Presidenti amerikan Donald Trump ka folur në lidhje me planin e hartuar nga SHBA-ja për përfundimin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
“E gjitha kjo ishte një hartë udhëzuese. Nuk ishte një plan. Ishte një ide. Ata morën secilën nga 28 pikat dhe pastaj dolën me 22 pika… Ne zgjidhëm shumë prej tyre, dhe në një mënyrë shumë të favorshme. Do të shohim se çfarë do ndodhë”, tha Trump.
Trump konfirmoi se i dërguari i tij, Steve Witkoff, do të udhëtojë për në Moskë javën e ardhshme për t’u takuar me Vladimir Putin.
“Ata po flasin me Rusinë tani. Steve Witkoff po shkon, ndoshta me Jared Kushner. Nuk jam i sigurt nëse Jared do të shkojë., por ai është I përfshirë në proces. Është djalë i zgjuar. Dhe ata do të takohen me presidentin Putin, besoj javën tjetër në Moskë”, u shpreh Trump.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë i konsideron lëshime të mëdha nga Rusia, ndalimin e ofensivave dhe mos pushtimin e territoreve të reja. Kur iu kërkua një afat kohor për paqen, Trump u përgjigj:
“Afati është kur të mbarojë. Të gjithë janë lodhur duke luftuar”.
Megjithatë, Trump pranoi se dinamika e negociatave mbetet e ngadaltë, ndërsa theksoi se është një proces i ndërlikuar. Ai vuri në dukje se Europa po ndihmon për t’i dhënë fund konfliktit.
Gjatë bisedimeve në Gjenevë, drafti u reduktua me zyrtarët ukrainas që vunë në pah se disa nga çështjet më të ndjeshme, përfshirë garancitë e sigurisë për Kievin vazhdojnë të mbesin në tavolinë të bisedimeve./vizionplus.tv















