Ballina Aktualitet Edhe studentët e Prishtinës në protestë, protestojnë kundër ndikimeve politike në Universitet

Edhe studentët e Prishtinës në protestë, protestojnë kundër ndikimeve politike në Universitet

Parlamenti i Studentëve kanë protestuar Para rektoratit te UP-së në shenjë pakënaqësie për kushtet e studentëve si dhe kundër ndërhyrjeve në pavarësinë e kësaj organizate studentore. Studentët kërkuan dorëheqjen e Beqir Sadikajt, duke mbajtur në duar pankartat me mbishkrimet “baba”.

Erëblin Hoxha, kryetari i Fakultetit të Edukimit, tha se kjo protestë është vetëm një paralajmërim ndaj pakënaqësive që studentët kanë karshi Këshillit Drejtues të UP-së.

“Ne, përfaqësuesit e studenteve shprehim pakënaqësitë tona për mos pavarësinë e Parlamentet Studentor dhe ndikimet që po bëhen si nga brenda universitetit ashtu edhe jashtë tij. Pavarësisht shkeljeve të lehta që janë bërë, shumë prej këtyre shkeljeve vazhdojnë të bëhen nga Këshilli Drejtues në parlamentin tonë është tentuar mocioni i vetëbesimi nga kryetari i këtij organi, mocioni i cili i tëri është i dirigjuar nga njëra prej partive politike por ky mocion dështoi dhe përfaqësuesit e Parlamentit Studentor dhanë mesazhin e njëjtë si të 15 majit dhe prapë nuk janë ndalur synimet e shefave që janë munduar të manipulojnë me këtë mocion, por ne nuk do ndalemi”, tha Hoxha.

Ai tha se kjo protestë është vetëm nismë për disa aktorë pasi që sipas tyre, universiteti është i studentëve dhe nuk duhet ndikuar politikisht.

“Përderisa ndahet buxheti i tepërt për paga dhe mëditje, Fakulteti i Shkencave- Matematiko- Natyrore vazhdon të mos ketë objektin e departamentit të Biologjisë, dhe ende nuk ka përfunduar objekti i ri i Fakultetit të Bujqësisë. Këshilli Drejtues ndikimin politik po mundohet ta shtri në parlamentin studentor duke ndërhyrë në punën e tij dhe duke imponuar pika të rendit të ditës që nuk parashihen në rregulloren e Parlamentit. Kjo protestë është vetëm nismë dhe paralajmërim për disa aktorë, se universiteti është i studentëve dhe nuk duhet ndikuar pavarësisht se kjo i pengon dikujt”, shtoi Hoxha.

Ndërkaq, studenti Erzen Hyseni, foli për kushtet jo të mira të studentëve.

“Objektet në të cilën pothuajse studentët e kalojnë pjesën më të madhe të kohës janë në gjendje të tmerrshme, me përjashtim të disa fakulteteve. Studentët shkojnë për të studiuar dhe rrezikojnë shëndetin e tyre duke qëndruar në ambientet e tilla“, tha Hyseni.

Përfaqësues të rektoratit dolën para studentëve dhe u kumtua lajmi se rektori Marjan Dema nuk gjendet në rektorat, me arsyetimin së ka rast vdekje dhe si të kthehet, do të bashkëbisedoj me studentët për problemet e tyre.

“Ju flas në emër të rektorit, Marjan Dema. Ai ka rast vdekje, është dashur patjetër me qenë në ceremoninë e varrimit. Përndryshe jemi të hapur t’i bisedojmë shqetësimet e tuaja, edhe të bëjmë zgjidhjen më të mirë të mundshme,” tha prorektorja, Myrvete Badivuku para studentëve.

Disa prej studentëve u ftuan brenda në rektorat që të bisedojnë në mungesë të rektorit Demaj.

Pas takimit, kryetari i Parlamentit të Studentëve Arben Elshani u tha studentëve se kanë kërkuar një mbledhje urgjente të Senatit dhe zgjidhje për kërkesat e tyre.

@tn.lajmelokale
@tetovanews