Ballina Kronika Si tentoi kanadezi të përdhunonte të miturën nga Hungaria në plazh

Si tentoi kanadezi të përdhunonte të miturën nga Hungaria në plazh

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Turisti kanadez, i cili një ditë më parë tentoi të përdhunojë një të mitur në zonën e plazhit të Durrësit, është rrahur nga banorët e pallateve, pasi këta të fundit kanë kuptuar se ai kishte qëllime të tjera ndaj vajzës.

Ngjarja mund të kishte pasur pasoja edhe më të rënda për 13-vjeçaren, nëse nuk do të ishte parandaluar nga banorët.

Bëhet fjalë për një turiste nga Hungaria, që kishte ardhur për pushime bashkë me familjen në Durrës, e cila ka shpëtuar nga tentativa për përdhunim nga një tjetër turist nga Kanadaja.

50-vjeçari kanadez, Robert Hedorson, mësohet se ka tentuar që ta çojë me forcë në apartamentin që kishte marrë me qira në zonën pranë bregdetit, shkruan “Panorama”.

Ngjarja ka ndodhur mesditën e së mërkurës në zonën e plazhit në Durrës, në lagjen Nr. 13 të qytetit bregdetar. Policia e Durrësit, e cila ndërhyri në kohë, arriti të ndalonte 50-vjeçarin nga Kanadaja, cili prej disa ditësh ndodhej në Durrës me pushime.

Turisti kanadez në spital

Mësohet se ka pasur përpjekje për ta përdhunuar vajzën e mitur, e cila gjithashtu ndodhej me pushime me familjen e saj. Gjithçka ka zgjatuar vetëm disa çaste, pasi ka qenë vetë 13-vjeçarja që ka kërkuar ndihmë në momentin që kuptoi se 50-vjeçari kishte qëllime të tjera.

Shtetasi i ndaluar tashmë i kishte kërkuar vajzës t’i tregonte se ku ndodhej vendi që ai do të shkonte, duke qenë se ajo dinte të fliste anglisht. Pasi qëndruan për disa minuta bashkë, ai i kishte kërkuar ta shoqëronte deri tek një apartament, sepse druante se mund të humbte rrugën. Me shumë mirësjellje, vajza 13-vjeçare e ka shoqëruar deri pranë apartamentit që ndodhet në një nga pallatet e zonës së plazhit të Durrësit.

Por, në momentin që kishin mbërritur pranë këtij pallati (që është edhe zonë disi e fshehur), 50- vjeçari Robert Hedorson i ka kërkuar ta shoqëronte deri tek apartamenti. Në momentin që vajza ka refuzuar të ngjitej bashkë me 50-vjeçari në apartament, ai e ka kapur për dore duke përdorur forcë për ta futur në hyrjen e pallatit.

Në këtë moment, vajza ka bërtitur duke kërkuar ndihmë. Për fatin e saj të mirë, aty pranë ndodheshin disa banorë të zonës, të cilët janë afruar për t’i dhënë ndihmë vajzës së mitur. Ndërkohë, nga ana tjetër, 50-vjeçari ka tentuar të largohej me shpejtësi.

Banorët, të shumtë në numër, e kanë kapur dhe më pas kanë ushtruar dhunë mbi turistin kanadez. Më pas, ata lajmëruan Policinë, e cila në pak minuta bëri të mundur ndalimin e 50-vjeçarit, i cili më pas u mor në pyetje në Komisariatin e Policisë Durrës.

Policia ka vënë në dijeni edhe ambasadën kanadeze, me qëllim marrjen e informacioneve rreth personalitetit dhe së shkuarës së tij, detaje që do të ndihmojnë në hetimin e rrethanave të ngjarjes pasi turisti pretendon se nuk ka kryer asnjë veprim kundër vullnetit të vajzës së mitur.

Gjithashtu, Policia ka sekuestruar dhe kamerat e sigurisë në zonën pranë pallatit për të parë nëse janë regjistruar veprimet e kryera nga 50-vjeçari ndaj vajzës nga Hungaria.

Ndërkohë, pas prangosjes, turisti kanadez u dërgua për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Durrësit për shkak të dëmtimeve që iu shkaktuan nga goditjen e banorëve të zonës, të cilët ndërhynë pas të bërtiturave të vajzës së mitur.

Turisti kanadez: Veprimi im u keqkuptua

Turisti kanadez, Robert Hedorson, gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit, ka mohuar të ketë tentuar të përdhunojë vajzën e mitur, duke deklaruar se 13-vjeçarja e ka keqkuptuar, pasi me veprimet e tij nuk kishte për qëllim ta përdhunonte.

“Nuk është absolutisht e vërtetë. Unë i kërkova të më shoqëronte dhe në momentin që mbërrita në destinacion, e falënderova duke e përqafuar. Ky gjest u keqkuptua nga vajza dhe bërtiti duke kërkuar ndihmë. Kjo është e gjitha. Në momentin që vajza bërtiti, u afruan disa qytetarë dhe më goditën”, mësohet të jetë shprehur ndër të tjera 50-vjeçari, Hedorson.

Ndërkohë, vajza nga Hungaria është marrë gjithashtu në pyetje në prani edhe të një psikologu. Ajo ka pohuar se 50-vjeçari ka tentuar ta fuste forcërisht në apartamentin që kishte marrë me qira në zonën e plazhit në Durrës. Mësohet se shtetasi kanadez qëndronte prej disa kohësh në qytetin e Durrësit për pushime.