Bëhet fjalë për Mira Muratin dhe Uljan Sharkën, dy emra me një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në industrinë ndërkombëtare të teknologjisë.
Përzgjedhja e tyre i vendos dy shqiptarët përkrah disa prej figurave më të njohura të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në botë. Në listën e këtij viti janë përfshirë drejtues, studiues, inovatorë dhe sipërmarrës nga kompanitë më të mëdha të teknologjisë, universitetet, qendrat kërkimore, politika, biznesi dhe industria krijuese.
Mira Murati, nga OpenAI te Thinking Machines Lab

Mira Murati, e cila më herët ka mbajtur postin e drejtoreshës së teknologjisë në OpenAI, është tashmë bashkëthemeluese dhe CEO e kompanisë Thinking Machines Lab.
Ajo është përfshirë edhe në kopertinën globale të këtij edicioni të TIME, së bashku me disa prej emrave më të njohur të industrisë së teknologjisë, mes tyre Sam Altman, Elon Musk, Jeff Bezos dhe Ilya Sutskever.
TIME e përshkruan Muratin si një prej figurave që po kontribuojnë në përcaktimin e mënyrës se si do të zhvillohet dhe përdoret inteligjenca artificiale në vitet e ardhshme.
Në profilin kushtuar saj, revista ndalet te puna e Muratit në Thinking Machines Lab dhe te synimi i kompanisë për të zhvilluar sisteme të AI më fleksibël dhe më të përshtatshme për nevojat e përdoruesve.
Kompania u themelua nga Murati në vitin 2025 dhe, sipas TIME, ka siguruar rreth 2 miliardë dollarë financim në raundin fillestar. Thinking Machines Lab ka lidhur gjithashtu një marrëveshje me Nvidia për furnizimin me çipa të avancuar, të cilët do të përdoren në zhvillimin e teknologjive të reja të inteligjencës artificiale.
Për Muratin, përfshirja në “TIME100 AI 2026” është një tjetër vlerësim i rëndësishëm pas një karriere të shpejtë në majat e industrisë së teknologjisë. Pas largimit nga OpenAI në vitin 2024, ajo zgjodhi të ndërtojë kompaninë e saj, duke u rikthyer si një prej protagonisteve të garës globale për zhvillimin e AI.
Uljan Sharka, shqiptari në krye të një prej kompanive më të rëndësishme evropiane të AI

Në të njëjtën listë është përfshirë edhe Uljan Sharka, themelues dhe CEO i kompanisë italiane të inteligjencës artificiale Domyn, një prej kompanive kryesore evropiane të sektorit, me një vlerësim prej më shumë se 2 miliardë dollarësh.
Në profilin e tij, TIME fokusohet te vizioni i Sharkës për zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe veçanërisht te koncepti i “AI sovrane”, përmes të cilit klientët mund të kontrollojnë të dhënat dhe modelet e tyre.
Sharka argumenton se inteligjenca artificiale ende nuk ka arritur pikën ku modelet plotësisht autonome mund të zëvendësojnë lehtësisht punonjësit, por paralajmëron për rreziqe të tjera, përfshirë manipulimin e opinionit publik dhe automatizimin e sulmeve kibernetike.
Domyn është fokusuar veçanërisht në sektorë të ndjeshëm dhe të rregulluar, si financa, shëndetësia, qeverisja dhe mbrojtja.
Një prej projekteve më të rëndësishme të kompanisë është EUROPA, një konsorcium i udhëhequr nga Domyn, i cili në qershor u përzgjodh nga Komisioni Evropian për të marrë mbështetje për ndërtimin e një modeli të inteligjencës artificiale tërësisht open-source që do të mbulojë të 24 gjuhët zyrtare të Bashkimit Evropian.
Synimi është forcimi i kapaciteteve të Evropës për zhvillimin e teknologjive të avancuara të AI dhe përdorimi i infrastrukturës së saj, në një kohë kur kontinenti kërkon të reduktojë varësinë nga modelet amerikane dhe kineze.
Domyn, e mbështetur nga kompania e Abu Dhabit G42, planifikon gjithashtu ndërtimin në Itali të një prej superkompjuterëve më të mëdhenj të Evropës për inteligjencën artificiale, në partneritet me G42 dhe Nvidia.
Dy shqiptarë në hartën globale të inteligjencës artificiale
Përzgjedhja e Mira Muratit dhe Uljan Sharkës në “TIME100 AI 2026” vjen në një moment kur inteligjenca artificiale po shndërrohet me shpejtësi nga një teknologji eksperimentale në një pjesë të rëndësishme të ekonomisë dhe jetës së përditshme.
Sipas TIME, lista e vitit 2026 synon të evidentojë njerëzit që po përcaktojnë mënyrën se si AI do të zhvillohet dhe përdoret në të ardhmen.
Dy emrat shqiptarë në këtë listë përfaqësojnë dy drejtime të ndryshme të së njëjtës garë: Murati nga qendra amerikane e industrisë së AI dhe Sharka nga përpjekja evropiane për të ndërtuar një inteligjencë artificiale më të pavarur dhe sovrane. Përshtati Politiko.al















