Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi se pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale në tetor do të ketë riorganizim të Qeverisë. Sipas tij, arsyet nuk lidhen me qeverisje të keqe, por me forcimin e kapaciteteve, transmeton Portalb.mk.
“Menjëherë pas zgjedhjeve do t’i hapim dyert e partisë për ndryshime të reja dhe për njerëz të rinj, dhe në Qeveri do të ketë rekonstruksion dhe përforcim të kapaciteteve. Ne tashmë e dimë mirë si mund të ecim edhe më fuqishëm dhe më guximshëm me potenciale të shtuara. Kjo nuk do të thotë se njerëzit që do të zëvendësohen kanë qenë të këqij apo të pakujdesshëm, por qeverisë gjithmonë i nevojitet kapacitet i rritur, një ritëm më i fuqishëm për ndryshimet që po bëjmë. Ne jemi në rrugën e ndryshimeve, në rrugën e ndërtimit të suksesit të përbashkët, i cili do të sjellë një të ardhme më të mirë dhe një shans që breza të tërë të rinj e kanë pritur”, deklaroi Mickoski.
Mesazhin për rekonstruksion të Qeverisë, Mickoski e dha gjatë një fjalimi në të ashtuquajturin panair të kryetarëve të komunave të VMRO-DPMNE, me titullin “Katër vite punë për ty”.
Në fjalën e tij për zgjedhjet lokale, kryeministri akuzoi se LSDM dhe BDI po përgatisin një plan të fshehtë për të rrëzuar procesin zgjedhor.
Mickoski tha se zgjedhjet nuk do të jenë dera për hyrjen e BDI-së në Qeveri dhe se ka ardhur koha të zbulohet “e vërteta për lojërat e pista që po përgatiten prapa skenës”. Sipas tij, LSDM dhe BDI kanë menduar dhe koordinuar një skenar për kaos, mjegull politike dhe manipulime.
“Me inflacion të kandidaturave të pavarura dhe lista fantome duan qëllimisht ta rrëzojnë procesin zgjedhor. Ta ngatërrojnë votuesin, ta manipulojnë demokracinë dhe ta turbullojnë pamjen e qartë të disfatës së tyre historike që po vjen. Por prapa kësaj loje nuk qëndrojnë vetëm shtabet partiake. Në këtë synim shteti i thellë i LSD-së dhe BDI-së dhe njerëzit e tyre të shpërndarë në gjyqësor, komisionin zgjedhor dhe institucionet janë bashkuar. Sot ata janë në koalicion për të parandaluar disfatën që do t’ua sjellë VMRO-DPMNE dhe koalicioni në zgjedhjet lokale,” tha Mickoski.
BDI ka reaguar duke thënë se, deklaratat e sotme të kryeministrit Mickoski nuk janë vetëm shpifje të pastra dhe tentativë e dështuar për të fshehur krizën e legjitimitetit të qeverisë së tij monoetnike, por edhe të rrezikshme pasi që përbëjnë nxitje për përplasje etnike.
Kujtojmë se kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi më 9 gusht i shpalli zgjedhjet lokale. Raundi i parë i votimit për kryetarë të komunave do të mbahet më 19 tetor, kur do të votohet edhe për lista të këshilltarëve. Raund të dytë për kryetarë të komunave do të ketë më 2 nëntor.















