Ballina Shëndeti Eliminimi i gazrave në zorrë, çfarë duhet të dini

Eliminimi i gazrave në zorrë, çfarë duhet të dini

Mjekja Ilda Xhelili, vë në dukje se prodhimi i gazrave shkaktohet nga bakteret brenda zorrëve, gëlltitja e ajrit gjatë ushqyerjes, nga një tretje jo e mirë, mospërthithja e mirë e sheqernave, kapsllëku, si dhe gjendje të tjera shëndetësore. Rastet kur duhet të kërkoni ndihmën e specializuar mjekësore

Pranvera Kola – DITA

Një ndër problematikat më të shpeshta që shfaqet pothuajse tek të gjitha grupmoshat është edhe fryrja e barkut, e cila kryeisht ka të bëjë me praninë e gazrave në zorrë, ose në stomak. Çdo njeri ka gazra dhe i eliminon ato duke gromësirë, ose nëpërmjet rektumit.

Ndër simptomat më të shpeshta që manifestojnë pacientët në këto raste janë: ndjesia e fryrjes së barkut, gurgullima e zorrëve, lëvizjet e ajrit në to, etj.

Mjekja Ilda Xhelili, tregon për “Dita”, faktorët që ndikojnë në shfaqjen e këtyre gazrave, si dhe masat që duhet të merren për t’i parandaluar  dhe trajtuar në kohë. Sipas saj, zorrët zakonisht përmbajnë gaz që transmetohet shpejt përmes zorrëve të holla, e deri në zorrën e trashë.

“Sasia e gazit që është normalisht e pranishme varet nga veprimi i baktereve të pranishme në aparatin tretës mbi masën ushqimore, si edhe nga shpejtësia me të cilën kalon gazi nëpër zorrë.

Në individët normal, shumica e gazit prodhohet direkt në zorrën e trashë (kolon) dhe nuk vjen nga zorrët e holla. Përkufizimi i gazit të tepërt ndryshon sipas individit, zakonisht në bazë të asaj që ata kanë konsideruar normale në të kaluarën.

Disa individë e konsiderojnë gazin e tepruar si fryrje dhe rëndim të barkut, disa si gurgullima dhe lëvizje zorrësh, apo edhe si plogështi në abdomen (bark)”, vë në dukje mjekja Xhelili. Mjekja vë në dukje se ndonëse të gjithë i kalojnë në jetën e tyre këto ndjesi, njerëzit shqetësohen vetëm kur simptomat bëhen kronike.

Pse ndodh formimi i gazrave në zorrë?

Shkaku më i zakonshëm kur simptomat bëhen kronike është prania e tepruar e gazit në stomak. Duhet të dini që jo gjithmonë kjo ndjesi vjen si rezultat i gazit të tepërt nga stomaku. Në rast se ky është shkaku i vërtetë, atëherë gromësira u lehtëson shenjat klinike.

Gurgullima e zorrëve është e shkaktuar nga prodhimi i gazit nga bakteret brenda zorrëve (zakonisht procesi i tretjes brenda zorrës së trashë) kur fillon procesi i tretjes se sheqernave dhe polisakaradieve që mbërrijnë aty të patretura. Dhimbjet e forta të barkut sugjerojnë shkaqe të tjera, të cilat kërkojnë ekzaminim të kujdesshëm.

Ajri mund të gëlltitet edhe nga goja gjatë ushqyerjes. Arsyet e zakonshme për gëlltitjen e sasive të mëdha të ajrit (aerofagia) janë ushqyerjet e shpejta dhe me sasi të madhe, ose pirjet e shpejta të lëngjeve, por edhe gjendjet e ankthit. Njerëzit shpesh nuk janë në dijeni se po gëlltisin ajrin.

Diskomfortin abdominal (të barkut) përveç ajrit mund ta shkaktojë edhe prania e lëngjeve, apo çrregullimet e indeve brenda barkut.

Sëmundjet, ose kushtet që shkaktojnë një rritje të ajrit, lëngjeve ose indeve janë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Prandaj është e rëndësishme të përcaktohet se çfarë (ajri, lëngu, indi) po e çrregullon barkun.

Si bëhet eliminimi i këtyre gazrave?

Në gjendje normale gazrat e prodhuara në aparatin tretës absorbohen (thithen) përgjatë gjithë gjatësisë së zorrëve dhe kalojnë në gjak. Nëpërmjet gjakut, gazi udhëton dhe përfundimisht nxirret jashtë nga mushkëritë nëpërmjet procesit të frymëmarrjes.

Së dyti, gazi i prodhuar nga një kategori e caktuar bakteresh përdoret nga një kategori tjetër bakteresh në zorrë për proceset e tyre jetësore. Dhe në fakt në këtë mënyrë eliminohet shumica e gazit të prodhuar në zorrë.

Cilat janë ushqimet që prodhojnë më tepër gaz?

Në fakt të gjitha ato ushqime që çojnë në prodhimin e tepërt të gazeve në aparatin tretës përmblidhen në grupin e quajtur “oligosakaridet fermentuese, monosakaridet dhe poliolët”.

Shumë njerëz provojnë të kenë një dietë me eliminim të këtij grupi, por në fakt është shumë e vështirë të eliminohen këta përbërës, sepse janë të pranishëm në shumicën e ushqimeve.

Pra është shumë e vështirë për t’u ndjekur dhe në këto raste është mirë të kërkohet ndihma e dietologut. Ndërkohë, po mundohem të përshkruaj ushqimet kryesore që janë pjesë përbërëse e grupit ushqimor që shkakton hiperprodhim të gazrave në zorrë.

Së pari, te oligosalaridet bëjnë pjesë perime të tilla, si: hudhra, asparagu, qepa, bishtajoret (fasulet, bishtajat, thjerrëzat, soja), arrat, bajamet dhe fisfiqet. Së dyti te disakaridet bëjnë pjesë qumështi (lopë, dele, dhi) si edhe nënproduktet e tij (djathi, gjalpi, kosi, qumështi pluhur).

Së treti te monosakaridet bëjnë pjesë fruta të tilla, si: mollë, dardhë, fiq, mango, shalqi, manaferra, qershi, pjeshkë, kumbulla. Është e qartë që me një listë kaq të gjerë ushqimesh që duhen evituar, është shumë e vështirë të mbahet dietë, prandaj si fillim kërkohet një vlerësim i hollësishëm i situatës shëndetësore, i përcaktimit të shkaqeve dhe pastaj një konsultim me dietologun.

Cilët janë faktorët e tjerë që ndikojnë në fryrjen e barkut (diskomfort abdominal)?

Së pari mund të kemi çrregullime të tretjes dhe të thithjes ushqimore në pjesë të ndryshme të aparatit të tretjes, duke bërë që ushqimi të mbërrijë i patretur plotësisht në nivele të ndryshme të zorrës. Së dyti, mund të ndodhi një bllokim që nga stomaku dhe deri në anus. Kur bllokimi është i pjesshëm, mund të shkaktohen fryrje të përsëritura të barkut.

Një faktor mjaft i shpeshtë, sidomos për moshën e tretë është konstipacioni, që pengon rrjedhjen e përmbajtjes së zorrëve. Në këto raste, fryrja e barkut rezulton konstante dhe e vazhdueshme dhe që eliminohet, ose lehtësohet me eliminimin e materialeve fekale (pas defekimit apo klizmave ndihmuese). Përveç pengesave mekanike, mund të jenë shkaktarë, edhe pengesat funksionale, si për shembull funksionimi i dobët i muskujve të zorrëve, të cilët shtyjnë përmbajtjen ushqimore.

Kur këta muskuj nuk funksionojnë siç duhet, përmbajtja ushqimore grumbullohet duke shkaktuar fryrje dhe çrregullime të barkut.

Yndyrat ushqimore kanë një efekt që imiton një pengesë funksionale duke nxitur grumbullimin e ushqimit, gazrave dhe lëngjeve në traktin tretës. Po të njëjtin efekt mund të kenë edhe fibrat dietike që përdoren kundër konstipacionit (kapsllëkut).

Si mund të parandalohet, apo trajtohet problematika e shkaktuar nga gazrat në zorrë?

Nëse parehatia e krijuar nga fryrja e barkut dhe gurgullima e zorrëve është e vazhdueshme, padyshim që duhet të paraqiteni tek mjeku për një diagnostikim sa më të saktë të gjendjes tuaj shëndetësore.

Fillimisht kërkohet një vlerësim i kujdesshëm nga ana e mjekut, qoftë nga ana klinike dhe qoftë nëpërmjet ekzaminimeve përkatëse, për përcaktimin e saktë të diagnozës dhe eliminimin e shkaqeve. Kështu mund të lindë nevoja edhe e ndërhyrjeve kirurgjikale (në rastin e pengesave mekanike si për shembull tumoreve të ndryshëm).

Mund të lindë gjithashtu nevoja e përdorimit të antibiotikëve (gjithmonë me rekomandimin e mjekut përkatës) dhe në shumicën e rasteve luan rol pozitiv përdorimi i probiotikëve, të cilët janë baktere natyrale të florës së zorrëve që ndihmojnë në tretjen e ushqimeve.

Në kushtet e shtëpisë do të rekomandoja të eliminohet përdorimi i tepruar i sheqernave duke treguar kujdes edhe me përdorimin e frutave. Është mirë që të mos kalohet sasia e përdorimit ditor të frutave prej 600 gramëve.

Po ashtu, edhe perime të tilla, si: bishtajoret janë më të vështira për t’u tretur, prandaj është mirë që të reduktohet përdorimi i tyre dhe në rastet e veçanta edhe të eliminohet. Megjithatë, është shumë e vështirë të përcaktohet dieta ushqimore në këto raste, pasi është edhe shumë individuale.

Në fund të fundit çdo njeri mund ta përcaktojë vetë më mirë se cilat ushqime toleron më mirë dhe nuk i shkaktojnë çrregullime të tretjes. Në një farë mënyre në këtë rast çdokush bëhet mjeku i vetvetes.

Gjithsesi, për çdo shqetësim të tillë, i cili nuk zgjidhet në një kohë të shkurtër edhe nëpërmjet përkujdesjes së ushqyerjes, duhet konsultuar së pari me mjekun e familjes. Nuk duhen nënvlerësuar asnjëherë këto simptoma klinike të aparatit tretës.

Mos e teproni me frutat

Në kushtet e shtëpisë do të rekomandoja të eliminohet përdorimi i tepruar i sheqernave duke treguar kujdes edhe me përdorimin e frutave. Është mirë që të mos kalohet sasia e përdorimit ditor të frutave prej 600 gramëve.

Perimet që duhet të shmangni

Kujdes duhet të bëni edhe me përdorimin e disa perimeve të caktuara, si: bishtajoret janë më të vështira për t’u tretur, prandaj është mirë që të reduktohet përdorimi i tyre dhe në rastet e veçanta edhe të eliminohet.

Mospërthithja e mirë e sheqernave

Sheqernat zakonisht nuk zbërthehen plotësisht në personat që kanë mangësi gjenetike të enzimave tretëse, përgjegjëse për sheqernat. Prandaj shumë persona referojnë se kanë intolerancë ndaj sheqernave. Po ashtu shumë njerëz kanë intolerancë nga drithëra të ndryshme, nga fruta dhe perime të caktuara, si për shembull fasule dhe lakër. Këto produkte në rast se nuk treten përfundimisht në zorrë shërbejnë për bakteret e zorrëve si burim për prodhimin e gazrave.

@tn.lajmelokale
@tetovanews