Ballina Aktualitet Kosovë Qarkullimi i dyshimtë i qindra mijëra eurove në xhirollogarinë e Kryeimamit të...

Qarkullimi i dyshimtë i qindra mijëra eurove në xhirollogarinë e Kryeimamit të Kaçanikut (VIDEO)

Mbi 220 mijë euro i ka qarkulluar gjatë një periudhe një-vjeçare Kryeimami i Kaçanikut, Florim Neziraj. Insajderi ka siguruar informacione për qindra mijëra eurot e qarkulluara në institucionet bankare nga Neziraj. Kryeimami ka thënë se të gjitha transaksionet i ka bërë përmes bankës dhe se i mbron ato.

Brenda një viti, Florim Neziraj ka qarkulluar mbi 220 mijë euro në xhirollogarinë e tij bankare. Bëhet fjalë për periudhën shkurt 2017 deri më shkurt 2018, kur Kryeimami i Kaçanikut u ka dhënë mijëra euro në formë huaje dy personave, ka tentuar të privatizojë një objekt nga AKP-ja dhe ka paguar 22 mijë euro për blerje të një veture.

Insajderi ka siguruar informacione që hedhin në pah aktivitetin bankar të ish-kryetarit të Bashkësisë Islame në Kaçanik, Florim Nezirajt, i cili ishte shkarkuar nga kjo pozitë në qershor 2017 pasi kishte lejuar që në xhaminë kryesore të qytetit të lajmërohej vrasja e liderit kosovar të grupit terrorist ISIS, Lavdrim Muhaxheri. Disa muaj më vonë ishte emëruar Kryeimam i Kaçanikut.

Në tetor të vitit 2017, sipas informacioneve që ka siguruar Insajderi, Neziraj i kishte dhuruar në formë huazimi 138 mijë euro një personi me inicialet A.S.. Ky transaksion bankar kishte ndodhur vetëm një ditë pasi ai kishte ofertuar në një tender të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Përveç huave mijëra euroshe që ka dhënë brenda kësaj periudhe një vjeçare, ai kishte marrë pjesë edhe në një tender të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Edhe kjo kishte ndodhur në tetor të vitit të kaluar.

Neziraj kishte tentuar të privatizonte një objekt që e kishte shpallur në shitje AKP-ja. Për pjesëmarrje në tender kishte ofruar 10 mijë euro.

“Unë kam ofruar ofertën time, pasi AKP-ja e kishte shpallur në shitje një objekt, depo në Kaçanik”, ka thënë Neziraj, duke konfirmuar informacionet e Insajderit. “Unë kam qenë një ofertues sikurse të gjithë qytetarët e tjerë, por kam qenë ofertuesi më i lirë krahasuar me të tjerët”.

Në një bisedë me Insajderin, Kryeimami i Kaçanikut është shprehur se kishte në plan t’i futej biznesit. Kishte në plan ta hapte një fabrikë të lëngjeve.

“Për biznes dhe për gjithçka [kam dashur ta privatizoj këtë objekt, v.j]. Atë depo mua më ka interesuar që ta aktivizoja në fabrikë të lëngjeve, sepse ajo veç ka qenë më herët fabrikë e lëngjeve”, është shprehur Neziraj, teksa ka shpjeguar arsyen pse kishte marrë pjesë në tenderin e AKP-së.

Megjithatë, Neziraj nuk arriti ta fitonte tenderin. Thotë se 10 mijë eurot që i ofroi në tenderin e AK-së iu kthyen. “Do të thotë, nuk e kam fituar atë tender. Oferta ime ka qenë më e lirë për 2 mijë euro, sesa fituesi paraprak. Megjithatë e di që ai tender është anuluar tërësisht”, ka thënë Neziraj.

Në total qarkullimi bankar i Kryeimamit të Kaçanikut për një vit të plotë kalendarik ka shkuar në mbi 220 mijë euro, raporton Gazeta Online Insajderi. 176 mijë prej këtyre të hollave i kishte tërhequr nga xhirollogaria, e 45 mijë të tjera i kishte pasur të hyra.

Burimet e Gazetës Online Insajderi kanë thënë se Kryeimami Neziraj ka pasur në total një qarkullim bankar prej mbi 600 mijë eurove që prej hapjes së xhirollogarisë bankare.

Insajderi ka tentuar të marrë një përgjigje nga Prokuroria e Shtetit lidhur me aktivitetin e dyshimtë bankar të Kryeimamit të Kaçanikut, por zyrtarë të Prokurorisë nuk kanë dhënë asnjë përgjigje.

Shpjegimi i Nezirajt për qindra mijëra eurot në bankë

Të gjitha informacionet të cilat i ka siguruar Insajderi lidhur me aktivitetin bankar të tij, Florim Neziraj i ka konfirmuar përmes një bisede telefonike. Por ka thënë se të gjithë aktivitetin e tij financiar e ka realizuar përmes bankës, dhe se këtë çështje e mbron deri në fund.

“Gjithçka që e kam bërë unë, e kam bërë përmes bankës dhe atë e mbroj sepse është çështje private e imja. Unë mundem t’ia huazojë ato [të holla, v.j] kujt të dua”, ka thënë Neziraj.

Ndërkaq, lidhur me huazimin e qindra mijëra eurove për persona të tjerë, Neziraj është shprehur se 138 mijë euro hua në tetorin e vitit të kaluar ia kishte dhënë dhëndrit të tij. “Ai është dhëndri im, ka qenë në nevojë dhe unë ia kam dhuruar”, ka deklaruar Kryeimami i Kaçanikut.

Ish-kryetari i Bashkësisë Islame të Kaçanikut mohon të ketë lidhje biznesore me personin të cilit thotë se i ndihmoi me huazimin e 122 mijë eurove. “Normal [i kam ndihmuar, v.j]. Nuk kam pasur kurrfarë lidhje biznesore deri më sot”, është shprehur ai.

Me një rrogë mujore prej rreth 500 eurove që merr nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), qarkullimi bankar i deri në 600 mijë eurove – 220 mijë prej të cilave brenda një viti – mund të konsiderohet i dyshimtë. Megjithatë, Kryeimami i Kaçanikut thotë se të gjitha paratë që i ka qarkulluar në bankë, i ka trashëguar nga familja e tij.

“Ne jemi pesë vëllezër dhe unë e kam trashëguar edhe pasurinë e babës. Katër vëllezër janë jashtë vendit dhe ata kanë firma atje”, ka thënë Neziraj. “Ne e kemi buxhetin e përbashkët dhe pjesa më e madhe e parave vijnë prej tyre.”

Dyshimet e ish-prokurores së EULEX-it ndaj Nezirajt për përfshirje në vrasjen e trefishtë

Në janar të vitit 2015, asokohe prokurorja e EULEX-it, Marie Bamieh akuzoi Florim Nezirajn për përfshirje si sekser në një vrasje të trefishtë që dyshohet se kishte ndodhur në Kaçanik në vitin 2017, te Ura e Lepencit, afër fshatit Soponicë. Për këtë vrasje akuzohen Afet Dalloshi dhe Agron Dalloshi.

Sipas dyshimeve që kishte ngritur Bamieh, ajo thoshte se në këtë proces u dhanë ryshfete, e sipas saj sekseri ishte Kryeimami i Kaçanikut, Florim Neziraj – dikur imam në fshatin Dubravë.

Në një dokumentar të televizionit Klan Kosova në vitin 2015, prokurorja Bamieh kishte ngritur dyshime se ky imam i ka dalë asaj i përfshirë edhe në raste të tjera ku qenë përfshirë grupi i të dënuarve te vrasja e trefishtë në Kaçanik dhe te vënia e bombës te lokali “Sekiraça” dhe kishte thënë se është e bindur që imami Florim Neziraj i mësonte dëshmitarët se çka të flisnin në Polici.

Në këtë dokumentar Florim Neziraj kishte mohuar pretendimet e Bamieh. Kishte mohuar se ishte njohur me gjyqtarin e dyshuar për korrupsion të EULEX-it, italianin Francesko Florit, por nuk kishte mohuar të jetë takuar me hetues të UNMIK-ut e EULEX-it.

Gjatë kohës sa BIK-un në Kaçanik e drejtonte si kryetar i Bashkësisë Islame të Kaçanikut, Florim Neziraj, dhjetëra qytetarë të kësaj komune iu bashkuan luftës së shenjët të shpallur nga Ebu Beker El-bagdati (lideri i ISIS-it) në Siri e Irak, dhe atje nën dijeninë e autoriteteve dhe BIK-ut operuan dy shoqata që rekrutonin xhihadistë: Shoqata “Parimi” e shoqata e Lavdrim Muhaxherit, “Rinia Islame Kaçanik” e ndarë pak vite më parë nga “Parimi”.

RIK-u dërgonte ushtarë për ISIS-in e “Parimi” për “Xhabhatu Al-Nusra”-n, krahun zyrtar të “Al-Kaida”-s në Siri, një lidhje që ishte krijuar me organizatën e Osama Bin-Ladenit përmes imamëve fundamentalistë shqiptarë nga Maqedonia si dhe imamit të arrestuar në Kosovë për rekrutim në xhihad, Zekirja Qazimit, po ashtu një imamit i BIK-ut.

Vitin e kaluar, Neziraj ishte shkarkuar nga pozita e kryetarit të Bashkësisë Islame në Kaçanik me vendim të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), pasi kishte që në xhaminë kryesore të qytetit të lajmërohet vrasja e liderit kosovar të grupit terrorist ISIS, Lavdrim Muhaxheri.

@tn.lajmelokale
@tetovanews