Ballina Aktualitet VIDEO/“Alternativa” për reagimin e Pendarovskit: Po i vardiset BDI-së dhe po ia...

VIDEO/“Alternativa” për reagimin e Pendarovskit: Po i vardiset BDI-së dhe po ia bën me sy albanofobëve si Apasiev

Partia Alternativa ka reaguar ndaj Presidentit Stevo Pendarovski, i cili kërkoi inspektim dhe sanksionimin e organizatorëve të ngjarjeve në Shkup e Tetovë, ku u prit kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ku në Tetovë u pa flamuri “Autoktonous” nga ana e publikut, ndërsa në Çair një rrugë u riemërua në “Adem Demaçi”. Zëdhënësi i Alternativës, Orhan Murtezani, tha se Pendarovski, duke u frikësuar se Kovaçevski e Apasievi po ia zënë vendin e albanofobit, edhe ai doli në skenë për të kërkuar përgjegjësi juridike.

“Sa i takon shqetësimit të presidentit Pendarovski, na duhet të theksojmë se ai me këtë reagim, duke e sulmuar Albin Kurtin, si duket i vardiset BDI-së që ta mbështesë edhe për një kandidaturë. Përveç kësaj, si duket, ai ka dëshirë t’ia bëjë me sy Apasievit dhe nacionalistëve albanofobë maqedonas se është besnik “i tyre” dhe, së fundi, por më e rëndësishmja, ai përmes këtij reagimi si duket ka dashur t’ia dëshmojë edhe Aleksandar Vuçiqit se është gati ta përsërisë refrenin e tij sa herë që ai shprehë mesazhe antishqiptare”, tha Orhan Murtezani, zëdhënës Alternativa.

Ndryshimi i emrit të rrugëve e shqetëson edhe VMRO-DPMNE-së. Për këtë ata akuzojnë se procesin e ka nisur Qeveria Zaev, e pastaj me votim të Kovaçevskit, e me propozim të Shilegovit në vitin 2021, “Brigada e dytë sulmuese maqedonase” u ndryshua në “Adem Demaçi”.

“E të nderuar, Kovaçevski le të thotë nëse sot i vjen turp për “Adem Demaçin”, në vend të “Brigadës së dytë maqedonase” dhe tani fshihet dhe manipulon, kërkon që Çairi të ndërtoka rrugë nëse duan ta mbajë emrin Adem Demaçi”, pohoi Naum Stoillkovski, zëdhënës VMRO-DPMNE.

Përndryshe, presidenti Stevo Pendarovski dje përmes një postimi në Facebook, ka kërkoi hetim dhe sanksionimin e organizatorëve të ngjarjeve në Çair e Tetovë, ku u prit kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pasi sipas tij janë shkelur ligjet për përdorimin e flamujve dhe është injoruar flamuri i Maqedonisë së Veriut. Duke i reaguar për këtë, kreu i Tetovës Bilall Kasami dje u shpreh se pushteti tashmë po e ndjen frikën nga opozita e bashkuar shqiptare. Nga ana tjetër, kryetari i Çairit nuk ka bërë asnjë reagim, madje as sot, ndonëse sërish TV21 kërkoi qëndrim prej komunës.

Ndaj Pendarovskit ka reaguar edhe ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha. Në një postim në Facebook, u shpreh i lënduar ndaj deklaratave të presidentit Pendarovski për emërtimin e një rruge në Çair me emrin Adem Demaçi. Sipas Berishës reagimi i Pendarovskit është i nxituar dhe lëndues për çdo qytetar liridashës të rajonit. Berisha shkruan se Demaçi me qëndresën e tij epike 28 vjeçare në burgjet dhe kampet e Jugosllavisë komuniste, titiste është një tribun i vërtetë lirie jo vetëm për shqiptarët, por dhe për maqedonasit, malazezët, kroatët, serbët, boshnjakët e slloven dhe të gjithë qytetarët liridashës të të gjitha kombeve që përjetuan shtypjen e egër të regjimeve totalitare komuniste.

@tn.lajmelokale
@tetovanews