Ballina Kultura Shuhet në moshën 84-vjeçare profesor dr. Mehmet Çeliku, gjuhëtari i njohur shqiptar,...

Shuhet në moshën 84-vjeçare profesor dr. Mehmet Çeliku, gjuhëtari i njohur shqiptar, autor i 200 teksteve

Ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare Prof. Dr. Mehmet Çeliku.

Profesor Çeliku ishte një gjuhëtar i shquar dhe titullar i disa lëndëve gjuhësore.

Ai ishte gjithashtu bashkëpunëtor i Akademisë së Shkencave dhe ish-rektor i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, në Elbasan.

Prof. Dr Mehmet Çeliku ka lënë pas një gamë të gjerë librash, pasi është autor i plot 200 teksteve gjuhësore

Jetëshkrim për prof. dr. Mehmet Çelikun:

Profesor Mehmet Çeliku u lind në Elbasan në 15 janar 1936. Shkollën e mesme e kreu në Elbasan dhe më pas studioi për gjuhë-letërsi në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori-Filologji. Me mbarimin e studimeve universitare, filloi punë si bashkëpunëtor shkencor në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë nga viti 1958 deri në 1973, vit kur nisi edhe punën në Universitetin e Elbasanit, në atë kohë Instituti i Lartë Pedagogjik “A.Xhuvani”.

Profili shkencor në Akademi i profesor Çelikut ishte dialektolog. Gjatë 15 viteve të punës në këtë institucion ai hulumtoi mbi njëqind pika të banuara dhe studioi të folmet e gegërishtes jugore dhe të folmet kalimtare. Ishte bashkëhartues i Gramatikës së Akademisë, vëllimi II, si dhe pedagog i jashtëm në Universitetin e Tiranës.

Në vitin 1973 prof. dr. Mehmet Çeliku emërohet si pedagog në ILP “A.Xhuvani”, mori detyrën e përgjegjësit të katedrës së gjuhës, letërsisë dhe gjuhëve të huaja, dhe e drejtoi atë për 19 vjet, deri në vitin 1992, duke i dhënë kësaj njësie një profil të qartë kërkimor shkencor, por edhe një mësimdhënie të nivelit universitar të denjë për traditën e qytetit të Elbasanit. Ai punoi për 41 vite në këtë universitet deri në fund të punës së tij si mësimdhënës universitar.

Mehmet Çeliku ishte titullar i disa lëndëve gjuhësore, si: morfologji, sintaksë, dialektologji, shqipe standarde dhe i tri kurseve speciale në fushë të gjuhës (ku trajtoi probleme të morfologjisë, çështje të normës gramatikore, format e pashtjelluara të foljes); disa nga lëndët dhe kurset e tij janë zhvilluar edhe në Universitetin e Tiranës, por edhe në universitete të tjera të vendit (Gjirokastër, Tetovë etj.).

Ishte rektori i Universitetit “A. Xhuvani” Elbasan nga viti 1992 deri në 1996.

Përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor dhe gjuhës shqipe e vijoi në Elbasan me të njëjtin intensitet si në vitet e Akademisë dhe në vitin 1980 mori titullin “Kandidat i shkencave” me disertacionin “Gegërishtja jugperëndimore”; në vitin 1984 mori titullin “Docent”; në 1990 mori titullin “Doktor i shkencave” me disertacionin “Format e pashtjelluara të foljes në gjuhën e sotme shqipe”; në vitin 1994 mori edhe titullin “Profesor”.

Gjithashtu ai është nderuar edhe me titujt “Punonjës i shquar i shkencës dhe i teknikës” (1987), “Mësues i Popullit” (1993), dhe “Qytetar nderi” i Elbasanit (2006).

Veprimtaria botuese e profesor M.Çelikut përmbledh rreth 200 zëra (libra, monografi, përmbledhje, tekste universitare, artikuj, referate, kumtesa), me mbi 3500 faqe të botuara.

Projekti i fundit në duart e profesorit, me të cilin kishte disa vite që po punonte, ishte “Parafjalët e gjuhës shqipe (vështrim morfo-sintaksor)”, 380 faqe dorëshkrim i daktilografuar.

Artikujt e botuar në organe shkencore janë të shumtë (131 tituj) dhe po ashtu të shumta janë edhe pjesëmarrjet e tij në konferenca brenda dhe jashtë vendit.

Në 31-31 tetor 2015 Universiteti i Elbasanit organizoi një konferencë shkencore mbarëkombëtare me titull “Mehmet Çeliku – personalitet i gjuhësisë shqiptare”, ku morën pjesë 61 kumtues me 53 kumtesa nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut.