Ballina Aktualitet Eksperti amerikan: SHBA e shqetësuar nga goditja e liderëve të opozitës në...

Eksperti amerikan: SHBA e shqetësuar nga goditja e liderëve të opozitës në Shqipëri

Profesori amerikan, Edward P. Joseph ka bërë një analizë të thelluar për situatën politike dhe reformën në drejtësi në Shqipëri. Në një intervistë në SYRI TV, Joseph theksoi rëndësinë e përparimit të vendit drejt BE duke vënë në dukje se sfidat në sistemin gjyqësor mbeten një pengesë për funksionimin e plotë të shtetit dhe ofrimin e drejtësisë për qytetarët.

Joseph nënvizoi se vonesat në trajtimin e çështjeve gjyqësore dhe mungesa e efikasitetit në gjykata krijojnë shqetësime, sidomos kur lidhen me arrestimet e figurave të opozitës, veçanërisht në periudha zgjedhjesh. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian monitorojnë nga afër këto procese dhe nuk duan të shohin shkelje të të drejtave dhe standardeve demokratike.

“Është një pyetje shumë e rëndësishme dhe duhet të kuptojmë se kjo seancë e rëndësishme që u zhvillua në kongresin e Shteteve të Bashkuara, u përqendrua në të gjithë rajonin, ku përfshihej edhe Shqipëria.

Dhe Shtetet e Bashkuara, sikurse e thoni edhe ju qartësisht, së bashku me aktorët kyç të Bashkimit Evropian, si për shembull Holanda, janë përqendruar gjerësisht tek çështja e reformës së gjyqësorit në Shqipëri. E dimë se ka qenë një prej kushteve kryesore dhe një prej shqetësimeve kryesore për Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

Dhe ndërsa Shqipëria hedh hapa të rëndësishëm dhe të qëndrueshëm drejt Bashkimit Evropian, duhet të mos harrojmë edhe mangësitë në sistemin e gjyqësorit. Ky shtim, për shembull, i stokut të çështjeve të cilat akoma nuk kanë marrë zgjidhje, përbën një problematikë, sepse po flasim për të drejtën e një procesi të drejtë, të një procesi i cili i duhet dhënë qytetarit nga gjykata.

Tetova News në YouTube:

Në qoftë se gjykata është joefiçente dhe ngelet një stok i madh çështjesh të patrajtuara, kjo përbën shqetësim. Dhe pikërisht janë shqetësime që kanë të bëjnë me arrestimin e figurave të opozitës, sidomos brenda kontekstit të zgjedhjeve. Unë e di se Shtetet e Bashkuara edhe Bashkimi Evropian nuk duan të shohin situata të tilla,” – tha ai.

Duke folur për rënien e pluralizmit në Shqipëri, ai tha: “Askush nuk mund të sigurojë pluralizmin politik. Nuk mund të vijë një aktor i jashtëm. Nuk mund ta krijojë këtë një aktor i jashtëm. Është një proces dinamik, i cili duhet të ndodhë brenda shoqërisë, brenda një demokracie të shëndetshme. Dhe pikërisht ky është dhe qëllimi, që në një demokraci të shëndetshme ke pluralizëm, ke konkurrencë.

Ne po shohim këtu në Shtetet e Bashkuara, po shohim sa e rëndësishme është një parti e zellshme politike, e cila të kundërshtojë në Kongres dhe t’i kërkojë administratës të japë llogari dhe të ngrejë pyetje në Kongres, sikurse ndodhi tani.

Në Kosovë, për shembull, ke një situatë politike dinamike. Është Vetëvendosja, e cila drejton qeverinë dhe gjithashtu ke PDK-në, LDK-në dhe parti të tjera të cilat janë aktive në opozitë. Kryeministri Kurti nuk mund të bëjë çfarë dëshiron ai, por duhet t’i japë llogari dhe tani në fund të këtij muaji do të ketë zgjedhje dhe do të shohim pastaj se zgjedhësit në Kosovë do të përballen me një mundësi zgjedhjeje.

Prandaj, edhe në Shqipëri, që të kemi një demokraci të shëndetshme, pala e opozitës, partitë e opozitës, ka një zgjedhje dhe duhet të vendosë. Kështu funksionon demokracia. Në qoftë se nuk e kemi këtë, përfundojmë me një situatë si në Serbi, ku partia e Aleksandër Vuçiçit është kaq dominuese për një kohë kaq shumë të gjatë dhe tani shohim se ku e ka çuar kjo sjellje Serbinë, në një situatë krize.

Kështu që për shëndetin e Shqipërisë, Shqipëria duhet të ketë një shoqëri të pasur pluraliste ku zgjedhësit të kenë mundësi të vërteta dhe kushdo që është në qeveri, t’i japë llogari dhe të mbahet përgjegjës prej opozitës” – tha ai.

Joseph theksoi nevojën urgjente për një garë të ndershme politike, duke iu referuar gjetjeve kritike të raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e fundit. Ai citoi drejtpërdrejt nga raporti i OSBE-së, i cili konstaton se zgjedhjet në Shqipëri u zhvilluan në një “klimë të polarizuar” dhe se palët politike nuk garuan në një “terren loje të drejtë”.

Raporti, siç theksoi Joseph, evidenton probleme serioze si frikësimi, keqpërdorimi i burimeve publike dhe presioni mbi administratën shtetërore. Këto gjetje, sipas tij, minojnë mundësitë e barabarta dhe tregojnë për parregullsi që cenojnë pluralizmin.

“Në fakt, unë mund t’jua lexoj raportin e OSBE-së prej zyrës së tyre të miratuar nga zyra në Varshavë dhe atje shprehen, zgjedhjet u zhvilluan në një klimë të polarizuar dhe palët nuk ishin në një terren loje të drejtë.

Domethënë, jo të gjitha partitë kishin të njëjtat mundësi dhe gjithashtu thuhet se ka pasur edhe raportime të frikësimit, të keqpërdorimit të burimeve publike si edhe presion ushtruar mbi punonjësit e administratës dhe thotë se kjo minon mundësitë e barabarta.

Është një raport profesional dhe është brenda misionit të OSBE-së, të cilin e drejtonte Lamberto Zannier, të cilin e njoh personalisht, i cili ka qenë ish-sekretar i përgjithshëm i OSBE-së. Unë kam punuar personalisht me të kur kam qenë zëvendëskryetar i misionit në Kosovë.

Këtë po thotë OSBE dhe këto janë shqetësimet të cilat tashmë janë të ndara dhe i njohin që të gjithë aktorët ndërkombëtarë dhe ato duhet të trajtohen në Shqipëri” – tha Joseph. /LAPSI.al