Ballina Top Lajm Shuhet në moshën 71-vjeçare analisti dhe gazetari i njohur i çështjeve ndërkombëtare,...

Shuhet në moshën 71-vjeçare analisti dhe gazetari i njohur i çështjeve ndërkombëtare, Janusz Bugajski

Shuhet në moshën 71-vjeçare analisti dhe gazetari i njohur Janusz Bugajski!

Lajmi është ndarë me hidhërim edhe nga miqtë e gazetarit dhe gjithashtu Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, që shprehën dhimbjen e thellë për këtë humbje të parakohëshme.

Edhe gazetari dhe publicisti i njohur shqiptar Elez Biberaj, ka shprehur dhimbjen e tij për kolegun Bugajski, me të cilin punoi për shumë vite, nëpërmjet një postimi në Facebook.

Bugajski njihej si një analist i çëshjeve ndërkombëtare dhe veçanërisht atyre shqiptare prej më shumë se tre dekadash, ku shpesh publikonte opinione, analiza dhe komente mbi çështje të ndryshme.

Kush ishte Janusz Bugajski

Janusz Bugajski lindi më 23 shtator 1954, në Nantwich, Cheshire, në Angli. Emigroi në SHBA në vitin 1986. Bashkëpunëtor i lartë në Fondacionin Jamestown në Uashington, DC. Ai shërbeu gjithashtu si prezantues i emisioneve televizive “Bugajski Hour” që transmetohen në Ballkan. Më parë, mbajti pozicionin e bashkëpunëtorit të lartë në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA) në Uashington, dhe shërbeu si drejtor i Programit të Demokracisë së Re Evropiane në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS).

Bugajski ka shërbyer edhe si konsulent për çështjet e Evropës Lindore për organizata dhe agjenci të ndryshme qeveritare amerikane, duke përfshirë Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Departamentin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara, Institutin Ndërkombëtar Republikan (IRI), Institutin e Sindikatave të Lira ( AFL-CIO ), Bordin Ndërkombëtar të Kërkimit dhe Shkëmbimeve (IREX) dhe televizionin BBC në Londër.

Postimi i Unionit të Gazetarëve në Facebook:

“Ndërron jetë analisti i njohur Janusz Bugajski

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh dhimbjen e anëtarësisë së vet për ndarjen nga jeta të gazetarit dhe analistit të famshëm Janusz Bugajski.

Kjo është humbje e një kolegu i cili ndau me mediat dhe editorët, me kolegët dhe publikun shqiptar një kohë mbi tri dekadëshe bashkëpunimesh, informimi dhe opinionbërjeje për realitetet gjeopolitike, diplomatike në botë, rajon dhe vecanërisht në hapësirën shqiptare.

Janusz Bugajski si pakkush prej analistëve ndërkombëtarë spikati në mediat shqiptare me intervistat, opinionet dhe analizat e veta politike dhe gjeopolitike, duke shprehur qartazi pikëpamje të guximshme dhe duke nxitur mendimin kritik ndaj klasave dhe vendimmarrësve politikë e shtetërorë në shtetet ballkanike.

UGSH përcjell ngushëllimet pranë familjes Bugajski dhe miqve të tij të afërt për këtë ndarje nga jeta të këtij personaliteti të fjalës dhe analizës.

I përjetshëm kujtimi i Tij! Tiranë më  18 Tetor 2025. Zyra Informuese. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë”.

Postimi i Elez Biberaj në Facebook:

“U prehtë në paqe Janusz Bugajski

Isha ​​i tronditur dhe thellësisht i trishtuar kur mësova për ndarjen nga jeta të mikut dhe kolegut tim të ngushtë Janusz Bugajski. Janusz ishte një analist i shkëlqyer i çështjeve euroaziatike, një autor i frytshëm, botimet e të cilit formësuan thellësisht kuptimin tonë për rajonin dhe një avokat i palëkundur për demokracinë, qeverisjen e mirë dhe lirinë e shtypit. Ai ishte një mysafir i shpeshtë dhe i vlerësuar në transmetimet e Zërit të Amerikës, dhe pikëpamjet e tij ishin vazhdimisht të qarta, parimore dhe thellësisht të informuara.

Gjatë viteve, kemi punuar së bashku në shumë projekte, veçanërisht në çështjet e Ballkanit. Arrita të admiroj jo vetëm intelektin e tij, por edhe integritetin, zgjuarsinë dhe përkushtimin e tij të palëkundur ndaj vlerave që ai i mbante të shtrenjta. Mungesa e tij do të ndihet thellë nga të gjithë ne që patëm privilegjin ta njihnim dhe të punonim me të.

Do të më mungojë shumë. Pusho në paqe, Janusz”.