Ballina Lajme Muhamed Murtezi do të jetë bartës i listës së këshilltarëve të VLEN-it...

Muhamed Murtezi do të jetë bartës i listës së këshilltarëve të VLEN-it për Komunën e Çairit

Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti, i cili është edhe kandidat për kryetar të Komunës së Çairit nga radhët e VLEN-it, sot njoftoi emrin e bartësit të listës së këshilltarëve për këtë komunë, me të cilën koalicioni do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në tetor, transmeton Portalb.mk.

“Sot dua të prezentoj bartësin e listës së këshilltarëve të VLEN për Komunën e Çairit, doktorin, intelektualin, aktivistin e shoqërisë civile dhe njeriun me vlera të larta, Muhamed Murtezin. Bashkë drejt fitores së madhe! Vetëm për ty Çair!”, shkroi Mexhiti në rrjetin social.

Sipas një deklarate nga ekipi zgjedhor i Mexhitit, Murtezi, si bartës i listës së këshilltarëve të VLEN për Komunën e Çairit, është edhe kandidat për kryetar të Këshillit Komunal.

Ky, siç u tha, është angazhimi i tij i parë partiak-politik, qëllimi i të cilit është të japë kontribut pozitiv dhe të lërë një gjurmë të mirë edhe në këtë fushë.

Përveç prezantimit të bartësit të listës VLEN për këshilltarë për Çair, Mexhiti postoi edhe një video-adresim nga Murtezi në profilin e tij në Facebook, në të cilin thotë se së bashku me kandidatin për kryetar komune do të ofrojnë arsim më cilësor, kulturë më të zhvilluar dhe një jetë më të mirë dhe më dinjitoze në Çairin e Shkupit.

Tetova News në YouTube:

“Vizioni ynë, bashkë me kryetarin e ardhshëm të Çairit, Izet Mexhiti, është një Çair më i bukur, më i pastër dhe më i sigurt. Arsim dhe shkencë më cilësore, kulturë dhe sport më të zhvilluar, një jetë më të mirë dhe më dinjitoze. Sepse banorët e Çairit e meritojnë dhe besoj se kjo është e arritshme me vullnet të mirë, përkushtim të madh dhe punë të ndershme. Prandaj po kërkojmë mbështetjen tuaj më 19 tetor”, thotë Murtezi.

Në fjalimin e tij, ai jep edhe një përmbledhje të shkurtër të biografisë së tij.

Zgjedhjet lokale do të të mbahen më 19 tetor – rrethi i parë dhe 2 nëntor – rrethi i dytë. 

Sipas afateve të përcaktuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, fushata zgjedhore për raundin e parë fillon më 29 shtator dhe do të zgjasë vazhdimisht deri më 17 tetor, ndërsa fushata për raundin e dytë zgjedhor do të zgjasë deri më 31 tetor.

Afati i fundit për dorëzimin e listave të kandidatëve që marrin pjesë në zgjedhje në komisionet komunale zgjedhore është 13 shtatori. KSHZ do të organizojë shortin për numrat e fletëvotimeve jo më vonë se 25 shtatori, dhe partitë do të nënshkruajnë Kodin për Zgjedhje të Drejta dhe Demokratike jo më vonë se 27 shtatori.