Ballina Aktualitet Moti i keq lë pa energji dhjetëra fshatra në qarkun e Elbasanit,...

Moti i keq lë pa energji dhjetëra fshatra në qarkun e Elbasanit, trashësia e dëborës arrin mbi 40 cm. Ja zonat më problematike

Moti i keq që ka mbizotëruar edhe në 7 bashkitë e Qarkut të Elbasanit ka krijuar probleme të shumta në furnizimin me energji elektrike në shumicën e fshatrave malorë të bashkive Elbasan, Prrenjas, Gramsh e Librazhd.

Në këto zona era e fortë dhe reshjet e dendura të dëborës kanë dëmtuar pjesë të konsiderueshme të rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike si edhe mjaft shtylla të tensionit të mesëm.

Trashësia e dëborës mbrëmjen e kësaj të shtune në disa fshatra malorë të këtij Qarku ka arritur të paktën 40 cm. Në bashkinë e Librazhdit për shkak të trashësisë së madhe të dëborës janë bllokuar rrugët në fshatin Kostenjë në Njësinë Administrative Lunik, në Qafë Dardhë, në Njësinë Adminitrative Polis, në Qarrishtë në Njësinë Administrative Qendër, në Lagjen Mali i Xhyrës të Njësisë Administrative Hotolisht.

Në bashkinë e Librazhdit segmenti i rrugës Lunik-Steblevë aktualisht i kalueshëm vetëm me zinxhirë.

Ndërkohë ka mungesë të energjisë elektrike në disa nga fshatrat e Njësisë Administrative Hotoloshit dhe në fshatrat Gurshpatë e Vilan në Njësinë Administrative Polis.

Qyteti i Përrenjasit dhe fshatrat e kësaj bashkie janë mbuluar të gjithë nga dëbora, ndërsa temperaturat janë ulur ndjeshëm duke e bërë mjaft të vështirë lëvizjen jo vetëm të automjeteve, por edhe të këmbësorëve.

Edhe qarkullimi në rrugën kombëtare Elbasan-Librazhd -Prrenjas -Qafë Thanë për shkak të motit të keq dhe me reshje vazhdon të mbetet i rrezikshëm pasi në mjaft segmente ka rënie të vazhdueshme të dherave e gurëve.

Për përballimin e këtyre problematikeve janë në terren shërbime të përforcuara të policisë rrugore, emergjencat civile të cilat monitorojnë situatën dhe ndërhyrje në kohë kudo ka nevojë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews