Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se shkelja e hapësirës ajrore polake dhe rumune nga Rusia javën e kaluar ishte “pjesë e një trendi afatgjatë të testimit të kufijve dhe sabotimit nga Presidenti Vladimir Putin”.
“Putini ka testuar limitet për një kohë të gjatë”, tha Merz në Bundestag, dhomën e ulët të parlamentit, ndërsa po u drejtohej ligjvënësve si pjesë e debatit të javës së buxhetit.
“Putini saboton, spiunon, vret, përpiqet të trazojë njerëzit”, tha kancelari gjerman.
Merz paralajmëroi gjithashtu se Putini po kërkon të destabilizonte shoqërinë gjermane, shkuan DW.
“Ne nuk do ta lejojmë që kjo të ndodhë”, theksoi kancelari, duke shtuar se Gjermania po forcon qëndrueshmërinë dhe aftësitë e saj mbrojtëse pikërisht për këtë arsye.
“Ne duhet t’i dekurajojmë kundërshtarët tanë nga agresioni i mëtejshëm dhe në të njëjtën kohë t’i afrojmë aleatët dhe partnerët”, tha Merz.
Kancelari shtoi se një marrëveshje paqeje në luftën në Ukrainë nuk mund të vijë në kurriz të sovranitetit politik dhe integritetit territorial të Kievit.
“Një paqe e diktuar, një paqe pa liri, do ta inkurajonte Putinin të kërkonte objektivin e tij të radhës”, tha Merz.
Gjermania ka qenë një nga mbështetëset më të forta të Ukrainës që nga pushtimi rus në vitin 2022.
Sipas Ministrit të Mbrojtjes Boris Pistorius, vendi ia kaloi Shteteve të Bashkuara javën e kaluar dhe tani është furnizuesi më i madh i ndihmës ushtarake.















