneve më prestigjioze të dijes, megjithatë, disa nuk e humbin toruan. Duke filluar me Sam Wineburg, profesor emeritus i shkencave të arsimit në Universitetin Stanford. “Po, ne po përjetojmë një transformim masiv të marrëdhënies sonë me leximin dhe informacionin dhe është legjitime të shqetësohemi për këtë. Por, ndërsa ankohemi për rënien e leximit, siç kanë bërë të gjitha shoqëritë sa herë që është shfaqur një teknologji e re, po shpërfillim mënyrën se si brezat e rinj sot konsumojnë informacion dhe fitojnë kulturë. Rezultati: nuk po u mësojmë të mendojnë duke përdorur mjetet e kohës së tyre, nga rrjetet sociale te inteligjenca artificiale”, thotë ai.

Hyrja e bujshme e IA-së në jetën tonë e ka transformuar pa dyshim marrëdhënien tonë me leximin. Shkrimtari dhe gazetari Thomas Chatterton Williams, profesor i shkencave humane në Bard College në Nju Jork, e ka parë situatën të përkeqësohet me shpejtësi. “Studentët nuk lexojnë më, nuk dinë më të shkruajnë”, pohon ai. “Madje nuk mendoj se do të arrijnë ta konceptojnë autorësinë letrare në mënyrën siç e kemi mësuar ne gjatë rritjes. Kur u jap për të lexuar Fjodor Dostojevskin ose Albert Camus-në, nuk e di nëse të gjithë vërtet i lexojnë. Disa ndoshta i kërkojnë ChatGPT-së: ‘më trego çfarë ndodh te Murtaja’. Është dëshpëruese.”

Të vjen ndër mend suksesi i jashtëzakonshëm i Everything Bad Is Good for You (2005), i teoricienit amerikan të medias Steven Johnson. Ai mbronte potencialin e disa risive, përfshirë internetin, për ta ushtruar mendjen dhe jo për ta topitur atë. Dhe pyeste, në mënyrë provokuese, se si do t’i kishim gjykuar librat sikur ata të ishin shfaqur pas videolojërave… Atëherë, a mund ta kompensojë pozitivisht IA-ja leximin? Mezi guxojmë ta pyesim Amin Maalouf-in nëse një përmbledhje kirurgjikisht e saktë e Bota e djeshme të Stefan Zweig-ut, një prej librave të tij të preferuar, nuk është më mirë sesa të mos njohësh kurrë asgjë nga gjeniu vjenez… Përgjigjja e tij: “Pse ta marrësh në version të cunguar atë që mund ta kesh në plotësinë e vet?”

Nga e kaluara te e tashmja

Skeptikëve, atyre që janë të fiksuar pas performancës dhe apostujve të tjerë të efikasitetit mund t’u përmenden rezultatet e para të një studimi të kryer këtë vit nga studiues të Oxford-it, Berkeley-t dhe MIT-it, me më shumë se 1.200 persona të cilëve iu dhanë detyra të arsyetimit matematikor ose të të kuptuarit të tekstit. Rezultati: megjithëse ndihma e IA-së përmirësonte performancën e menjëhershme, pjesëmarrësit ia dilnin dukshëm më keq pa të dhe hiqnin dorë më shpesh. Kjo është veçanërisht shqetësuese, sipas autorëve, sepse “këmbëngulja është themeli i përvetësimit të aftësive dhe një nga treguesit më të mirë të të mësuarit afatgjatë”. Në anën tjetër, një sondazh domethënës i OpinionWay, i publikuar në janar 2024 dhe që trajtonte mangësitë në njohuritë historike të të rinjve francezë të moshës 16-24 vjeç, tregon se sa i pazëvendësueshëm mbetet leximi në disa aspekte. Mes atyre që nuk lexonin asnjë libër, 32 për qind nuk e dinin se çfarë ishte Holokausti, kundrejt 14 për qind të atyre që lexonin të paktën tre libra në muaj.

Kjo është edhe më e dëmshme sepse, shumë shpesh, kuptimi i së tashmes kalon përmes njohjes së historisë. Këtë e theksonte së fundmi eseisti britanik John Harris në faqet e The Guardian, gjatë protestave kundër migrantëve që u zhvilluan në fillim të shtatorit në Dover dhe Portsmouth, në jug të Anglisë, dhe që çuan në përplasje dhe akte frikësimi nga burra me fytyra të mbuluara. Sipas institutit të sondazheve YouGov, 53 për qind e 18-24-vjeçarëve nuk kishin ndonjë mendim për legjitimitetin e mënyrës se si protestuan personat e maskuar. Sipas Harris-it, kjo është simptomë e rënies së leximit. Leximi, shkruan ai, ndihmon jo vetëm për “të ndjekur ngjarjet kombëtare dhe botërore, por edhe për t’i qartësuar dhe për t’i vendosur ato në kontekst”. Sipas tij, “frika që shumë prej nesh ndien kur panë atë që ndodhi në të dy portet, pa dyshim ushqehej nga perspektivat e fituara gjatë viteve të kaluara duke përthithur libra dhe gazeta”.

Rritja dhe udhëheqja

Në vend që të fajësojë brezin e tij, Elan Kluger, i sapodiplomuar në Dartmouth College në New Hampshire dhe tani në krye të medias The New Critic, vë në dukje humbjen e prestigjit që lidhet me leximin. “Disa mendojnë se njerëzit e arsimuar, ekspertët, janë pikërisht ata që na kanë sjellë problemet: ekonomistët, të cilët nuk arritën të parashikonin krizën e vitit 2008, ose specialistët e politikave publike, që inkurajuan pushtimin e Irakut në vitin 2003. Me fjalë të tjera, nëse ajo që sjell leximi është ekspertiza, atëherë leximi i librave nuk do ta bëjë domosdoshmërisht botën më të mirë.”

Nëse leximi ndoshta nuk do ta shpëtojë planetin, të paktën e bën atë më të begatë. Në një studim mbi “rolin e aftësive njohëse në zhvillimin ekonomik” (Journal of Economic Literature, 2008), ekonomistët e arsimit Eric Hanushek dhe Ludger Woessmann tregojnë se aftësitë njohëse të një popullsie janë të lidhura ngushtë me rritjen ekonomike. Madje, studime të tjera të dy studiuesve tregojnë se kur përqindja e nxënësve që zotërojnë bazat e leximit rritet me dhjetë pikë përqindjeje, rritja vjetore e PBB-së shtohet me rreth 0,3 pikë përqindjeje. Efekti është edhe më i dukshëm kur përparojnë nxënësit më të mirë. “Dikush që lexon do të zhvillojë kureshtjen, por edhe rezultatet në të gjitha lëndët, përfshirë matematikën. Në mënyrë mekanike, kjo përfundon duke ndikuar në ekonomi, si në nivel makroekonomik, ashtu edhe mikroekonomik”, shpjegon Eric Hanushek. Këtë e dëshmon edhe një studim tjetër i drejtuar prej tij në vitin 2015, sipas të cilit personat me aftësitë më të mira në matematikë dhe shkrim-lexim zakonisht marrin paga më të larta. Pa përmendur faktin se leximi priret të zhvillojë empatinë dhe të kuptuarit e të tjerëve, cilësi që lidhen me performancë më të mirë menaxheriale.

Por si t’ua shpjegosh të gjitha përfitimet e leximit brezave të rinj kur, siç vëren Sarah-Jane Murray, atyre u thuhet vazhdimisht se “nuk dinë më të lexojnë, se aftësia e tyre për t’u përqendruar është katastrofike për shkak të TikTok-ut dhe inteligjencës artificiale”? Profesoresha nuk ka ndonjë shkop magjik, por ndoshta ka gjetur një mënyrë për të pajtuar disa prej nesh me librat voluminozë. “Vitet e fundit, mbi të gjitha kam vërejtur një rritje të ankthit ndaj leximit te nxënësit e mi. Në thelb, besoj se për ta rigjetur kënaqësinë e librave duhet pikërisht ta çdramatizojmë këtë debat.” Në klasat e Sarah-Jane Murray-t, të paktë janë ata që nuk e kanë dëgjuar kurrë këtë këshillë: “Nëse pushoni së besuari se duhet domosdoshmërisht të gjeni pesë orë rresht për të lexuar një libër dhe kufizoheni në tri ose katër faqe në ditë, brenda një viti do të keni lexuar një mijë faqe!” Dëshmi se metoda funksionon janë fjalët e njërës prej studenteve të saj, 18 vjeçe: “Kam ndjesinë se më kanë gënjyer. Jo vetëm që jam e aftë të lexoj libra, por edhe i adhuroj.”/ L’Express.fr