Ballina Lajme 37-vjeçarja shtatzënë ndërroi jetë gjatë transportimit në Tiranë, e motra mes lotësh:...

37-vjeçarja shtatzënë ndërroi jetë gjatë transportimit në Tiranë, e motra mes lotësh: Na vonuan tre orë në Pogradec, mbase do kishte shpëtuar…

Motra e 37-vjeçares shtatzënë që humbi jetën gjatë transportit drejt Tiranës, kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe drejtësi. Ajo rrëfen se motra e saj, shtatzënë në muajin e shtatë, u paraqit në maternitetin e Pogradecit me dhimbje të forta rreth mesnatës dhe, sipas saj, pas një ekoje u konstatua gjakderdhje e brendshme dhe nevoja për transport urgjent drejt Tiranës.

Motra e 37-vjeçares: Vajta e çova në maternitet sepse motra ishte shtatzënë. Aty ishte mjekja roje dhe i bëri një eko, tha ka gjakderdhje të brendshme. Ajo tha duhet ta çojmë për Tiranë direkt. Pastaj u mblodhën të gjithë infermierët, dhe mjekja tha duhet çuar sa më parë. Dëgjova disa që po thoshin “duhet të vijë helikopteri”, ndërsa disa thoshin “jo nuk vjen tani se është natë”. Kështu i dëgjoja. Ajo tha ‘nuk kam çfarë t’i bëj më’. Pastaj nuk e di me kë foli doktoresha, erdhën mjekët e reanimacionit të spitalit të Pogradecit. Ata thoshin nuk mund ta çojmë pa pasur një mjek me vete.  Atje në reanimacion pati edhe disa vonesa të tjera.

Sipas dëshmisë së saj, nga momenti i paraqitjes në spital deri në nisjen me ambulancë kanë kaluar rreth tre orë, kohë gjatë së cilës familjarët kanë kërkuar që 37-vjeçarja të transportohej sa më shpejt. Motra pretendon se në spital është diskutuar edhe mundësia e transportit me helikopter, ndërsa më pas është vendosur që pacientja të shoqërohej nga një mjek gjatë udhëtimit.

37-vjeçarja u nis drejt Tiranës rreth orës 04:00, por gjatë rrugës gjendja e saj u rëndua dhe ajo ndërroi jetë. Motra e saj ngre pikëpyetje mbi kohën e qëndrimit në Pogradec dhe kërkon që autoritetet të përcaktojnë nëse vonesat kanë ndikuar në fatin e pacientes.

Motra e 37-vjeçares: Me ambulancë për Tiranë e nisën në orën 4 të mëngjesit. Ajo ka qenë më dhimbje gjatë gjithë kohës. Nga ora 1 deri në 4 i vendosën vigonë, serume, nuk e di… unë po i thoja ta çojmë sa më shpejt se po e shikoja që kishte shumë dhimbje. U nisëm drejt Tiranës. Të paktën motra do kishte shpëtuar, mbase fëmija jo, s’e di. Sikur gjysmë ore më përpara të ishim nisur do kishim arritur në Tiranë më shpejt. Tre orë në Pogradec kanë qenë humbje kohe. Kërkoj drejtësi, të zbardhet e vërteta, iku nga pakujdesia apo nga shkaqe të tjera natyrore? Po të kishte pasur më shumë shpejtësi, motra do ishte këtu sot.

Shkaqet e sakta të vdekjes pritet të përcaktohen nga ekspertiza dhe autopsia mjeko-ligjore.