Ballina Aktualitet Falemnderit për magjinë që na fal çdo ditë, Çarshia ime!

Falemnderit për magjinë që na fal çdo ditë, Çarshia ime!

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Nga Izet Mexhiti

E diel.
Çarshia ka një fytyrë krejt tjetër, nga ditët e zakonshme. Në kalldrëmin e saj të lashtë shtrihet dielli i ngrohtë i shtatorit, që me butësi përkëdhel muret e shtëpive të vjetra, portat e drunjta dhe hijet e minareve që zgjaten mbi gurë. Çdo hap në këtë ditë tingëllon më i ngadalshëm, më i qetë. Tregu pushon, por shpirti i Çarshisë mbetet i gjallë. Aroma e kafesë që del nga hani i vjetër përhapet lehtë nëpër rrugicat e gurta, të cilat duken sikur marrin frymë ngadalë, ndërsa sytë e qytetarëve që kalojnë aty, rrezatojnë dashuri për vendin e tyre.

Mes kësaj atmosfere pata rastin të takoj shumë qytetarë, që po shijonin madhështinë e Çarshisë. Por takimi më i veçantë ishte me profesorin dhe piktorin Imer Bajrami, figurë që prej dekadash është bërë njësh me artin, dhe këtë vend. Çdo ditë, i ulur mes kalldrëmeve, me brushën në dorë, ai pikturon jetën, dritën dhe shpirtin e Çarshisë.

Edhe sot, në këtë ditë qetësie, kur gjithçka dukej sikur kishte rënë në gjumë, vetëm një zë thyente heshtjen, zhurma e lehtë e brushës mbi kanavacë. Ajo tingëllonte si një melodi e fshehtë, një këngë që vetëm Çarshia mund ta kuptojë. Rrezet që binin pjerrtas mbi supet e tij, e bënin të dukej artistin tonë sikur ishte bërë pjesë e vetë pikturës së madhe, që quhet Çarshi.

Imeri është simbol i Çarshisë dhe i dashurisë së pastër për vendin. Në një botë që ndryshon me shpejtësi, ai qëndron i palëkundur, duke na kujtuar se arti është një formë e përjetshme besnikërie dhe jetese. Për këtë arsye ai është po aq pjesë e Çarshisë sa janë minaret krenare, dyqanet me dyer të drunjta dhe urat që lidhin shekujt mes tyre.

Kjo e diel e qetë, e pikturuar në pëlhurat e tij, na kujton se Çarshia nuk është veç vend tregtie. Por, është tempull i shpirtit, ku arti, historia dhe jeta e përditshme bashkohen në një të vetme. Dhe sot, zëri më i bukur i Çarshisë nuk ishte zhurma e tregut e as thirrjet e shitësve, por ritmi i qetë i brushës së profesorit, dhe ngrohtësia e rrugëve të Çarshisë!
Falemnderit për magjinë që na fal çdo ditë, Çarshia ime. Falemnderit për nderin që më jep të punoj e të të shërbej!