Ballina Aktualitet TVSH do të paguhet edhe për porositë nga jashtë RMV-së deri në...

TVSH do të paguhet edhe për porositë nga jashtë RMV-së deri në 22 euro, ndryshimet ligjore kanë mbërritur në Parlament

Heqja e përjashtimit nga TVSH-ja për produktet që qytetarët porosisin nga jashtë, vlera e të cilave nuk i kalon 22 euro, parashikohet me ndryshimet në Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) që Qeveria ia ka paraqitur Parlamentit, transmeton Portalb.mk.

Ndryshimet e propozuara, siç thuhet në tekstin e Ligjit, synojnë fshirjen e përjashtimit nga TVSH-ja për importin e dërgesave me vlerë të ulët të dërguara nga jashtë për marrësit në vend, vlera totale e të cilëve për dërgesë nuk i kalon 22 euro në ekuivalent denarë.

Me këtë ndryshim, të gjitha porositë që ishin të përjashtuara nga TVSH-ja dhe vlera totale e të cilave ishte deri në 22 euro, do të bëhen më të shtrenjta me 18 përqind, që është norma aktuale e TVSH-së.

Ndryshimet e propozuara parashikojnë përjashtim nga pagesa e TVSH-së për mallrat e dërguara si dërgesa të vogla me vlerë jo-komerciale, nga një person fizik tek një person fizik, vlera e të cilave nuk i kalon 22 euro, por përjashtimi nuk vlen për alkoolin dhe pijet alkoolike, parfumet dhe ujin e tualetit, si dhe duhanin dhe produktet e duhanit.

“Kur vlera totale e një dërgese që përbëhet nga dy ose më shumë mallra tejkalon shumën prej 22 eurosh në ekuivalent denarë, përjashtimi miratohet deri në atë shumë për mallrat që, nëse do të importoheshin individualisht, do të ishin përjashtuar. Kur vlera e një malli individual tejkalon shumën prej 22 eurosh në ekuivalent denarë, vlera e tij nuk mund të ndahet për të ushtruar të drejtën e përjashtimit deri në atë shumë”, thuhet në ndryshimet e propozuara në ligj, të cilat mund të gjenden në ueb-faqen e Parlamentit.

Tetova News në YouTube:

Përjashtimi parashikohet edhe për pasagjerët vendas që vijnë nga jashtë vendit, por për artikujt e destinuar për nevojat e tyre personale ose për artikuj të tjerë me vlerë të ulët përveç artikujve të bagazheve personale që ata sjellin nga jashtë vendit, dhe të cilët nuk janë të natyrës tregtare.

Ndryshimet e propozuara parashikojnë gjithashtu përjashtim për ilaçet që pasagjerët sjellin për përdorim personal ose marrin në dërgesa nga jashtë vendit.

Ndryshimet në Ligj do të shqyrtohen në Parlament sipas një procedure të rregullt dhe do të jenë para deputetëve në leximin e parë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, raundi i parë i të cilave është planifikuar për 19 tetor, dhe i dyti më 2 nëntor.