Ballina Aktualitet Kosovë Arratiset “Molla e kuqe”, nuk i përgjigjet Hagës

Arratiset “Molla e kuqe”, nuk i përgjigjet Hagës

Përveç intervistimit të disa prej ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, ftesa për intervistim nga Specialja kanë marrë edhe ish-zyrtarë të tjerë të UÇK-së, por të cilat nuk po bëhen publike. Madje njëri nga avokatët e akredituar të Gjykatës Speciale ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se klientët e tij kanë marrë ftesa për intervistim, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Ftesë nga Gjykata Speciale ka marrë edhe Remzi Shala, ish-pjesëtari i UÇK-së i njohur si “Molla e kuqe”, por që deri më tani Shala nuk është paraqitur askund. Shala në dhjetor kishte pranuar ftesë që më 17 janar të intervistohet në Hagë nga ana e prokurorëve të Gjykatës Speciale. Ai përpos ftesës që ka marrë nga Gjykata Speciale, po gjykohet edhe në Gjykatën e Prizrenit, ku dyshohet se ka kryer krime lufte.

Avokati i tij Natal Bullakaj për “Zërin” ka thënë se me ish-komandantin e UÇK-së nuk ka pasur asnjë kontakt që nga arratisja e tij në muajin dhjetor 2018. “Unë që nga koha kur i është dorëzuar ftesa nuk e kam parë e as nuk e di vendndodhjen e Shalës. E kam udhëzuar atë se nuk bën t’i shmanget kësaj Gjykate, duhet të shkosh e t’i mbrosh vlerat tua dhe të UÇK-së, bashkëluftëtarët e tu e të mos e dëmtosh procesin. Çdo arrati është e dëmshme për ty dhe i dëmton edhe kolegët e tu. Këto ia kam komunikuar para se të niset”, ka theksuar Bullakaj, për “Zërin”.

Bullakaj ka bërë të ditur që para se të arratiset Shala kishte thënë se në asnjë formë nuk do të bjerë në dorën e kësaj Gjykate, pasi lufta që ai ka bërë ka qenë e drejtë. “Të njëjtën ditë ai në prezencë të nipit të vet më ka thënë unë i gjallë në dorë të atyre nuk bie, sepse ka ardhur ftesa në këtë formë, sepse vetë forma ka qenë jokorrekte dhe jokonform dispozitave ligjore. Ata janë sjellë shumë keq dhe Shala e ka përjetuar keq këtë proces, prandaj mori vendim të mos paraqitet, sepse ka thënë që jam i pafajshëm”, ka theksuar Bullakaj.

@tn.lajmelokale
@tetovanews