Mitte luajti djalin e një mësuesi që shndërrohet në prodhues metamfetamine në serialin e suksesshëm televiziv.
Aktori RJ Mitte, i njohur për rolin e djalit të Walter White në serialin e suksesshëm të televizionit AMC, “Breaking Bad”, si dhe për angazhimin e tij në mbrojtje të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, ka vdekur në moshën 34-vjeçare, njoftuan të hënën përfaqësuesit e tij.
“Me trishtim të thellë njoftojmë ndarjen tragjike nga jeta të aktorit të dashur, filantropit dhe mbrojtësit të përkushtuar të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, RJ Mitte”, thanë përfaqësuesit e tij.
Ata nuk dhanë hollësi për shkakun e vdekjes.
Mitte vdiq të hënën në Brownsville të Teksasit, ku ishte shpërngulur për të jetuar, tha Cyndi Hinojosa, gjyqtare e paqes në Brownsville.
Hinojosa tha se e kishte konstatuar zyrtarisht vdekjen e tij në orën 13:32, por nuk mund ta bënte publik shkakun e vdekjes.
Në serialin fitues të çmimeve “Breaking Bad”, Mitte interpretoi Walter White Jr., djalin adoleshent të një mësuesi të shkollës së mesme, i cili shndërrohet në prodhues metamfetamine.
Seriali, që nisi transmetimin në janar të vitit 2008, kur Mitte ishte 15 vjeç, i dha atij rolin që e bëri të famshëm.
Mitte kishte paralizë cerebrale, gjendje që pasqyrohej edhe në personazhin e tij në “Breaking Bad”. Ai ishte gjithashtu një mbrojtës aktiv i të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.
“Duke u mbështetur në përvojën e tij personale të jetesës me paralizë cerebrale, Mitte i dha autenticitet rolit dhe krijoi një platformë për ndërgjegjësimin dhe përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara”, thanë përfaqësuesit e tij në deklaratë.
“Përveçse solli argëtim për miqtë dhe familjet në mbarë botën, ai shërbeu si ambasador i organizatave United Cerebral Palsy dhe Shriners Children’s”, thuhej në deklaratë.
“Ai shërbeu gjithashtu si president i The Mitte Foundation, duke mbështetur përpjekjet filantropike dhe nismat komunitare, ndërsa e përdori ndikimin e tij publik për të sfiduar stereotipat dhe për të promovuar një përfaqësim më të gjerë të personave me aftësi të kufizuara”, shtuan ata.
Përfaqësuesit kërkuan që të respektohet privatësia e familjes dhe e njerëzve të afërt të aktorit.
Mitte luajti gjithashtu në filmin horror “The Oak Room”, të vitit 2020, dhe në filmin fantastiko-shkencor “The Recall”, të vitit 2017.
Në filmin “Triumph”, të publikuar në vitin 2021, Mitte interpreton një nxënës të shkollës së mesme që lufton për t’u bërë mundës, pavarësisht se ka paralizë cerebrale. Filmi fitoi çmimin Seal of Authentic Representation të Fondacionit të Familjes Ruderman, një vlerësim për mënyrën e portretizimit të personave me aftësi të kufizuara.
Hinojosa, gjyqtarja e paqes, tha se mungesa e Mitte do të ndihet shumë në Brownsville.
“Ai ishte jashtëzakonisht i sjellshëm me qytetin tonë”, tha Hinojosa në një intervistë telefonike.
Mitte lindi në Jackson të Misisipit dhe mjekët e diagnostikuan me paralizë cerebrale kur ishte tre vjeç, siç tregoi ai në një intervistë për Vice në vitin 2016. Ai ishte 12 ose 13 vjeç kur u shpërngul në Los Anxhelos, tha aktori.
“Fillova të merresha me aktrim për të njohur fëmijë të moshës sime”, tha ai në intervistën për Vice.
Në një intervistë të vitit 2021 për Big Issue, Mitte tha se vlerësimet pozitive të mediave dhe kritikëve për “Breaking Bad” ndihmuan që seriali të vazhdonte transmetimin gjatë viteve të para.
“Nuk ishin shikuesit, sepse nuk kishim shifrat e nevojshme të audiencës për të vazhduar si një serial televiziv i një rrjeti kombëtar”, tha Mitte.
Vetëm në sezonet e mëvonshme “arritëm vërtet të tërhiqnim një audiencë të madhe”, tha ai.
Seriali u transmetua për pesë sezone, nga viti 2008 deri në vitin 2013.
Në atë intervistë, Mitte ia atribuoi familjes së tij meritën për mbështetjen që i kishte dhënë në një kohë kur perceptimi publik për personat me paralizë cerebrale ishte negativ.
Kur ishte më i vogël, tha ai, disa njerëz besonin se nuk do të ishte kurrë në gjendje të ecte apo të fliste siç duhet dhe se nuk do të mund të kishte një jetë apo karrierë të zakonshme.
“Ky ishte perceptimi kur isha fëmijë”, tha Mitte në intervistë. “Por familja ime thoshte: ‘Jo. Ai do të dalë në jetë dhe do të bëjë gjëra’”.
Mitte i tha Vice në vitin 2016 se e konsideronte veten me fat që kishte mundësinë të sillte ndryshime.
“Jam me fat që mund të jem një mbrojtës i të drejtave. Jam me fat që mund të bëj atë që bëj dhe të flas me njerëzit me të cilët kam mundësinë të flas”, tha ai.
“Mendoj se të gjithë kemi detyrimin të ndikojmë për mirë”, tha Mitte.
(NBC News)















