A janë SHBA-të dhe Rusia në të njëjtën linjë? Ndërsa Uashingtoni i del papritur përballë Moskës me më shumë fleksibilitet, Gjermania po armatoset dhe së shpejti mund të ketë ushtrinë më të fortë në Evropë. Por NATO ka një boshllëk të madh sigurie. Çfarë nënkupton kjo për Evropën?
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka lavdëruar Gjermaninë si një fuqi udhëheqëse në partneritetin transatlantik: “Gjermania po jep një shembull të mirë”.
Të enjten, ai u prit nga kancelari gjerman Friedrich Merz në Kancelari. Merz theksoi se Evropa duhet të bëjë “shumë më tepër” në aspektin e sigurisë dhe të bëhet më e pavarur nga SHBA-të, në mënyrë që, në rast lufte, të jetë në gjendje të përballet e vetme me Rusinë.
Por Rusia tashmë ndodhet në luftë me Evropën – në një farë mënyre – paralajmëron John Lough, ish-punonjës i NATO-s dhe ekspert gjeopolitik në Qendrën New Eurasian Strategies (NEST), një organizatë e themeluar nga kundërshtari i Putinit, Mikhail Khodorkovski.
Sipas tij, Rusia po teston Perëndimin: së fundmi, shërbimet sekrete daneze paralajmëruan se Rusia po përgatitet për një sulm ndaj NATO-s. Sipas raportit të publikuar të mërkurën, Rusia mund të jetë gati për një luftë të madhe deri në vitin 2031.
Aktualisht mund të flitet për një luftë psikologjike, thotë eksperti gjeopolitik. “Rusët duan që europianët të besojnë se ata janë të cenueshëm dhe se Rusia, në fund, do të jetë në gjendje të diktojë kushtet e një sistemi të ri sigurie në Evropë”, thekson Lough.
Lough beson se Rusia po ndjek një strategji të veçantë: “Një pjesë e përpjekjes ruse është të largojë vëmendjen nga Ukraina dhe të ekspozojë disa nga dobësitë mbrojtëse europiane, në mënyrë që Evropa të fillojë të investojë më shumë në mbrojtjen e vet dhe më pak në mbrojtjen e Ukrainës”.
Kërcënimet ruse synojnë të prekin frikërat në Evropë. Rusia përpiqet të krijojë përshtypjen se është shumë e rrezikshme dhe e paparashikueshme – dhe duket se ia del.
“Ushtria ruse mund të ishte mposhtur në vitin 2022”
“Kur ushtria ukrainase përparoi në fund të vitit 2022, ajo i kishte vënë rusët vërtet nën presion të madh”, thotë Lough. Eksperti i Europës Lindore beson se ushtria ruse, në atë moment, realisht mund të ishte mposhtur – me më shumë mbështetje.
“Ky moment u humb, sepse disa udhëheqës perëndimorë ishin shumë të shqetësuar se një ushtri ruse në tërheqje mund të përdorte një armë taktike bërthamore”, thotë ai.
“Megjithëse atëherë nuk mund të përjashtohej plotësisht kjo mundësi, mendoj se gjasat ishin tepër të ulëta”, vijon Lough.
Shtohet edhe fakti se SHBA-të dhe Rusia duken sikur po lëvizin në të njëjtin drejtim. Së fundmi, administrata Trump paraqiti një draft-marrëveshje paqeje për Ukrainën, për të cilën thuhet se përfaqëson kryesisht interesat e Rusisë.
“Për momentin, rusët mezi e besojnë fatin e tyre që në Uashington kanë dikë që është realist, që duket se flet gjuhën e tyre dhe pajtohet me ta në shumë çështje – përfshirë idenë se Evropa po degradon, është e dobët dhe nuk është më në gjendje të projektojë vlerat e saj si dikur”, thotë Lough.
“Kjo përputhje interesash midis Uashingtonit dhe Moskës është absolutisht e jashtëzakonshme”, shton ai.
Gjermania në rrugën drejt “ushtrisë më të fuqishme në Evropë”
Në konferencën e përbashkët për shtyp në Kancelari, Merz theksoi: “Një zgjidhje negociuese duhet të ruajë interesat e sigurisë evropiane”. Një marrëveshje paqeje nuk duhet të dëmtojë unitetin e BE-së dhe NATO-s, tha kancelari. Sipas tij, është thelbësore që edhe europianët të jenë pjesë e këtij procesi. “Asnjë paqe mbi kokat tona”, tha Merz.
Problemi, sipas tij: Bashkimi Europian, në Uashington, nuk konsiderohet siç duhet. Qeveria amerikane e ka të vështirë të kuptojë BE-në si një bashkim shtetesh. Për këtë arsye, Merz ofroi të flasë me SHBA-të edhe në emër të vendeve të tjera anëtare.
Rutte nënvizoi: Gjermania po jep një “sinjal të rëndësishëm se Evropa është e gatshme të marrë edhe më shumë përgjegjësi”.
Këtë e konfirmon edhe Lough: “Gjermania ka filluar të investojë sërish në mbrojtje dhe – nëse ky proces përfundon me sukses – do të ketë ushtrinë më të fuqishme në Evropë”.
Gjermania mund të luajë gjithashtu një rol kyç në stabilizimin e Ukrainës pas luftës.
Boshllëku i sigurisë në NATO: “Projekt në kohë të mirë” shtetet baltike
Por BE-ja dhe NATO kanë një boshllëk kritik sigurie: shtetet baltike. “Zgjerimi i NATO-s me shtetet baltike ishte një projekt ‘me mot të mirë’”, thotë Lough. Në atë kohë, askush nuk besonte seriozisht se një situatë si ajo e sotmja mund të bëhej realitet.
Presidenti amerikan Donald Trump ka nënvizuar vazhdimisht dëshirën për t’u tërhequr më shumë nga çështjet e sigurisë në Evropë. A duhet tani BE-ja t’i mbushë vetë këto boshllëqe – edhe në Detin Baltik?
“Nuk besoj se SHBA-të do ta braktisin thjesht Evropën”, thotë Lough.
Për më tepër, Rusia, pavarësisht deklarimeve të veta, të paktën aktualisht nuk është e përgatitur për një luftë me NATO-n. “Ushtria ruse lufton shumë më mirë se në shkurt 2022, por ende nuk lufton mirë”, thotë Lough. Në Donbas, ushtria ruse po avancon vetëm “me ritmin e një kërmilli”.
Në konferencën për shtyp, Merz deklaroi se një epokë e re ka nisur dhe kërkon përgjigje të reja. Evropa ka kohën për t’i përgatitur këto përgjigje, shton Lough. “Rindërtimi i ushtrisë ruse do të zgjasë më shumë se pesë vjet”.















