Ballina Kronika Pse u rrahën tre shqiptarë në Mal të Zi?!

Pse u rrahën tre shqiptarë në Mal të Zi?!

Tre të rinj shqiptarë u rrahën barbarisht në Kotorr të Malit të Zi, duke detyruar qeverinë shqiptare, më saktë ministrin Balla, që të kërkojë sqarime nga autoritetet malazeze për rastin e rëndë. Bëhej fjalë për një rrahje në dukje pa shkak, nga një grup personash që janë lëshuar dhunshëm mbi shqiptarët pa dhënë asnjë arsye.

Në dëshminë e njërit prej tyre, Klodian Meaj, thuhet: “Ne ishim ulur nga trageti dhe morëm makinën tonë. Vijuam rrugën pa probleme deri në qytetin e Malit të Zi Herceg Novi. Aty për një moment ndaluam sepse kishim një problem me makinën. Sapo kemi ndaluar një grup personash kanë ardhur dhe kanë goditur automjetin në të cilin ndodheshin. Dolëm jashtë sepse nuk po kuptonim çfarë po ndodhte dhe na goditën edhe ne duke na dhunuar fizikisht pa asnjë shkak dhe pa asnjë arsye. Ne ishim duke komunikuar më zë fare të ulët brenda makinës dhe nuk kishte asnjë shkak, asnjë provokim nga ana jonë.

Sapo dolëm nga makina na goditën edhe ne dhe më pas u larguan. Unë në automjet kam një flamur shqiptar në pasqyrë, është një flamur i vogël. Nuk e di nëse është kjo arsyeja pasi automjeti është me targa gjermane dhe jo shqiptare.

Ne kemi dhënë deklarimet tona për policinë malazeze pasi nuk kishte asnjë arsye për të na dhunuar në atë mënyrë. Kemi marrë disa mjekime në një spital të Malit të Zi dhe pas deklarimeve kemi ardhur me dëshirë drejt Shqipërisë. Unë dua të falenderoj shumë shtetin shqiptar. Kam një falenderim për ministrin e Brendshëm Taulant Balla i cili na ka mbështetur shumë. Po ashtu falenderoj Ambasadën shqiptare në Malin e Zi e cila na ka mbështetur në çdo moment, policinë shqiptare që na u gjend afër dhe na shoqëroi si dhe spitalin e Shkodrës për gatishmërinë. Ajo që ne kemi kërkuar është që të zbardhet ngjarja dhe autorët të vihen përpara përgjegjësisë”.

Ndërsa në deklaratën e Policisë së Shtetit, thuhet:

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Mal të Zi, ku janë dhunuar tre shtetas shqiptarë, nga disa shtetas të panjohur, sqarojmë se:

Sapo kanë marrë dijeni për këtë ngjarje, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin dhe Drejtori i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, në Policinë e Shtetit, kanë komunikuar menjëherë me homologët në Malin e Zi, për t’u njohur me rrethanat e kësaj ngjarjeje dhe për t’iu ofruar ndihmë shtetasve shqiptarë.

Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje, Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka komunikuar me ministra të qeverisë së Malit të Zi, për të marrë masa që autorët e kësaj ngjarjeje të kapen dhe të vihen përpara drejtësisë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00, në vendin e quajtur “Zelenika”, në afërsi të qytetit të Herceg Novit. Shtetasit shqiptarë K. M., A. D. dhe D. K. kanë qenë duke lëvizur me një automjet me targa gjermane dhe befas janë sulmuar pa asnjë shkak, nga një grup prej 6 ose 7 personash, të cilët kanë goditur fillimisht automjetin dhe më pas kanë sulmuar fizikisht shtetasit shqiptarë, duke iu shkaktuar dëmtime fizike në pjesë të ndryshme të trupit.

Të tre shtetasit shqiptarë janë paraqitur në Policinë lokale, në Herceg Novi, ku fillimisht janë trajtuar nga ana e mjekut ligjor, i cili ka konstatuar dëmtime të shkaktuara nga goditjet fizike.

Nga ana e Policisë malazeze iu është kërkuar shtetasve shqiptarë që të bënin kallëzim për ngjarjen, por fillimisht ata nuk kanë pranuar të bëjnë kallëzim.

Pas interesimit të Ministrit të Brendshëm dhe të drejtuesve të Policisë së Shtetit, të tre shtetasit kanë pranuar të bëjnë kallëzim vetëm në prezencë të avokatit.

Ambasada e Shqipërisë në Malin e Zi iu ka vënë në dispozicion avokat, shtetasve shqiptarë.

Homologët malazezë i kanë siguruar drejtuesit e Policisë së Shtetit, se të tre shtetasve shqiptarë iu është ofruar ndihma dhe asistenca e nevojshme dhe se Policia po kryen hetime intensive për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, për të cilën, deri tani, janë shoqëruar disa shtetas.

Tre shtetasve shqiptarë, pasi të bëjnë kallëzim, do t’iu vihen në dispozicion fotografi të autorëve të dyshuar, me qëllim identifikimin e tyre dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes.

Policia e Shtetit është në kontakt të vazhdueshëm me homologët malazezë, për veprimet që po kryhen për zbardhjen e kësaj ngjarjeje”.

@tn.lajmelokale
@tetovanews