Ballina Aktualitet Intervista Bisedë me Depardieu: Shqipërinë e njoh nga koha e përbindëshit Milosheviq, Europa...

Bisedë me Depardieu: Shqipërinë e njoh nga koha e përbindëshit Milosheviq, Europa po merr tatëpjetën (VIDEO)

A2: Mirëserdhët në Shqipëri dhe faleminderit për këtë bisedë. Besoj që e vizitoni vendin tonë për herë të parë…

Depardieu: Po është hera e parë që vij në Shqipëri. E njoh Shqipërinë që nga koha e luftës së Kosovës, kur shihja që shqiptarët kalonin malet plot me dëborë për të ardhur këtu, kur kishte luftë. Ishte koha e monstrës Milošević, e për këtë jemi këtu për filmin “Unë dhe Milošević”. Kemi këtu një Milošević, jo të vërtetë, një aktor me maskë.

Por, më pëlqeu shumë Shqipëria. Mua më pëlqen Ballkani, Shqipëria, Serbia. E di që Serbia kishte Milošević, por mua më pëlqen vendi, Ballkani, jo politika. Europa po merr tatëpjetën, me Brexit dhe me gjithë situatën ku ndodhet tani, nuk është mirë. Duhet të ketë një unifikim të Ballkanit.

Kur zoti Macron nuk ishte pro hapjes së negociatave për Shqipërinë, kjo tregon sërish se Bashkimi Europian nuk është mirë aktualisht, por nëse ju jeni të fortë mund të unifikoheni në një bashkim ballkanik dhe unë shpresoj që kjo të ndodhë në vitet e ardhshme, ju mund të jeni më të fortë.

Edhe filmi që e solli në Shqipëri, merr jetë nga ngjarjet në Ballkan. Gjirokastra dhe Tirana janë vendet që ka zgjedhur regjisori Arben Kastrati për të xhiruar në Shqipëri. Për A2, ekipi zbulon fare pak, për këtë film, një histori sa tragjike po aq edhe komike që prek shqiptarët e Kosovës, pasi lufta ka përfunduar. Gerard Depardiu ka në këtë film një rol të veçantë. Ai është në mbrojtje të personazhit kryesor të këtij produksioni.

A2: Çfarë mund të na thoni për karakterin tuaj në filmin që po xhironi?

Depardieu: Ai është një avokat, por duhet të pyesni Arbenin se çfarë do të bëjë me këtë personazh. Sepse ai e ka jetuar luftën e Kosovës, dhe periudhën pas lufte. Ajo që nuk kuptoj unë në trekëndëshin Kosovë-Serbi-Shqipëri, edhe tani pas lufte, është se nuk mund ta lënë pas atë që ndodhi dhe të bashkohen, ndoshta edhe në një union ballkanik siç thashë më herët. Është njëlloj si historia e Nazizmit, e gjermanëve apo idetë diktatoriale sovjetike. Këto janë biseda diktatoriale, të dala nga moda. Janë njëlloj nazizmi, diktatura, apo njëlloj si konfliktet e besimeve fetare. Prandaj është mirë që të gjejmë filozofinë në besimin që kemi.

A2: Meqenëse jemi duke folur për politikën, gjatë qëndrimit tuaj në Tiranë, jeni takuar me Kryeministrin e Shqipërisë dhe atë të Kosovës. Për çfarë u fol në Kryeministrinë shqiptare?

Depardieu: Edi është politikan, por së pari ai është artist. Më pas ai u takua me politikën dhe e ndjeu veten shumë mirë. Është një opsion shumë i mirë të kesh një shpirt artisti dhe të bësh politikë me këtë frymë. Por, mua nuk më pëlqen politika. Më pëlqeu Edi, por me të nuk fola për politikë.

Unë kam takuar shumë personalitete politike, por nuk flas me ta për politikë. Erdha këtu, ata më ftuan për një darkë dhe unë shkova. Ata më folën për vendet e tyre, për historinë dhe për luftën që kishin kaluar. Ishin shumë të tronditur nga lufta, dhe në fakt të gjithë tronditen nga lufta. Por unë mendoj se pas lufte duhet të bëheni të fortë për të ndërtuar një union ballkanik. Shpresoj të jetë kështu.

Gerard Depardieu u bë polemist, që kur kërkoi të largohej nga Franca, vendi ku kishte lindur, sepse nuk ishte dakord me shumë taksa të qeverisë së asaj kohe. Refuzoi të jetojë në Francë dhe përjetoi atë kohë akuza nga më nacionalistët. Shumë francezë nisën ta konsideronin atë tradhtar. Fillimisht, jetoi në Belgjikë, por më vonë, një tjetër mundësi i mbërriti nga Vladimir Putin. Ai do të mund të jetonte më i lirë në Rusi. Sot Depardieu ka një pasaportë ruse dhe tregon se ndihet qytetar i gjithë botës.

A2: Ju zgjodhët që të bëheshit rus, pak vite më parë. Ishte një zgjedhje për të qenë më i lirë?

Depardieu: Hollande më përzuri nga Franca, ndërsa Putin më mirëpriti. Me të bëra një bisedë interesante për politikën dhe sot ndihem i lirë të flas për gjithçka që dua. Putin është mjaft i zgjuar dhe unë ndihem I lirë.

A2: Pra, kjo ka qenë një zgjedhje e juaja për të qenë më i lirë si qytetar?

Depardieu: Unë jetoj tani në Rusi, dhe ndihem sikur kam pasaportën e gjithë botës. Dhe unë e konsideroj veten si qytetar të të gjithë botës. Unë nuk i gjykoj politikat. Unë mund të them se nuk jam dakord me Erdogan, pasi mendoj se ai po bëhet një Kalif tjetër, kjo është shumë e vështirë, unë nuk arrij ta kuptoj, por s’kam çfarë t’i bëj politikës.

Por Turqia është diçka tjetër. E kam vizituar atë dhe kam gjetur një vend shumë të bukur. E kam studiuar historinë e Perandorisë Osmane, njëlloj si atë Romake. Por tani jemi në vitin 2020 dhe është koha që ne të përpiqemi ta kuptojmë njëri-tjetrin më mirë. Dhe kjo më pëlqeu te Edi, ashtu sikurse më pëlqen Aleksandri i Serbisë.

Depardieu ka pasur një shpirt rebel që nga fëmijëria. Ka dashur gjithnjë t’i largohet situatave dhe ngjarjeve që ngatërrojnë jetën. Kjo mendon ai, se e ka bërë më të fortë dhe njeriun që është sot.

A2: Ju keni braktisur shkollën në moshën 13-vjeçare dhe u larguat nga shtëpia për të shkuar në Paris kur ishit vetëm 16 vjeç. Një ditë në një sallë teatri ju vendosët të bëheshit aktor. Çfarë ndjesie ju ka shtyrë drejt aktrimit?

Depardieu: Jo, nuk doja, madje nuk kam ëndërruar asnjëherë të bëhem aktor. Doja vetëm të flisja e të dëgjohesha. Desha të mësoja se si të flisja. Duke lexuar dhe duke folur mund të dëgjohesha, mund të ngrija zërin. Dhe aty gjeta fjalët dhe ekuilibrin tim. por, nuk ëndërroja të bëhesha aktor.

Kishte shumë filma të bukur atëherë, shumë filma, regjisorë dhe aktorë të mirë atëherë, si kinemaja italiane me Marcello Mastroianni, Marco Ferreri, Mario Monicelli, Alberto Sordi, dhe shumë e shumë të tjerë, edhe Franca kishte shumë. Por tani filmat e mirë nuk ekzistojnë më. Përveç disa serialeve. Sot na ka mbytur teknologjia. Kjo gjëja këtu i ka vjedhur të rinjve trurin, dhe sot të rinjtë nuk dinë të lexojnë, të shkruajnë e të flasin. Nuk ka asgjë të keqe t’i përdorim kompjuterët, por nuk është mjaftueshëm.

A2: Mendoj se një nga filmat më të mirë që keni realizuar është “Green Card”. Mendoj se pjesa ku ju luani piano është skena më e fuqishme që mund të realizojë një aktor. Në fillim nuk doni të luani në piano dhe unë si publik gjendem në një gjendje ankthi. Sapo personazhi, George, nis të luajë, pa diskutim shkakton të qeshura. Por, menjëherë pas kësaj George nis të luajë piano dhe të recitojë. Këtu nis përlotja. Në një skenë që zgjat më pak se 5 minuta publikun e ushqeni me 3 gjendje të ndryshme emocionale…

Depardieu: “Green Card” është vërtet një nga filmat specialë të Peter Weir, një regjisor australian që nuk i pëlqente shoqëria amerikane, madje as klasa e mesme e kësaj shoqërie. As unë nuk e dua shoqërinë amerikane. Janë gati të akuzojnë për çfarëdolloj gjëje, shumë aktorë kishin një jetë të shthurur, gratë pinin shumë. Janë një shoqëri pa histori.

A2: Unë kam dashur gjithnjë të ndryshoj fundin e filmit “Konti i Monte Kristos”. Ju ka ndodhur të dëshironi një fund tjetër për ndonjë nga filmat ku luani?

Depardieu: Jo tamam ndryshimin e një filmi. Do të doja të kishte falje. Alexander Dumas e ka përshkruar Kontin e Monte Kristos shumë të nxirë, të veshur jo mirë, duke tymosur, një figurë e nxirë… gati për hakmarrje dhe hakmarrja është shumë e bukur për kinematografinë, por mënyra më e mirë për të jetuar është të falësh dhe të jetosh i qetë. Këtë do ndryshoja. Sa më shpejt të mbyllësh hesapet me hakmarrjen, është më mirë. Dashuria është zgjidhja. Pas hakmarrjes duhet të mbetet veç dashuria për të filluar një jetë të re.

A2: Ju keni një dashuri të madhe për ushqimin, për gastronominë…

Depardieu: Është pjesa më e bukur e jetës. Unë e dua. Por jo si ekologjist. Të gjithë duhet të arsimohen dhe të edukohen për ta respektuar natyrën, por jo të na japin leksione për ushqimin. Unë nuk i dëgjoj ato, nuk i besoj, dhe bëj si di sepse ushqimi është i shenjtë dhe I shijshëm…

A2: Gjithçka është bërë për t’u shijuar…

Depardieu: Kur sheh në Algjeri që plastika ka pushtuar gjithçka, kjo gjë është shumë e gabuar unë e kuptoj. Atëherë kuptoj se natyra duhet respektuar. Por për ushqimin nuk ke pse jep leksione natyre. Nëse dëshiron ta respektosh, bëje me vepra jo me fjalë. Vepro.

A2: Ky pasion i juaj për ushqimin ka lindur që në moshë të vogël atëherë kur në tavolinë nuk kishit shumë. Si mund ta përkufizonit jetën tuaj që nga fëmijëria?

Depardieu: Liri. Unë kam qenë gjithnjë në përpjekje për të mbijetuar. Nuk kam pasur edukimin e duhur kur duhej. Nëna ime ishte gjithnjë shtatzënë. Nuk kishte kohë për ne. Lashë shtëpinë në moshën 13-vjeçare dhe e vetmja gjë për të cilën mendoja ishte si të mbijetoja. Kam shkruar shumë në librin tim për këtë histori. Jeta është e ndërlikuar kur gjyshi nga nëna bën dashuri me gjyshen nga babai dhe fëmijët e tyre janë bashkë. Unë jetoja në një familje të tillë dhe kur ika, shpëtova. Isha gjallë, papritur. U rrita me mendjen e një të mbijetuari. Mësova pastaj se si të mbijetoja. Dhe pikë së pari duhet të qeshësh.

A2: Keni shkruar, por cili është libri juaj i preferuar?

Depardieu: Libri im i preferuar… Në fakt janë shumë. Ju përmendët Dumas, Monte Kriston. Ai është një prej tyre, por unë lexoj shumë dhe nuk di të përmend një. Lexoj shumë libra filozofikë dhe ato të besimeve. Librin e hebrenjve, të babilonasve, Biblën, edhe pse nuk pëlqej Gjenezën. Testamentin e Vjetër, nuk e pëlqej shumë, por lexoj shumë libra të tillë, ku budizmi apo një filozofi e jetës ndërthuret me besimin fetar. Sidhartha dhe libra si këto… Këtu ju keni gjithashtu një shkrimtar të madh. Ismail Kadare, është një shkrimtar i madh.

A2: Ju vetë besoni vetë në një Zot?

Depardieu: Jo, nuk besoj. Unë besoj se Zoti është brenda secilit prej nesh. Unë mendoj se filozofia e hebrenjve, unë bëhem zot i vetes, është e sakta. Kabhal thotë kështu. Unë mendoj se ka një fuqi, por nuk besoj në Zot.

A2: A jeni penduar për ndonjë gjë në jetë?

Depardieu: Jo, edhe nëse jam penduar për ndonjë gjë ndonjëherë, unë nuk jam kthyer pas. Sepse nëse pendohesh atëherë t’i mbetesh në të shkuarën dhe unë nuk i jam kthyer asnjë pendese. Unë jam optimist. Kaq.

A2: Keni pasur shumë të dashura, jeni martuar tre herë…

Depardieu: Jam martuar vetëm një herë zyrtarisht, por kam pasur tri marrëdhënie serioze.

A2: Cila është gruaja juaj ideale?

Depardieu: Të gjitha femrat janë ideale.

A2: Përgjigja juaj më pëlqeu shumë.

Depardieu: Faleminderit që ishit këtu, faleminderit për intervistën.

 

@tn.lajmelokale
@tetovanews