Një ngjarje tragjike ka goditur familjen Musaraj dhe komunitetin e Treblovës së Vlorës. Xhovalin Selamet Musaraj, 33 vjeç, ka humbur jetën aksidentalisht në Itali.
Lajmi i rëndë është bërë i ditur fillimisht nga familjarët e tij, ndërsa më pas është konfirmuar edhe nga Shoqata Atdhetare Kulturore “Treblova”.
Sipas njoftimeve të publikuara në rrjetet sociale, 33-vjeçari ka ndërruar jetë para disa ditësh (5 korrik 2026) në zonën e Colle di Val d’Elsa, në rajonin e Toskanës. Rrethanat konkrete të aksidentit që i mori jetën nuk janë bërë ende publike.
Trupi i të ndjerit është sjellë nga Italia në Shqipëri, ndërsa ceremonia e varrimit do të zhvillohet më 10 korrik 2026, në orën 12:00, në vendlindjen e tij, në Treblovë të Vlorës.
Humbja e Xhovalin Musarajt ka shkaktuar dhimbje të thellë te prindërit, familjarët, të afërmit, miqtë dhe bashkëfshatarët e tij.
Sipas familjarëve, kjo është tragjedia e dytë e rëndë që godet familjen Musaraj brenda rreth dhjetë vjetësh. Prindërit kishin humbur më parë edhe një djalë tjetër, Kenon, në moshën vetëm 15-vjeçare.
Në postimet e tyre, të afërmit kanë përshkruar pritjen e dhimbshme për kthimin e trupit të 33-vjeçarit nga Italia, duke e cilësuar kurbetin si plagën që ua mori djalin dhe ua ktheu të pajetë në vendlindje.
Familjari Vendim Musaraj, i cili ndodhet në Pistoia të Toskanës, ka publikuar një mesazh dhe një poezi prekëse kushtuar Xhovalinit, prindërve të tij, Selamet dhe Durimja Musaraj, si dhe dhimbjes së gjithë familjes.
Shoqata Atdhetare Kulturore “Treblova” i ka shprehur ngushëllimet familjes, duke e cilësuar të ndjerin “bir të Treblovës”.
Rrethanat e plota të aksidentit nuk janë bërë të ditura, ndërsa familja po përgatitet ta përcjellë 33-vjeçarin për në banesën e fundit.
Xhovalin Selamet Musaraj u prehtë në paqe!

Reagimi i plotë i familjarit Vendim Musaraj
“Mirëmëngjes, miq dhe shokë të nderuar.
Sot ju bëj me dije se dje pasdite, në orën 16:00, u nda nga jeta në Colle di Val d’Elsa, Toskanë, Itali, djali ynë i Musarajve, Xhovalin Musaraj.
I lindur në vitin 1993, 33 vjeç, beqar.
Një fatkeqësi për jetën e tij, për prindërit dhe për të gjithë fisin Musaraj në Treblovë të Vlorës.
Është djali i dytë i kësaj familjeje që humbet jetën brenda dhjetë vjetëve. I pari ishte 15 vjeç dhe sot u nda nga jeta edhe djali tjetër, në moshën 33-vjeçare.
Nuk ka dhimbje më të rëndë, o bir, që na dëshpërove.
Nuk ma nxë goja të them, o nip, u prehsh në paqe në këtë moshë.
Pa u tharë lotët për vëllain tënd, Skënderin, sot na le edhe ti, Xhovalin. Syri do të na verbohet nga lotët që ike në këtë moshë.
Kurajë, o vëllai im Selamet, bashkëshortja, kunata dhe motra jonë. Durim!
Po të shkruaj me lot në sy, o vëllai ynë i mirë.”
Njoftimi i plotë i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Treblova”
“Me hidhërim të thellë ju njoftojmë se biri i Treblovës, Xhovalin Selamet Musaraj, humbi jetën aksidentalisht në Itali, në moshën 33-vjeçare.
Të afërmit do ta sjellin trupin në atdhe.
Varrimi do të bëhet më datë 10.07.2026, në orën 12:00, në vendlindjen e tij, në Treblovë.
I shprehim ngushëllimet tona të sinqerta familjes!
Me respekt,
Kryesia e Shoqatës Atdhetare Kulturore ‘Treblova’.”

Poezia prekëse kushtuar Xhovalin Musarajt
“Loti që nuk pushon kurrë”
Katër ditë dhe katër net,
Nënë e babë mezi po pret.
Lotët u derdhën si det,
Ç’më bëre, more kurbet,
Ma solle djalin të pajetë.
Xhovalin, o biri i nënës,
Xhovalin, të flet babai.
Na dogji helmi i zemrës,
Të shikojmë afër te vëllai.
Të rrita, të bëra burrë,
Ç’ma dogji shpirtin kurbeti.
Nënë Durimja s’duron kurrë,
U mbyt në lot Selameti.
Hajde, bir, më thuaj një fjalë,
Se ke mall për te shtëpia.
Lotët si breshër na ranë,
Miq e shokë i ka zënë zija.
O kurbet, pse më dënove?
Ma solle djalin të pajetë.
Për gjithë jetën më lëndove,
Mallin, bir, me lot do ta tret.
Nëna zërin s’ta harron,
Kur qaje me zë fëmijë.
Shpirti i saj kurrë s’duron,
Gjithë jetën të mban në gji.
O bir, o nip, o vëlla,
O shpirt, o zemra jonë!
E gjithë familja Musaraj,
Miqtë dhe shokët të vajtojnë.
U prehtë në paqe shpirti yt,
Pranë vëllait tënd 15-vjeçar, Kenos.
Vendim Musaraj
Pistoia, Toskanë, Itali















