Ballina Top Lajm Zgjedhje presidenciale dhe parlamentare në pranverë?

Zgjedhje presidenciale dhe parlamentare në pranverë?

Nga Isuf Kadriu, Rel

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni do të mbahen në pranverë. Data e saktë pritet të kumtohet në fillim të muajit të ardhshëm nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, por me gjasë ato do të mbahen në dy rrethe zgjedhore në prill dhe maj.

Megjithatë, dilema kryesore mbetet nëse së bashku me zgjedhjet presidenciale do të mbahen edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat kërkohen nga VMRO-ja opozitare, partitë shqiptare të opozitës, por edhe një pjesë e vetë Lidhjes Social- Demokrate (LSDM) të kryeministrit, Zoran Zaev. Për këtë edhe do të diskutohet në mbledhjen e të premtes të organeve të partisë, nëse do të pranohet ose jo një mundësi e tillë.

Kryeministri Zaev thotë ai personalisht nuk parapëlqen zgjedhje të dyfishta, por do të pranojë nëse një gjë e tillë kalon në organet e partisë.

“Zgjedhjet parlamentare reflektohen ndaj vendimeve që e çojnë përpara vendin, qoftë në ekonomi apo sfera tjera, andaj them që ky vit duhet të jetë ekonomik. Kjo është një nga arsyet se pse nuk duhet të ketë zgjedhje, pasi duhet të kryhen shumë reforma që ndodhen para nesh. Por, në anën tjetër ka vlerësime se kur ka zgjedhje presidenciale pse të mos shfrytëzohet mundësia për marrjen e një mandati të plotë, por edhe për faktin se mbajtja edhe e parlamentareve nuk do të rrezikonte presidencialet, për shkak të frikës për të mos kaluar pragun prej 40 për qind në rast të ndonjë bojkoti të mundshëm. Sidoqoftë, për vendimin final do të diskutohet në organet e partisë”, tha Zaev.

Nga opozita kanë thënë se zgjedhje duhet të ketë, për shkak të siç thonë, “humbjes së kredibilitetit të Qeverisë lidhur me Marrëveshjen për emrin me Greqinë, Ligjin për gjuhën shqipe, gjendjen e rëndë ekonomike, partizimin e gjyqësorit, e çështje tjera”.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), partner kryesor i LSDM-së në Qeveri, thonë se nuk ka nevojë që të mbahen zgjedhje edhe pse ata shprehen të bindur në fitoren e tyre, në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Interes shtetëror për vendin në këtë situatë nuk është organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por nëse të tjerët kërkojnë zgjedhje, BDI-ja është e gatshme t’i përgjigjet çdo përballjeje”, ka deklaruar kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

Njohësit e çështjeve politike thonë se zgjedhjet janë humbje kohe, por rreziku i dështimit të zgjedhjeve presidenciale, por edhe konfirmimi i legjitimimit pas Marrëveshjes për emrin, mund të jetë një nga arsyet që megjithatë në pranverë të ketë zgjedhje të dyfishta. Sasho Klekovski, thotë Qeveria aktuale përballet edhe me kritika tjera.

“Edhe partitë politike, por edhe deputetët që votuan Marrëveshjen e Prespës (Marrëveshja për emrin) nuk kishin legjitimimet që ta bëjnë këtë, pasi nuk ishte paraparë në programet e tyre, pra edhe mund të kontestohet vendimi i tyre.. Duke u nisur nga kjo, por edhe premtimi i pushtetit gjatë fushatës se do të ketë drejtësi për të gjithë, por që u komprometua me amnistinë dhe shumë veprime tjera, flet se premtimi nuk është realizuar. Për këtë dy çështje konsiderojë se mund të kërkohet besimi nga elektorati dhe nëse fitojnë në zgjedhje, atëherë këto çështje do të legjitimohen”, thotë Klekovski.

Partitë, ndërkohë kanë nisur edhe konsultimet lidhur me caktimin e kandidatëve të mundshëm për president, për të zëvendësuar kreun aktual të shtetit, Gjorge Ivanov, i cili në këtë post e ka ushtruar për dy mandate. Partitë në pushtet nuk përjashtojnë mundësinë që të dalin me një kandidat të përbashkët, por për momentin ende nuk ka ndonjë emër si kandidat serioz. Opozita me gjasë do të dalë e vetme dhe për momentin në rrjedh është paraqitja e kandidatëve në konkursin partiak.

@tn.lajmelokale
@tetovanews