Ballina Aktualitet “Tubim” apo “Kuvend i ASH-së”, çfarë do të mbahet sonte në Kumanovë?

“Tubim” apo “Kuvend i ASH-së”, çfarë do të mbahet sonte në Kumanovë?

Mbledhja që sonte do ta mbajë Arben Taravari në Kumanovë me kuvendarët, mbrëmë u quajt “tubim”, por sot Fatmir Mexhiti, tha se do të mbahet edhe Kuvendi i partisë, ku do të vendoset edhe se si ASH do të dalë në zgjedhje.

“Kjo do të jetë një tubim i zakonshëm, normal me qytetarët, ne tani të gjitha partitë kemi filluar me parapërgatitjet për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare. Atje do të mbajmë edhe Kuvendin e partisë Aleanca për Shqiptarët dhe do të marrim drejtimin se si do të shkohet në zgjedhjet parlamentare”, tha Fatmir Mexhiti, ASH.

Nga Aleanca për Shqiptarët, krahu i Selës, mohojnë se ajo që do të mbahet në Kumanovë është Kuvendi i partisë, sepse siç kanë sqaruar, Kuvendin e ka thirrur Kryetari i Kuvendit Ziadin Sela për të shtunën në Shkup.

“Fatmir Mexhiti s’ka qenë asnjëherë strukturë e Aleancës për Shqiptarët. Siç e thotë edhe ai vetë, u bë ministër sepse e paska pas shok, kolegë pune dhe cimer Arben Taravarin, sepse janë fqinjë në Taftalixhe. Prandaj Fatmir Mexhiti s’ka tagër për të fol për këto gjëra”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Kryetari i ASH-së, Arben Taravari tashmë ka nisur takimet me mbështetësit e tij, takime që quhen “të mirënjohjes”. I tillë quhet edhe ky i sotmi në Kumanovë që mbahet në orën 19 tek ish-Komiteti. Thirrja e kuvendarëve në këtë takim nga ana e Taravarit, po vjen në një kohë kur tashmë kryetari i Kuvendit Qendror të ASh-së Ziadin Sela e ka thirrur Kuvendin për ditën e shtunë në Shkup. Nga ASH, krahu i Selës, ripërsëritën se Kuvendi i Partisë konform statutit të partisë është caktuar për të shtunën në resort Bushi ora 13.00, ku siç është paralajmëruar, do të kërkohet llogari nga kryetari i partisë Taravari, i cili përmes një postimi në Facebook, njoftoi për vendimin e tij që në koalicion parazgjedhor të shkohet me opozitën shqiptare LEN, ndonëse kryesia e partisë kishte një vendim që në zgjedhje të dalin vet.

@tn.lajmelokale
@tetovanews