Një nënë ka denoncuar se djali i saj është sulmuar nga mësuesja në një shkollë fillore të Tetovës, ndërsa një grua ka raportuar përndjekje dhe kërcënime nga ish-partneri, pavarësisht masave mbrojtëse gjyqësore. Buletini policor përfshin edhe zjarr në një orman me matës elektrikë në Sllatinë, një sulm të denoncuar në barnatore dhe arrestime në trafik.
1. Tetovë: Nëna denoncon mësuesen për sulm fizik ndaj djalit të saj
Një grua 40-vjeçare nga një fshat i Tetovës ka denoncuar se djali i saj i mitur, nxënës i një shkolle fillore në Tetovë, është sulmuar fizikisht nga mësuesja e tij.
Rasti është raportuar më 2 nëntor, në orën 17:20, në SPB Tetovë.
Policia po ndërmerr masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit. (SPB Tetovë)
2. Tetovë: Denoncohen përndjekje dhe kërcënime nga ish-partneri, në kundërshtim me masat mbrojtëse
Një 34-vjeçare nga Tetova ka denoncuar se ish-partneri i saj 30-vjeçar nga Shkupi e ka ndjekur dhe i ka drejtuar kërcënime.
Sipas denoncimit të bërë më 2 nëntor, në orën 18:00, ai nuk ka respektuar vendimin për masat mbrojtëse të shqiptuara nga Gjykata Themelore e Tetovës.
Pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë kallëzimi përkatës. (SPB Tetovë)
3. Sllatinë: Digjet ormani me matës elektrikë, nuk ka të lënduar
Më 3 nëntor, në orën 04:35, në SPB Tetovë është raportuar një zjarr në një shtyllë në Sllatinë, ku është djegur një orman shpërndarës me matës elektrikë.
Pas ndërhyrjes së Njësisë Territoriale Zjarrfikëse të Tetovës, zjarri është lokalizuar plotësisht.
Nuk ka persona të lënduar. Një ekip i SPB Tetovë ka kryer këqyrjen e vendngjarjes. (SPB Tetovë)
4. Zhilçë: Arrestohet 22-vjeçari, drejtonte automjetin pavarësisht ndalimit
Më 2 nëntor, në orën 14:40, në Zhilçë, policët e Stacionit Policor Jegunoc kanë arrestuar V.N. (22) nga Gërçeci i Shkupit.
Gjatë kontrollit të një automjeti transportues “Citroen” me targa të Shkupit, është konstatuar se ai e drejtonte mjetin pavarësisht ndalimit të shqiptuar për drejtim.
Pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të vijojë parashtresa përkatëse. (SPB Tetovë)
5. Gostivar: Një grua denoncon marrjen e produkteve kozmetike dhe sulm fizik në barnatoren e saj
B.V. (33) nga Gostivari ka denoncuar se një grua ka marrë produkte kozmetike nga barnatorja e saj dhe e ka sulmuar fizikisht.
Rasti është raportuar më 2 nëntor, në orën 14:20, në DPB Gostivar. Sipas denoncimit, ngjarja ka ndodhur në vendin e saj të punës, në barnatore.
Policia po ndërmerr masa për zbardhjen e rastit. (SPB Tetovë)
6. Debresh: Arrestohet shoferi pas aksidentit, rezultoi me 1,58 promilë alkool
Më 2 nëntor, në orën 14:15, në një rrugë lokale në Debresh, policia ka arrestuar E.M. (45) nga i njëjti fshat.
Gjatë këqyrjes së një aksidenti të ndodhur më parë, ku ai ishte përfshirë me një “Ford” me targa të Gostivarit, është konstatuar se kishte drejtuar nën ndikimin e alkoolit.
Gjatë alkooltestit i janë matur 1,58 promilë alkool në gjak. Pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të vijojë parashtresa përkatëse. (SPB Tetovë)
7. Çegran: Arrestohet 68-vjeçari i kërkuar për vuajtjen e dënimit me burg
Më 2 nëntor, në orën 11:50, policët e Stacionit Policor Çegran kanë arrestuar Z.S. (68) nga Çegrani.
Ai kërkohej me urdhër gjyqësor për vuajtjen e dënimit me burg për një vepër penale sipas nenit 284-a të Kodit Penal.
Pas arrestimit është dërguar në Burgun e Tetovës për vuajtjen e dënimit. (SPB Tetovë)





























