Ish-shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini dhe një prej diplomatëve më të lartë të bllokut, Stefano Sannino, ndodhen në paraburgim pasi policia belge nisi të martën bastisje si pjesë e një hetimi për mashtrim, sipas zyrtarëve të njohur me çështjen.
Policia ndaloi tre të dyshuar dhe kontrolloi Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) dhe Kolegjin e Evropës për dyshime korrupsioni në krijimin e një akademie trajnimi për diplomatët.
Kontrollet, të kryera me kërkesë të Zyrës së Prokurorit Publik Evropian (EPPO) dhe të miratuara nga policia belge, u zhvilluan në EEAS në Bruksel, në ndërtesa të Kolegjit të Evropës në Bruges dhe në banesa private, sipas një deklarate të EPPO-s.
EEAS është krahu i politikës së jashtme të BE-së dhe deri në vitin 2019 drejtohej nga Mogherini, ish-nënkryetare e Komisionit Evropian. Ajo ka qenë rektore e Kolegjit të Evropës, një qendër trajnimi për funksionarët e ardhshëm të BE-së, që nga viti 2020.
Sannino, një diplomat i mëparshëm italian, ka qenë zyrtari më i lartë civil në EEAS dhe aktualisht është drejtor i përgjithshëm i departamentit për Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Gjirin në Komision.

Të tre të ndaluarit nuk janë akuzuar dhe një gjyqtar hetues tani ka 48 orë kohë për të vendosur mbi hapat e mëtejshëm, tha një person i njohur me hetimin. Komisioni Evropian nuk pranoi të komentojë.
Autoritetet belge po hetojnë Akademinë Diplomatike të Bashkimit Evropian, një program për diplomatët e rinj nga vendet e BE-së që menaxhohet nga Kolegji i Evropës dhe ku Mogherini ka qenë drejtoreshë që nga gushti 2022. Bastisjet u raportuan fillimisht nga Euractiv.
Lënia e ambienteve
EPPO tha se ka “dyshime të forta” se rregullat mbi “konkurrencën e ndershme” janë shkelur kur EEAS i dha tenderin Kolegjit të Evropës për ngritjen e akademisë diplomatike. Hetimi fokusohet në faktin nëse kolegji është informuar paraprakisht për kriteret e përzgjedhjes në procedurën e tenderit përpara se njoftimi zyrtar të publikohej.
Një zyrtar i EEAS-it, që kërkoi anonimati për të folur lirisht, tha se kontrollet u zhvilluan në ndërtesën administrative të institucionit në Bruksel, në Rue d’Arlon 62, dhe jo në godinën kryesore pranë rrethrrotullimit Schuman. Punonjësve iu kërkua të linin ambientet dhe të linin dyert e zyrave dhe mobiliet të hapura.
Një zyrtar i lartë i BE-së i tha POLITICO-s se bastisjet lidhen me një hetim që ka filluar përpara se Kaja Kallas të merrte detyrën në krye të shërbimit të politikës së jashtme të bllokut.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, konfirmoi se policia kishte kontrolluar EEAS-in të martën si pjesë e një “hetimi të vazhdueshëm mbi aktivitetet që kanë ndodhur … në mandatin e mëparshëm”, çka do të thotë para risemërimit të Presidentes së Komisionit Ursula von der Leyen në dhjetor 2024.
E pyetur për më shumë detaje gjatë konferencës ditore të Komisionit, zëdhënësit refuzuan të komentojnë nëse ndonjë punonjës i institucionit ishte ndaluar ose të ofrojnë informacion shtesë mbi hetimin.
EPPO bëri të ditur se kishte kërkuar që autoritetet të hiqnin imunitetin, zakonisht të dhënë diplomatëve, duke i mbrojtur nga veprimi ligjor, për “disa të dyshuar” para nisjes së hetimit, dhe se kjo ishte miratuar. Nuk u saktësua se cilave organe iu janë bërë kërkesat./Politico.eu

Pse u arrestua Mogherini, mbështetësja e zjarrtë e Reformës në Drejtësi
Arrestohet Federica Mogherini, ish-përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë dhe nënkryetare e Komisionit Europian.
Arrestimi i Mogherinit ka efektin e një tërmeti politik në mbarë Europën, por sidomos në Shqipëri, ku për vite me radhë ajo u shfaq si garantja e madhe e Reformës në Drejtësi, njeriu që qeveria Rama e përdorte si vulë besueshmërie për çdo ndërhyrje institucionale. Sot, zonja që predikonte standarde, pavarësi dhe antikorrupsion është vetë nën hetim për mashtrim, korrupsion dhe manipulim tenderësh në zemër të BE-së.
Aktualisht rektorja e Kolegjit të Europës në Bryzh, Mogherini është arrestuar sot së bashku me dy zyrtarë të tjerë të lartë të BE-së. Bastisjet u kryen nga Prokuroria Europiane (EPPO), e cila dyshon për manipulim të një tenderi milionash që i është dhënë institucionit që ajo drejton, Kolegjit të Europës.
Në qendër të hetimit është një program 9-mujor trajnimi për diplomatët e rinj të BE-së një kontratë prestigjioze, me peshë të madhe financiare dhe institucionale. Gjatë viteve 2021–2022, Shërbimi Diplomatik i BE-së (EEAS) i dha këtë projekt (tender) Kolegjit të Europës, por EPPO dyshon se procesi nuk ka qenë i pastër.
Dyshimi kryesor është se Kolegji i Europës, që ka seli edhe në Shqipëri, i drejtuar nga Mogherini, mund të ketë marrë informacion të brendshëm për kriteret e tenderit përpara se ato të bëheshin publike. Pra, mund të ketë pasur paranjohuri që i dha avantazh të padrejtë dhe që, nëse konfirmohet, përbën favorizim dhe shkelje të rëndë të konkurrencës së ndershme.
Pikërisht për këtë arsye Mogherini po hetohet për rolin e saj. Nuk ka prova të shpallura publikisht se ka marrë para ose ka dhënë urdhra të drejtpërdrejtë, por EPPO beson se ajo ka ditur, ka lejuar ose ka përfituar nga qarkullimi i informacionit konfidencial.
Mes të arrestuarve është edhe Stefano Sannino, ish-Sekretari i Përgjithshëm i EEAS, institucioni që organizoi vetë tenderin. Për shkak të pozicionit të tij, ai kishte akses të plotë në dosje dhe kriteret e përzgjedhjes. Hetuesit po përpiqen të zbulojnë nëse ai ka ndarë në mënyrë të paligjshme këto kritere me Mogherinin dhe bashkëpunëtorët e saj.
Ajo që hetohet për momentin përfshin mashtrim në tenderë publikë, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional.
Për të vazhduar hetimet, Prokuroria Europiane ka kërkuar edhe heqjen e imunitetit për disa prej personave të përfshirë.
Operacioni është drejtuar nga një gjyqtar belg dhe EPPO, ndërsa policia federale belge ka kryer bastisjet në Bruksel, Bryzh dhe në banesat e të dyshuarve. Për nga profili i të arrestuarve, ky është një nga aksionet më të forta të EPPO-s ndaj figurave të nivelit të lartë brenda institucioneve të BE-së.
Federica Mogherini nuk është një emër i zakonshëm. Ajo ka qenë ministre e Jashtme e Italisë dhe për 5 vite Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, pozicioni më i lartë diplomatik i Unionit.
Arrestimi i Mogherinit bie veçanërisht në sy në Shqipëri, ku ajo për vite me radhë u pa si person pranë Edi Ramës dhe qeverisë socialiste. Kolegji Europian, për të cilin Mogherini u rreshtua, hapi edhe një degë/seli ne Tiranë. Edi Rama e promovoi fort këtë.
(Von der Leyen, Mogherini e Rama në ceremoninë e hapjes së degës së re të Kolegjit Europian në Tiranë)
Duke qenë se Kolegji i Europës sapo ishte hapur dhe dega e tretë erdhi u hap në Tiranë pas Bryzhit dhe Varshavës, pati hapësirë për dyshimin e arsyeshëm se Mogherini vazhdonte t’i shërbente marrëdhënies me Edi Ramën.
Kujtojmë se Mogherini u paraqit si një nga mbështetëset më të forta politike të Reformës në Drejtësi dhe procesit të vettingut. Mogherini e quante reformën shqiptare shembull për rajonin, një model që duhej ndjekur nga vendet e Ballkanit, ndërsa sot ajo vetë po hetohet për shkelje të rënda të parimeve që predikonte.
Në Shqipëri ajo u akuzua shpesh për një qëndrim të njëanshëm politik, për afërsi me qeverinë e Edi Ramës dhe për mbyllje sysh ndaj kapjes së institucioneve nga ekzekutivi. Kritikët e saj e akuzuan se ajo përdori retorikën e anti-korrupsionit për të legjitimuar një reformë që në shumë aspekte prodhoi më shumë kontroll politik sesa pavarësi institucionale.
Mogherini ishte kontroverse edhe në Kosovë, ku ajo nuk e përjashtoi publikisht idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, një tezë që tronditi diplomacinë europiane, që mbolli pasiguri dhe destabilizoi rajonin ato vite. Pikërisht për këtë, ajo humbi shumë kredibilitet përveç Tiranës, edhe në Prishtinë dhe Shkup, ku u konsiderua si promotore e ideve të rrezikshme për kufijtë.
Tani, me arrestimin e saj, kritikat e vjetra në Shqipëri dhe rajon marrin një dimension të ri, një zyrtare që për vite kërkoi standarde, vlerësoi reforma dhe kërkoi besim nga vendet e Ballkanit, sot akuzohet se vetë ka thyer rregullat themelore të BE-së.
Arrestimi i saj është një goditje e rëndë për imazhin e institucioneve europiane dhe një sinjal se Prokuroria e BE-së nuk po kursen askënd, pavarësisht statusit apo emrit.
Për momentin, çështja është në fazë hetimore, por implikimet politike dhe institucionale janë të mëdha. Skandali i Mogherinit rrezikon të hapë një nga kapitujt më të errët të historisë së tenderëve të BE-së, pikërisht në zemër të establishmentit europian./LAPSI.al















