Viti i ri shkollor 2026/2027 nis nesër për rreth 238 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut, por të dhënat e fundit nxjerrin në pah një problem gjithnjë e më serioz demografik.
Në vend aktualisht ka 148 objekte shkollore tërësisht bosh, kryesisht në zonat rurale, si pasojë e rënies së natalitetit dhe emigrimit.
Këtë vit në klasën e parë do të ulen 14.952 nxënës. Për krahasim, në vitin 2016 kishte 23.266 nxënës të klasës së parë, pra mbi 8 mijë më shumë se sot.
Rënia ka vazhduar pothuajse çdo vit, ndërsa vetëm gjatë një viti shkollor, sipas analizave demografike, shkollat humbin mesatarisht rreth 1.000 nxënës, ndër të tjera për shkak të largimit jashtë vendit të familjeve të tëra.
Në Maqedoninë e Veriut ka gjithsej 1.023 objekte shkollore në arsimin fillor dhe të mesëm, ndërsa në 620 prej tyre mësimi këtë vit do të zhvillohet në një ndërrim.
Për vitin e ri shkollor janë siguruar 622 mijë tekste mësimore. Komplekte të reja do të marrin nxënësit e klasave të para, të dyta, të treta dhe të teta, si dhe nxënësit e vitit të dytë të gjimnazit.
Për shumicën e nxënësve viti shkollor do të përfundojë më 10 qershor 2027, ndërsa maturantët do ta mbyllin mësimin më 17 maj.
Pamja është gjithnjë e më kontrastuese: klasa të mbushura në qytetet e mëdha dhe gjithnjë e më shumë shkolla të zbrazëta në vendbanimet që po humbin popullsinë e re.















