Ballina Aktualitet Kultura Publicisti Ismail Arsllani sjellë librin e kronikave për Tetovën

Publicisti Ismail Arsllani sjellë librin e kronikave për Tetovën

Publicisti tetovar, Ismail Arsllani, erdhi këtyre ditëve me librin e tij të katërt, të titulluar “Tetova në dosjen e kohës”, një kronikë e rikujtimeve, rrëfimeve gojore dhe dokumenteve të rralla, të cilat autori i quan “dosje e kohës”. Dorëshkrimi i tij përbën një seri shkrimesh për etimologjinë civilizuese të qytetit të Tetovës, trashëgiminë kulturore të saj, për ngjarjet historike, personalitetet e shquara dhe veprimtarinë e tyre në periudha të ndryshme kohore, që kanë të bëjnë ekskluzivisht për Tetovën, duke filluar nga koha antike, ajo е pushtetit osman, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, për lagjet e vjetra dhe qytetin /kasaba/, si dhe për zhvillimin e tij në dimensionin kohor.

Libri i ndarë në disa kapituj, flet për fillimet e civilizimit nga periudha antike e qytetit, (për çka dëshmojnë artefaktet nga gërmimet në disa lokalitete arkeologjike), pastaj për kohën dhe jetën nën pushtetin osman, për zhvillimin e zejeve të asaj kohe, për jetën në qytetin që lidhet edhe me Teqenë Harabati Baba, Xhaminë e Pashës, konakët e pashallarëve, Kalanë, Hamamin, për prejardhjen e Abdurrahman pashës, si dhe fatin tragjik të tij në zandanët e Anadollit të Turqisë.

Një kapitull i veçantë ka të bëjë me disa personalitete të shquara të Tetovës nga shek. 19 dhe 20, siç ishte Mehmet Pashë Deralla, gjeneral ushtarak i Perandorisë osmane, i cili kthehet në vendlindje për t’iu bashkuar Ismail Qemalit në formimin e Qeverisë së parë shqiptare, pas shpalljes së pavarësisë më 1912. Autori, në këtë kontekst, jep disa të dhëna të panjohura për fatin e familjes Deralla, e cila pas Luftës së Dytë Botërore detyrohej të emigronte, duke u shkapërderdhur gjithandej nëpër botë.
Në këtë monografi, Ismail Arsllani rrëfen me ndjesi të thellë edhe për kohën e tij të rinisë, se si frymonte qyteti në atë kohë (në vitet 1955-1965), pra në njërën nga periudhat më të vështira për kombin shqiptar në ish-Jugosllavi, për ngjarje e përjetime të shumta, për njerëz të njohur e më pak të njohur të qytetit, të cilët secili në mënyrën e vet kanë përmbushur mozaikun jetësor të tij në një periudhë të caktuar.

Recensenti i librit, prof. dr. Blerim Reka, thotë se autori Arsllani jep përshkrime për ngjarje dhe fate njerëzish, rrëfime autentike të më të moshuarve, me përjetimet dhe ndodhitë e tyre që nxirren në pah ekskluzivisht për botim, për të parën herë. Prandaj libri “Tetova në dosjen e kohës” duhet lexuar si dëshmi e kronistit të saj, Ismail Arsllani, për një kohë pa kohë.

Sipas autorit, Tetova ka spikatur burrështetas, të cilët me veprimtarinë e vet atdhetare ndryshuan kahen e rrjedhave historike jo vetëm në këtë qytet, por edhe me gjerë në gjeografinë shqiptare.

Libri mëton të mbërthejë një diapazon të gjerë të dhënash, prej burimeve autentike, njerëzish të gjallë dhe pasardhës të tyre, nëpërmjet bisedave, rrëfimeve, evokimeve, dokumentimeve, që pasqyrojnë një kohë të largët, të tretur në kujtesën kolektive. Tetova ngërthen një histori të begatë, ngjarje të ndryshme që kalojnë kufijtë e saj; ka nxjerrë individë të dalluar, ka lënë trashëgimi të rrallë kulturore dhe shumë elemente të tjera që fshihen në “dosjen” e të së kaluarës së saj, që janë në numër aq të madh.

Kemi këtu një gërshetim kohërash, vitesh, periudhash, ngjarjesh, personalitetesh, që kanë vërë vulë qytetit rrëzë Sharrit; zbërthime emotive për kohën e perënduar; kujtesë për brezat; shtruarje dokumentimesh për qytetin që kaloi nëpër katrahurën e pushteteve ndër shekuj, për të mbetur krenar për historinë e vet. Shkrimet e evokimeve vijnë nga distanca të ndryshme motesh, por mëtojnë ta mbajnë uniformin përshkrues brenda kornizës së
caktuar.

Artan Arsllani

@tn.lajmelokale
@tetovanews