Ballina Kronika Kush është këngëtari nga Maqedonia që u rrëmbye në qendër të Beogradit?

Kush është këngëtari nga Maqedonia që u rrëmbye në qendër të Beogradit?

Këngëtari Daniel Kajmakoski është rrëmbyer mbrëmë në Beograd pas një performance në një klub. Dy sulmues e kanë futur me kërcënime në një automjet dhe kanë kërkuar shpërblim prej 20.000 eurosh, por këngëtari u shpëtua pas një ndjekjeje policore, transmeton Tetova News.

Kush është Daniel Kajmakoski?

Daniel Kajmakoski (42 vjeç) është këngëtar dhe autor tekstesh nga Maqedonia e Veriut, i lindur më 17 tetor 1983 në Strugë. Ai u bë i njohur për publikun rajonal si fitues i sezonit të parë të X Factor Adria. Në vitin 2015 përfaqësoi Maqedoninë e Veriut në Eurovision Song Contest në Vjenë me këngën “Autumn Leaves”.

Gjatë karrierës ka bashkëpunuar me muzikantë të njohur nga rajoni; ndër hitet më të spikatura është “Skopje Beograd”, e realizuar me Željko Joksimović.

Është i martuar me Marina Kajmakoskin dhe ka dy fëmijë: djalin Stefan dhe vajzën Emilija.

Rrëmbim “si në filma” në qendër të Beogradit

Sipas informacioneve të policisë, rrëmbimi ndodhi rreth orës 00:50 përpara një klubi në rrugën Karađorđeva. Pasi Kajmakoski përfundoi performancën dhe u ul në makinën e tij, iu afruan dy persona të panjohur. Ata e kërcënuan, ia lidhën duart me shirit ngjitës dhe e futën me forcë në automjet.

Mediet raportojnë se rrëmbyesit i mbajtën armë zjarri të drejtuar te koka, duke e kërcënuar me vdekje atë dhe familjen e tij nëse nuk siguronte shumën e kërkuar.

Policia e Beogradit nisi një ndjekje që përfundoi pranë Rumës. Automjeti i rrëmbyesve u përplas me barrierën mbrojtëse, pas së cilës ata arritën të arratiseshin në errësirë. Këngëtari u gjet i lidhur në makinën e dëmtuar rëndë, por fatmirësisht pa lëndime të rënda fizike. Kajmakoski është i sigurt dhe ka dhënë deklaratë në polici, ndërsa hetimet janë në vazhdim.