Ballina Top Lajm “Efektivët shqiptarë shpëtuan 5-vjeçarin nën rrënoja”, koloneli tregon si paraqitet situata pas...

“Efektivët shqiptarë shpëtuan 5-vjeçarin nën rrënoja”, koloneli tregon si paraqitet situata pas tërmetit shkatërrues në Turqi

Më shumë se 9,500 njerëz janë vrarë dhe dhjetëra mijëra të tjerë janë plagosur në tërmetin shkatërrues që goditi Turqinë dhe Sirinë në orët e para të mëngjesit të së hënës. Në kërkim të të mbijetuarve, vendi ynë Shqipëria ka dërguar grupet e kërkim-shpëtimit.

Prandaj, në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit” nga Malatya, drejtori i Inspektoriatit Shëndetësor Të Forcave Të Armatosura, Kolonel Elton Reso, ka treguar se si paraqitet situata në atë zonë. Ai ka treguar se grupi shqiptar ka bërë të mundur gjetjen e një fëmije të mbijetuar dhe fatkeqësisht të shumë viktimave.

Sipas Resos, sfidat që kanë hasur janë dy: ndërhyrja në kohë për shpëtimin e njerëzve që ndodheshin në rrënoja dhe kushtet atmosferike.

“Jemi nisur më datën 6 nga Tirana dhe më datën 7 kemi qënë në Malatya. Aktualisht ne jemi një staf prej 72 vetash i përbërë nga personel efektiv i forcave të armatosura. Dy personel të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe 5 nga Ministria e Energjitikës.

Të them të drejtën, një panoramë vërtetë shkatërruese. Që nga mbërritja jonë e parë në këtë qytet, vetëm rrënoja, një pallat në këmbë, 2-3 pallate të rrënuara. Një tërmet vërtet shkatërrimtar, ngjan me luftën, mbase çik më keq se lufta, duke përfshirë këtu kushtet atmosferike që janë më të rënduara, pasi temperaturat nuk i kalojnë mbi 0 gradë. Kjo e ka vështirësuar më tepër punën tonë, por ekipin ka punuar pa u lodhur.

Sfidat që kemi hasur janë dy: ndërhyrja në kohë sepse thash që kishte shumë ndërtesa të shkatërruara dhe duhet të ndërhyrje në disa ndërtesa në të njëjtën kohë për të rritur shanset, për shpëtimin e njerëzve që ndodheshin në rrënoja. Edhe nga ana tjetër, që e përmenda më herët, kushtet atmosferike.

Aktualisht, efektivët tanë të kërkim-shpëtimit kanë shpëtuar një fëmijë që me mbërritjen tonë të parë, të cilën e kemi deklaruar. Bëhet fjalë për një fëmijë rreth 4-5 vjeç. Ishte një emocion shumë i madh, por ekipet tona kanë nxjerr fatkeqësisht edhe shumë viktima. Kërkimet vazhdojnë, mrekullitë ekzistojnë, por në këtë zonë duket se po i vjen fundit, pasi pothuajse në të gjitha ndërtesat janë bërë kërkimet. Mbi 90% është ndërhyrë në ndërtesat e shkatërruara”, tha ndër të tjera ai./abcnews.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews