Ballina Kronika Tragjedi mes shqiptarëve në Angli: 31-vjeçari vret kushëririn me thikë, apel prekës...

Tragjedi mes shqiptarëve në Angli: 31-vjeçari vret kushëririn me thikë, apel prekës nga familjari i tyre

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur më 29 gusht në Leeds të Anglisë, ku një konflikt mes dy kushërinjve shqiptarë ka përfunduar me vrasjen e njërit prej tyre.

Sipas policisë britanike dhe raportimeve të mediave angleze, ngjarja ndodhi pasditen e së premtes në rrugën Cardigan Road, Headingley, ku 26-vjeçari Elsiado Marku u qëllua për vdekje me thikë. Ai u shpall i vdekur në vendngjarje nga autoritetet.

Për këtë ngjarje është arrestuar kushëriri i tij, Eljon Markaj, 31-vjeç, i cili u paraqit në Gjykatën e Magjistratëve të Leeds të hënën. Ai akuzohet për vrasje dhe mbajtje të një arme të ftohtë në publik. Aktualisht, ai ndodhet në paraburgim.

Policia britanike ka bërë thirrje që kushdo që ka informacion mbi rastin të kontaktojë me autoritetet.

Pas kësaj tragjedie, një kushëri i viktimës ka kontaktuar redaksinë tonë duke ndarë një mesazh prekës për këtë ngjarje të pabesueshme për të:

“Një fatkeqësi që të shkund shpirtin… Në Angli ka ndodhur ajo që as në ëndrrën më të keqe askush nuk do ta kishte imagjinuar. Një sherr i çastit mes dy kushërinjve u shndërrua në një tragjedi të paimagjinueshme. Në vend të pajtimit, në vend të fjalës së mirë, aty shpërtheu dhuna, dhe ajo dhunë mori një jetë. Një krim i rëndë, një masakër që të lë pa frymë dhe të bën të mendosh sa i brishtë është njeriu përballë urrejtjes dhe nervave të momentit.

Është e lehtë të thuash “ishte sherr”, por pas fjalës sherr fshihet një botë e tërë dhimbjeje. Pas saj, sot një nënë është pa birin e saj… Çdo ditë e saj do të jetë një natë e zezë pa agim, çdo natë e saj do të jetë një makth pa fund.

Një familje e tërë është thyer përgjysmë… Dhe kjo plagë nuk shërohet kurrë.

Dua të bëj një thirrje për rininë dhe për çdo shqiptar: mos lejoni që një moment nervi, një fjalë e rëndë, një nxitim i çastit t’ju kthejë në vrasës të ëndrrave, të shpresave dhe të vetë jetës. Dhuna nuk është as forcë, as zgjidhje – dhuna është humbje, është errësirë, është gjak e lot që nuk mbarojnë kurrë.

Mos harroni, pas çdo viktime fshihet një nënë që qan, një familje që thyhet, një shoqëri që humbet. Dhe kjo është arsyeja pse duhet të zgjedhim paqen, arsyen dhe durimin.”

Ky mesazh është një thirrje e fortë për të rinjtë: të ndalen, të mendojnë më gjatë dhe të zgjedhin paqen e dialogun, para se një moment i shkurtër zemërimi të kthehet në një tragjedi.