Ballina Aktualitet Pas përurimit të rrugës “Adem Demaçi” në Çair, Albin Kurti viziton Tetovën...

Pas përurimit të rrugës “Adem Demaçi” në Çair, Albin Kurti viziton Tetovën (VIDEO+FOTO)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka vizituar Komunën e Çairit me rastin e përurimit të rrugës “Adem Demaçi”, që paraprakisht është quajtur “Brigada e Maqedonisë”. Ai tha se emërtimi i një rruge me emrin Adem Demaçi në Shkupin ku ka ende emra rrugësh dhe shkollash të diktatorit Josip Broz Tito është akt këmbënguljeje në përpjekjet e një populli për liri, njofton Portalb.mk.

Para të pranishmëve, Kurti tha se në Kosovë ka disa rrugë që e mbajnë emrin Adem Demaçi, por siç tha emërtimi i një rruge me emrin Adem Demaçi në Komunën e Çairit të Maqedonisë së Veriut ka rëndësi të veçantë.

“Sepse emërtimi i një rruge nuk është thjeshtë evidentim i një hapësire të lëvizjes, por edhe shenjim i një kohe me një emër. Cila është kjo kohë dhe cili është ky emër që nga sot e tutje do ta shënjojë këtë rrugë? Është koha kur gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, shqiptarët në ish Jugosllavi ishin komuniteti etnik më i shtypur dhe më i diskriminuar në Evropën e Pasluftës së Dytë Botërore. Atë periudhë, shqiptarët, si në Kosovë, ashtu edhe këtu në Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës e jetuan regjimin diktatorial të Jugosllavisë njësoj. Mes përndjekjesh politike dhe burgjesh, shpërngulje dhe emigrimeve, mes dëbimeve nga puna dhe mbylljeve të shkollave, me nënpërfaqësim politik dhe pabarazi sociale, me liri të cunguara kombëtare, qytetare dhe të drejta të shkelura të njeriut. Meqë është koha që i prodhon njerëzit, ajo kohë është e shtypjes së shqiptarëve, mes shqiptarëve e prodhoi një simbol të lirisë, bacin Adem Demaçi”, tha kryeministri Kurti.

Duke folur për kohën kur Demaçi u arrestua në vitin 1963, pasi në Shkup do të arrinin dy ish liderët komunistë Tito dhe HrushovKurti tha se emërtimi i një rruge me emrin e Demaçit, është akt këmbëngulje në përpjekjen e shqiptarëve për liri.

“Më 22 gusht të vitit 1963, Shkupin e goditur nga tërmeti kishin ardhur ta vizitonin së bashku dy liderë diktatorë, Josip Broz Tito i ish Jugosllavisë dhe Nikita Hrushovi i ish Bashkimit Sovjetik. Në kuadër të përgatitjes për vizitën e tyre, me frikën se ajo do të mund të prishej, autoritetet jugosllave të kohës, aparati shtetëror represiv i së cilës udhëhiqej nga Aleksandar Rankoviqi, ishin kujdesur që paraprakisht ta burgosnin Adem Demaçin. Shtypësit dhe mohuesit e lirisë nuk mund të parakalonin lirshëm në një vend ku liria kishte për sinonim edhe një emër të përvetshëm të njeriut, emrin e Adem Demaçit. 60 vite më pas, në Maqedoni ka ende rrugë dhe shkolla me emrin Josip Broz Tito, andaj emërtimi i një rruge me emrin Adem Demaçi është edhe një akt këmbëngulje në përpjekjen e pafundme të një populli për liri”, tha Kurti.

Pas përurimit të rrugës, Kurti ka vazhduar vizitën në Tetovë ku është takuar me kryetarin e kësaj komune, Bilall Kasami.

Kurti u mirëprit në fshatin Vicë të Tetovës edhe nga banorët lokal, ku u shoqërua edhe nga kryetari i Tetovës, Kasami.

“Ardhja jonë këtu është edhe mirënjohje për banorët e fshatit që vazhdojnë këtu të mos e lëshojnë fshatin. Zhvillimi ekonomik dhe ndërtimi i infrastrukturës nuk duhet të jetë i rezervuar për zonat urbane, për qytetet dhe qytezat, por duhet të bëhet edhe zhvillim rural”, deklaroi Kurti.

Kurti i falënderoi banorët për pritjen e ngrohtë të banorëve të Vices.

“Në bazë të llogaritjeve, nuk është ndonjë kosto e lartë, është një kosto e përballueshme. Por kthimi në këtë investim është i jashtëzakonshëm, pasi shkurtohet rruga dhe fitohet koha.”, deklaroi Kurti.

Në paraqitjen për media, Kasami kërkoi nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut të angazhohet seriozisht për këtë rrugë siç po bën Qeveria e Kosovës.

“Variantin të cilin e kemi përzgjedhur me tunelin më të gjatë, me 6.4 kilometra. Arsyeja është që kjo rrugë të mund të funksionojë edhe në kushte të vështira të dimrit, kur ka reshje të mëdha të borës. Kemi shkuar variantin me tunelin më të gjatë, por me lartësinë mbidetare më të ulët”, deklaroi zëvendësministri nga Kosova, Hysen Durmishi.

Sipas agjendës, në mbrëmje në sheshin “Ilira”, do të ketë koncert kushtuar ardhjes së Kurtit, ku do të këndojë Elita 5 dhe do të ketë performancë nga SH.K.A.SH. “Xheladin Zeqiri”, fjalë rasti do të ketë edhe Kurti.

Kujtojmë që në fund të muajit prill të këtij viti, për vizitë në RMV dhe këto dy komuna ishte edhe presidentja e Kosovës – Vjosa Osmani.

@tn.lajmelokale
@tetovanews