Sarah Beckstrom, 20 vjeçe, pjesëtare e Gardës Kombëtare të Virxhinias Perëndimore, vdiq nga plagët e marra pas sulmit me armë zjarri të mërkurën në Uashington. Presidenti Donald Trump njoftoi vdekjen e saj, duke e cilësuar një ushtare të respektuar dhe të dalluar që kishte filluar shërbimin në qershor 2023. Gardisti tjetër i plagosur vazhdon të jetë në gjendje kritike dhe po lufton për jetën.
Komandantët ushtarakë e quajtën Bekstrom “heroinë”, pasi ajo ishte dërguar në kryeqytet për të mbështetur sigurinë në një periudhë me tensione të larta politike e shoqërore.
Sulmi ndodhi në një klimë të ndezur, ku së fundmi ishte vrarë influenceri konservator Charlie Kirk dhe ishte kryer një tentativë për vrasjen e Trumpit gjatë fushatës së 2024-s. Për shkak të situatës, Trump ka urdhëruar dërgimin e Gardës Kombëtare në disa qytete, pavarësisht kundërshtimeve nga autoritetet lokale demokrate.
Pas incidentit, Pentagoni planifikon të shtojë edhe 500 trupa në Uashington, duke çuar numrin total të ushtarakëve mbi 2.500. Ndërkohë, qyteti i Uashingtonit ka fituar një vendim gjykate për tërheqjen e Gardës, por zbatimi i vendimit është pezulluar për 21 ditë ndërsa pritet apelimi i qeverisë federale.
/vizionplus.tv















