Ballina Lajme Selena Gomez dhe Demi Lovato ribashkohen pas 10 vitesh

Selena Gomez dhe Demi Lovato ribashkohen pas 10 vitesh

Selena Gomez dhe Demi Lovato janë ribashkuar pas më shumë se një dekade, duke emocionuar fansat e tyre në mbarë botën.

Aktorja e serialit “Only Murders in the Building”, Selena Gomez, surprizoi publikun kur mori pjesë në koncertin hapës të turneut “It’s Not That Deep Tour” të Demi Lovato-s, i mbajtur në Orlando, Florida.

Ajo ndau momente nga mbrëmja në Instagram, përfshirë edhe një foto ku përqafon Lovato-n në prapaskenë.

Gomez u shpreh e prekur nga performanca e ish-mikeshës së saj, duke shkruar se ishte “në lot” dhe duke e cilësuar koncertin si një nga më të mirët që ka parë ndonjëherë. Ajo vlerësoi veçanërisht vokalin e Lovato-s, duke thënë se ishte “e mahnitur”.

Gjatë koncertit, një tjetër surprizë për fansat ishte paraqitja në skenë e Joe Jonas, i cili interpretoi së bashku me Lovato disa këngë nga koha e tyre në “Camp Rock”.

Selena Gomez dhe Demi Lovato njihen prej vitit 2002, kur luajtën së bashku në “Barney & Friends”. Ato u bënë shumë të afërta gjatë viteve në Disney, me Gomez në “Wizards of Waverly Place” dhe Lovato në “Sonny with a Chance”, si dhe bashkëpunuan në filmin “Princess Protection Program”.

Megjithatë, pas largimit nga Disney, marrëdhënia e tyre u ftoh. Në një intervistë të vitit 2020, Lovato kishte deklaruar se nuk ishin më shoqe, edhe pse theksonte se do të kishte gjithmonë dashuri dhe respekt për Gomez.