PRESIDENTI i SHBA-së Donald Trump dje, në një tryezë të rrumbullakët me drejtues kombëtarë ushtarakë dhe të drejtësisë në Memphis, tha se ministri i tij i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ishte i pari që propozoi sulmet ndaj Iranit.
“E thirra Pete-in, e thirra gjeneralin [Dan] Caine, i thirra shumë nga njerëzit tanë të shkëlqyer, kemi shumë njerëz të shkëlqyer, dhe thashë: ‘Le të bisedojmë’”, tha Trump.
“Kemi një problem në Lindjen e Mesme. Kemi një shtet, i njohur si Irani, që prej 47 vitesh nuk ka qenë asgjë tjetër përveçse promovues i terrorit dhe janë shumë pranë që të sigurojnë armë bërthamore”, vazhdoi ai.
“Mund të vazhdojmë dhe ta rrisim numrin e ushtarëve nga 50 mijë në 55 dhe 60 mijë pa fund në horizont, ose mund të ndalemi, të bëjmë një udhëtim të shkurtër në Lindjen e Mesme dhe të eliminojmë një problem të madh”, tha Trump dhe u kthye nga ministri i Mbrojtjes.
“Dhe Pete, mendoj se ti ishe i pari që dole dhe the: ‘Le ta bëjmë këtë, sepse nuk mund t’u lejojmë të kenë armë bërthamore.’ Kështu që tani po zhvillojmë bisedime vërtet të mira. Filluan mbrëmë, uh, pak, një natë më parë…”, tha ai.
⚡️Trump on Iran:
Pete Hegseth was the first one to speak up. He said, “Let’s do it.” pic.twitter.com/5EU0EgelwS
— War Intel (@warintel4u) March 23, 2026
Irani: Nuk ka pasur negociata, këto janë lajme të rreme
Pretendimin e Trumpit se anëtarë të administratës së tij më herët gjatë asaj dite kishin zhvilluar bisedime “shumë të mira dhe produktive” për armëpushim me Teheranin, regjimi iranian e hodhi poshtë, duke përdorur me ironi shprehjen e Trumpit, si “lajme të rreme”.
Mohammad Bagher Ghalibaf, kryetari i parlamentit iranian, deklaroi: “Nuk është zhvilluar asnjë negociatë me SHBA-në, ndërsa lajmet e rreme po përdoren për të manipuluar tregjet financiare dhe të naftës, si dhe për të dalë nga balta në të cilën SHBA-ja dhe Izraeli janë bllokuar.”
I pyetur për mohimin iranian para se të hipte në avionin presidencial, Trump tha: “Epo, do të duhet të gjejnë njerëz më të mirë për marrëdhënie me publikun. Patëm bisedime shumë përmbajtësore. I zhvilluan [Steve] Witkoff dhe [Jared] Kushner. Kaluan në mënyrë të përsosur.”
Përshkallëzimi i konfliktit dhe rritja e çmimeve të naftës
Si përgjigje, Irani të hënën në mbrëmje nisi një valë të re sulmesh raketore ndaj aleatëve amerikanë dhe izraelitë në gjithë Gjirin, ndërsa në Tel Aviv u dëgjuan sirenat e alarmit ajror.
Administrata Trump ka ofruar një sërë arsyetimesh të ndryshme për vendimin e saj për t’iu bashkuar sulmit izraelit ndaj Iranit. Ndër to janë pretendimet se Teherani kishte vazhduar përpjekjet për prodhimin e bombës bërthamore dhe përbënte një kërcënim të drejtpërdrejtë për SHBA-në, pavarësisht deklaratës së Trumpit vitin e kaluar se ai i kishte “shkatërruar” kapacitetet e tyre me sulme të shënjestruara.
Sulmet arritën objektivin e tyre kryesor, vrasjen e ajatollah Ali Khameneit në ditën e parë të operacionit, duke i dhënë fund sundimit të tij 47-vjeçar si udhëheqës suprem.
Megjithatë, armiqësitë kanë çuar në sulme hakmarrëse ndaj objektivave në mbarë rajonin, në të cilat deri më tani kanë humbur jetën 13 ushtarë amerikanë, ndërsa çmimet globale të karburanteve u rritën pasi Teherani bllokoi Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon një e pesta e naftës botërore./TetovaNews















