Ballina Top Lajm Dy vjet nga tragjedia e autobusit në Bullgari ku humbën jetën 45...

Dy vjet nga tragjedia e autobusit në Bullgari ku humbën jetën 45 shtetas të Maqedonisë së Veriut

Sot bëhen dy vjet nga aksidenti fatal i autobusit Besa Trans në autostradën e Strumës, në të cilin humbën jetën 45 shtetas të Maqedonisë së Veriut, kurse u lënduan shtatë të tjerë. Hetimet kanë përfunduar, ndërsa sipas autoriteteve bullgare dhe zëvendëskryeprokurorit bullgar, Borislav Sarafov, fajtori për aksidentin ka qenë shoferi, i cili gjithashtu ka humbur jetën. Ndërkohë në Maqedoninë e Veriut, në Gjykatën Penale të Shkupit vazhdon gjykimi për këtë rast, në të cilin kompania si person juridik dhe pronari i kompanisë Bekim Haxhiu akuzohen për falsifikimin e certifikatës së licencës së autobusit i cili në orët e para të 23 nëntorit të vitit 2021, duke ardhur nga Stambolli për në Shkup, në autostradën “Struma” të Bullgarisë është aksidentuar dhe më pas është djegur. Si pasojë kanë humbur jetën 45 persona, ndërkaq 7 të tjerë janë lënduar, Portalb.mk.

Prokuroria e Maqedonisë së Veriut theksoi se aksidenti ka ndodhur në territorin e një shteti tjetër dhe se hetimet janë duke u zhvilluar nga kolegët e tyre në Bullgari. Ata thanë se mund vetëm të parashtrojnë kërkesa për ndihmë juridike ndërkombëtare.

Pesë nga familjet e të vdekurve tashmë kanë kundërshtuar hetimin e institucioneve atje, përmes një ekipi avokatësh.

Autobusi Besa Trans është përplasur në rrethojën e autostradës Struma, në afërsi të fshatit bullgar Bosnek, në orët e hershme të 23 nëntorit. Pak para kryqëzimit Bosnek, ai doli nga korsia, goditi rrethojat dhe më pas shpërtheu në flakë, duke vrarë 45 njerëz, 13 prej të cilëve ishin fëmijë.

Në Maqedoninë e Veriut tashmë ka nisur një proces gjyqësor ndaj pronarit të “Besa Trans” për falsifikimin e licencave. Brenda një viti, me një dokument publik fals, autobusi “Besa Trans” ka kaluar 20 herë kufirin shtetëror.

Për çfarë akuzohet “Besa Trans” dhe pronari i saj?

Autobusi i cili është aksidentuar nuk ka pasur certifikatë të licencës për transport ndërkombëtar, por gjatë kalimit të kufirit e ka përdorur certifikatën e një autobusi tjetër, ndërkaq Dogana e cila është dashur ta kontrollojë – e ka lëshuar. Prokuroria akuzon pronarin dhe “Besa Transin” se certifikata është falsifikuar, ndërkaq teza e mbrojtjes është se nuk ka falsifikim të dokumenteve në çështje – vepër për të cilën akuzohet drejtuesi dhe kompania. Ata pretendojnë se nuk është bërë dokument i rremë dhe as nuk është ndryshuar licenca ekzistuese për t’u përdorur si e vërtetë.

Sipas aktakuzës, 41-vjeçari Bekim Haxhiu, si pronar i “Besa Trans” nga fshati Rashçe, përmes shoferëve që drejtonin autobusin, ka përdorur certifikatë licence që nuk është lëshuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Me certifikatën e falsifikuar të licencës për qarkullim ndërkombëtar, autobusi është larguar 20 herë nga vendi vitin 2021 nga data 10 janar deri në aksidentin e nëntorit.

@tn.lajmelokale
@tetovanews