Gjenerali në pension Keith Kellogg bëri thirrje për një strategji “ushtarake në terren” për rihapjen me forcë të Ngushticës së Hormuzit dhe mbajtjen e saj të hapur në mënyrë të përhershme.
Ish-komandanti i Divizionit të 82-të Ajror të Ushtrisë amerikane argumentoi se trupat duhet të vendosen për të marrë nën kontroll ishuj kyç iranianë, me qëllim që të thyhet kontrolli i Iranit mbi furnizimin me naftë. Kellogg veçoi ishullin Kharg, një nyje jetike në Gjirin Persik, si pikë kyçe për eksportet iraniane të naftës.
“Unë besoj fuqishëm në dërgimin e trupave në terren, jo domosdoshmërisht brenda Iranit, por për marrjen e Ishullit Kharg dhe gjithashtu për marrjen nën kontroll të Ngushticës së Hormuzit”, tha Kellogg të martën në emisionin “Fox & Friends”.
Ai argumentoi se marrja e Ishullit Kharg do t’ia hiqte Teheranit “linjën ekonomike të jetës” dhe do të siguronte që ai të mos mund ta mbante më peng ekonominë globale. Kellogg e krahasoi këtë strategji me taktikat e legjioneve romake, duke theksuar se vetëm fuqia ajrore dhe detare nuk mjaftojnë.
“Me kalimin e kohës, gjatë historisë, e vetmja mënyrë për të gjetur një zgjidhje është të vendosësh ushtarë në terren dhe të kontrollosh mjedisin”, tha Kellogg, i cili vitin e kaluar shërbeu si i dërguar special i Presidentit Donald Trump për Ukrainën.
“Mund të bësh gjëra të caktuara nga ajri, mund të bësh gjëra nga deti, por vjen një moment kur duhet të pushtosh tokën.”/TetovaNews















