Ballina Aktualitet PDSH dhe PDE zyrtarisht i bashkëngjiten Frontit Europian! Thaçi dhe Hoxha firmosën...

PDSH dhe PDE zyrtarisht i bashkëngjiten Frontit Europian! Thaçi dhe Hoxha firmosën marrëveshje bashkë me Ahmetin e Zejdin (VIDEO)

PDSH dhe PDE edhe zyrtarisht i bashkëngjiten “Frontit Europian”, pjesë e të cilit tashmë është BDI dhe LP. Mendu Thaçi dhe Arjanit Hoxha në Tetovë firmosën marrëveshjen bashkë me Ali Ahmetin dhe Skender Rexhepi Zejdin.

“Ne mund të kemi dallime në qasjen e problematikave politke dhe në formën dhe trajtimin e tyre por gjithçka është irrelevante kur janë në pyetje çështja shqiptare, shqiptarët dhe ardhmëria. Për dallim, nga të tjerët që presin që lëmoshën e pushtetit ta fitojnë përmes Mickoskit apo të tjerët, ne kemi të qartë që faktori politik shqiptar pushtetin e merr nga shqiptarët dhe se adresa jonë është Tirana dhe Prishtina dhe jo selia e VMRO-së”, tha Arjanit Hoxha – PDE.

“Le që më tani jemi të strukturuar mirë politikisht, po jemi edhe të strukturuar pa diskutim mirë edhe institucionalisht, dhe unë i uroj Talatit që të jetë kryeministër më pak edhe 2 vjet, mbani mend. Nuk do të arrihet që të ngrihen institucionet e shtetit pa Frontin Europian, pa deputetët e këtij Fronti”, theksoi Mendu Thaçi – PDSH.

“Unë nuk heq dorë nga e kaluara, nëse kam nostalgji, kam për lëvizjen ilegale dhe kjo më ka bërë atë fijen e fortë prej çeliku që unë mos e humb as durimin, as hidhërimin ndaj Menduh Thaçit, sepse i ka takuar taborit tim që bashkë kemi luftuar për ta përmbysur perandorinë e Jugosllavisë. Është e vërtet që ky më ka sharë, por kë të shante”, pohoi Ali Ahmeti – BDI.

“Fronti Europian do të bëhet një trup i përbashkët i shumë subjekteve politike, nga shumë etni kombëtare që frymojnë në RMV, për të dëshmuar se një Front Europian që na e sjell mirësinë, mirëqenien, lumturinë, gjitha begatitë që duhet t’i pasojnë një populli, gjeneratat që vijnë prapa, do të vijnë kryekëput të siguruara, të garantuara nga miqësia jonë me SHBA-të dhe rrugëtimi ynë me BE-në, sepse alternativë tjetër nuk kemi jashtë Frontit Europian”, theksoi Skender Rexhepi Zejdi – LP.

Tani për tani ende nuk dihet nëse pjesë e këtij koaliconi do të bëhet edhe ASh, krahu i Selës, por gjithçka pritet të mësohet të shtunën kur kjo parti do ta mbajë mbledhjen e kuvendit qendror.

Ndryshe Frontit Europian do t’i bashkëngjitet edhe dy parti tjera. Dje kryetari i BDI-së shtrëngoi duart me Kurto Dudush, kryetar i partisë Unioni i Romëve, ndërsa pjesë e koalicionit do të jetë edhe Partia Demokratike e Turqve.

@tn.lajmelokale
@tetovanews