Ballina Lajme KOMUNITETI SHQIPTAR NË DANIMARKË: NË KUJTIM TË FADIL OSMANIT – FRENKIT

KOMUNITETI SHQIPTAR NË DANIMARKË: NË KUJTIM TË FADIL OSMANIT – FRENKIT

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Një jetë në shërbim të lirisë, një kujtim që nuk shuhet

1968–2026 | U nda nga jeta më 1 nëntor 2026; u varros me nderime më 2 nëntor në Tetovë.

Komuniteti shqiptar në Danimarkë shpreh dhimbjen dhe ngushëllimet e sinqerta për ndarjen nga jeta të Fadil Osmanit, të njohur me nofkën Frenki, veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Frenki ishte pjesë e brezit që, në momente të rëndësishme historike, u rreshtua në shërbim të lirisë, dinjitetit dhe të drejtave kombëtare. Kontributi i tij do të mbetet pjesë e kujtesës së bashkëluftëtarëve dhe të të gjithë atyre që e njohën.

Më 2 nëntor 2026, Fadil Osmani – Frenki u përcoll për në banesën e fundit me nderime të larta, në varrezat e Tetovës.

Përtej respektit për veprën dhe kontributin e tij, qëndron edhe një realitet që meriton vëmendjen tonë njerëzore: Frenki nuk la pasardhës; pas tij mbeti vëllai i vetëm, i cili përballet me një gjendje të rënduar ekonomike.

Kujtimi për një njeri që kontribuoi në rrugën e lirisë nuk duhet të përfundojë vetëm me fjalë nderimi. Është edhe përgjegjësi morale e shoqërisë të tregojë solidaritet dhe përkujdesje ndaj familjarit që ai la pas. Respekti dëshmohet edhe përmes kujdesit konkret ndaj njerëzve të tyre.

Në emër të komunitetit shqiptar në Danimarkë, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta vëllait, familjarëve, bashkëluftëtarëve, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e çmuan Fadil Osmanin – Frenkin.

Lavdi jetës dhe veprës së tij!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!

“Të jetosh në mesin e atyre që lë pas, do të thotë të mos vdesësh kurrë.”

Havzi Sulejmani – Xhaxhi
Kopenhagë, 3 nëntor 2026