Ballina Kronika 15 mijë euro para dhe 15 mijë pas krimit – raportohet se...

15 mijë euro para dhe 15 mijë pas krimit – raportohet se Naim Murseli e ka pranuar se ka porositur vrasjen e gruas

Bashkëshorti i Liridona Murselit, i dyshuari Naim Murseli, e ka pranuar para hetuesve se e ka porositur vrasjen e bashkëshortes së tij te i dyshuari G.P.

Burime të “Betimi për Drejtësi” bëjnë të ditur se i dyshuari Murseli ia kishte dhënë të dyshuarit G.P., 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës.

Ndryshe, dy të dyshuarit për vrasjen e ndodhur të mërkurën, i cili rast fillimisht u cilësua si “Grabitje me pasoja të vrasjes”, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më herët njoftoi se janë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, ku u arrestuan të dyshuarit, si është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur për kryerjen e veprës penale.

“Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast”, thuhet më tej.

Prokuroria tutje bëri të ditur se në koordinim me policinë po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast.

Mësohet se Naim Murseli ka pranuar porositjen e vrasjes së gruas së tij Liridonës, të cilës sot iu dha lamtumira e fundit pasi mbeti e vrarë mbrëmjen e 29 nëntorit në një pritë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë teksa po udhëtonte me burrin e saj Naim Murselin si dhe fëmijët.

Detajet e para të natës tragjike morën kthesë sot kur Policia e Kosovës arrestoi burrin e saj Naim Murselin dhe Granit Plavën si të dyshuar për vrasjen e viktimës, raportojnë mediat kosovare. Këto zhvillime vijnë nga zhvillimet e fundit në stacionin policor ku ndodhen dy të dyshuarit ndërsa po merren në pyetje.

Prokuroria Themelore në Prishtinë sot gjatë ditës tha se është sekuestruar edhe arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra, duke shtuar se të dyshuarit janë duke u intervistuar në stacionin policor, derisa ndaj të njëjtëve do të ndërmerren veprimet e mëtejme ligjore.

Për t’u rikthyer vetëm disa orë para arrestimet, Naim Murseli, i cili dyshohet se pagoi Granit Plavën me 30.000 euro për ta kryer vrasjen e gruas në sy të fëmijëve, u pa teksa merrte pjesë në varrimin e të ndjerës, ku priti e përcolli të afërmit për ngushëllime.

Pas arrestimit të Naimit, babai i tij Shaban Murseli njoftoi se për shkaqe familjare janë anuluar pritjet për Liridonën.

Mësohet se Granit Plava, i cili dyshohet se u pagua nga Naim Murseli për kryerjen e vrasjes së rëndë është bashkëfshatar i këtij të fundit. Bazuar në dëshminë e të dyshuarit për vrasjen e Liridona Murselit, i njëjti është paguar nga bashkëshorti i saj me një shumë prej 30 mijë euro.

Këto janë vetëm detajet e para që janë zbuluar pas arrestimit të dy të dyshuarve dhe pritet të konfirmohen nga organet e rendit pasi të sigurohen provat e nevojshme. Po ashtu, deri më tani nuk dihen shkaqet e kryerjes së këtij krimi që tronditi opinionin publik.

Naimi dhe Liridona kishin 12 vite të martuar, teksa në rrjete sociale viktima publikonte shpesh foto me Naimin, teksa në profilin e saj në Instagram shkruante se “Familja është gjithçka”.

@tn.lajmelokale
@tetovanews