Ballina Aktualitet (VIDEO) Kryeqyteti mbytet nga mbeturinat, arrestohet drejtori i Higjienës Komunale

(VIDEO) Kryeqyteti mbytet nga mbeturinat, arrestohet drejtori i Higjienës Komunale

Njësia për Krim Ekonomik e SPB Shkup pasditen e sotme ka konfiskuar dokumentacion shtesë dhe ka arrestuar dy persona të dyshuar për mosveprim në lidhje me menaxhimin e mbeturinave në qytetin e Shkupit. Në mesin e personave të arrestuar është edhe drejtori i NP “Higjiena Komunale”, Sabaudin Rrustemi, i cili në këtë funksion u emërua më 29 janar të këtij viti, si pjesë e koalicionit të kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska dhe BDI.

Prokuroria Publike

“Me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike të Shkupit, oficerët e policisë po ndërmarrin veprime për sigurimin e provave. Janë arrestuar dhe mbajtur dy persona nga udhëheqësia e NP “Higjiena Komunale” – Shkup, në lidhje me dyshime për veprën penale Rrezikim i mjedisit jetësor dhe natyrës përmes mbeturinave.

Prokuroria Publike javën e kaluar njoftoi se, veç më po ndërmerr veprime për sigurimin e provave për vepër të mundshme penale në lidhje me gjendjen e mbeturinave në Shkup.

Me këtë rast, prokurori publik i lëshoi urdhra Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe organeve të tjera kompetente për veprim të menjëhershëm dhe për kontrolle në lidhje me punën e Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale”. Janë dërguar kërkesa te shërbimet komunale inspektuese që të kryejnë mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese dhe të konstatojnë gjendjen aktuale.

Tetova News në YouTube:

Ndërkaq, kryeministri Hristija Mickoski sot paralajmëroi se problemi me mbeturinat do të ketë zgjidhje dhe rikujtoi premtimin e kandidatit të VMRO  -DPMNE-së, Orce Gjorgjievski për kryetar të Qytetit të Shkupit, i cili ka thënë se nëse fiton zgjedhjet, do të zgjidh problemin me mbeturinat për 72 orë.

Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së

“Mendoj se kjo do të ketë një zgjidhje, e cila do të jetë shumë interensante për t’u ndjekur. I falënderoj kryetarët e komunave të Velesit, Shtipit, Kavadari dhe Kumanovës për mbështetjen që e kanë dhënë ditëve të fundit me mekanizmin për pastrimin e mbeturinave në Shkup. Ditëve në vijim, e martë, e premte dhe e shtunë do të vazhdojnë dhe më pas pres që, pasi të fitojë Orce Gjorgjievski dhe kur të bëhet pranim-dorëzimi i menaxhimit praktik me Qytetin e Shkupit, e gjithë çështja me mbeturinat të normalizohet”.

Qyteti i Shkupit tash më një kohë të gjatë, e posaçërisht ditëve të fundit, po përballet me një krizë të menaxhimit të mbeturinave, me çka mbeturinat nuk mblidhen për ditë të tëra nëpër komunat e Shkupit. Të premten e kaluar, Instituti për Shëndet Publik alarmoi se në rast se vazhdon kjo gjendje, kryeqitetit i kanoset përhapja e sëmundjeve të ndryshme infektuese.

Teuta Buçi /SHENJA/