Ballina Kosovë Kurtit s’i ngutet dialogu, Washingtoni kërkon të nisë menjëherë

Kurtit s’i ngutet dialogu, Washingtoni kërkon të nisë menjëherë

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, që doli i pari në zgjedhjet e gjashtë tetorit, si duket nuk do të pajtohet me Washingonin sa i përket rëndësisë që duhet t’i jepet zhbllokimi i dialogut Kosovë – Serbi. Derisa Kurti tha se dialogu nuk është në krye të listës së tij, Departamenti amerikan i shtetit po kërkon që ai të nisë sa më shpejt, shkruan Gazeta Express.

Në deklaratën e parë pas përfundimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë, një zëdhënës i departamentit të shtetit tha se SHBA pret që udhëheqja e re të fillojë menjëherë bisedimet me Serbinë, për të gjetur një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve.

“Ne mirëpresim mundësinë të punojmë me një qeveri të re pro-dialog, që të jetë e angazhuar për forcimin e demokracisë dhe paqes, për drejtësi dhe mirëqenie për gjithë qytetarët e Kosovës. Ne kemi qenë të qartë për pritshmërinë tonë, që udhëheqja e re e Kosovës të jetë e gatshme të rifillojë menjëherë bisedimet me Serbinë dhe të punojë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve”, tha një zëdhënës i departamentit të shtetit.

Për rëndësinë që ka përparimi në dialogun Kosovë-Serbi, diskutoi me Kurtin dje dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, në vizitën që ky i fundit e pati në selinë qendrore të VV-së.

Mirëpo, Kurti si duket nuk po ngutet aq shumë sa i përket zgjidhjes së situatës me dialogun. Në një intervistë për AP, kreu i VV-së tha se negociatat Prishtinë – Beograd nuk janë në krye të listës së tij.

“Nuk mund të jetë në prioritetet kryesore në ditën e parë të punës sime si kryeministër”, deklaroi Albin Kurti.

I njëjti, ndërkaq, sa i përket dialogut tha se qysh në javën e parë do të nisë dialogun me serbët e Kosovës, duke paralajmëruar bisedime nga poshtë lart.

“Sa i përket dialogut me Serbinë qysh në javën e parë si kryeministër unë do të filloj dialogun me serbët e Kosovës, dialog prej poshtë lart dhe përveç kësaj dialog për zhvillim e për integrim, jo për pajtim. S’më ka bërë gjë mu serbi nga Graçanica, pajtimi bëhet kur Serbia e pranon pavarësinë e Kosovës edhe na i paguan dëmet e luftës nuk kemi pse pajtohemi me serbin e Graçanicës”, ka thënë Kurti.

Dialogu Kosovë – Serbi po qëndron pezull qyshkur në Kosovë qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj vendosi taksë 100 për qind për të gjitha produktet serbe e boshnjake. /GazetaExpress/