Ballina Kronika Arratisje si në filma, 35-vjeçari pret hekurat e qelisë

Arratisje si në filma, 35-vjeçari pret hekurat e qelisë

Skena si në filma janë zhvilluar në burgun Duisburg-Hamborn të Gjermanisë, ku një 35-vjeçar i dënuar ka arritur të arratiset gjatë natës, pasi ka prerë një nga hekurat e qelisë së tij dhe më pas është ngjitur përgjatë fasadës së ndërtesës deri në çati.

Kjo është arratisja e dytë spektakolare nga një burg gjerman brenda pak ditësh.

Arratisja ndodhi në orët e para të së dielës. I burgosuri ndodhej në qelinë e tij në katin e tretë, ndërsa çatia e ndërtesës ndodhet mbi katin e katërt.

Sipas autoriteteve gjermane, 35-vjeçari arriti të presë një nga hekurat e dritares së qelisë së tij, e cila shihte nga oborri i brendshëm i burgut, dhe më pas të hapte dritaren.

Duke përdorur edhe tavolinën e qelisë si levë, ai arriti të shtynte grilën mbrojtëse të brendshme dhe të krijonte një hapësirë mjaft të ngushtë, përmes së cilës mundi të kalonte.

Më pas doli në fasadën e burgut dhe, në një mënyrë që ende nuk është bërë e ditur, arriti të ngjitej deri në çati. Nga aty, 35-vjeçari zbriti në pjesën e jashtme të ndërtesës dhe u zhduk.

Gjatë kontrollit të qelisë së tij, autoritetet zbuluan një hapësirë të fshehtë poshtë dyshemesë, ku ai kishte fshehur veglat që përdori për arratisjen.

Publicitet

Autoritetet janë vënë në kërkim të tij. Sipas të dhënave të bëra publike, 35-vjeçari është rreth 1.75 metra i gjatë, ka trup të dobët dhe në krahun e djathtë ka një tatuazh me portretin e një gruaje.

I riu, me origjinë serbe, ndodhej në paraburgim që prej 10 shkurtit dhe përballej me akuza për vjedhje. Në fund të majit, ai u dënua me gjashtë vite burg për dy grabitje të banesave, të cilat kishin shkaktuar dëme të mëdha financiare. Megjithatë, vendimi ende nuk ka marrë formë të prerë.

Arratisja e dytë brenda pak ditësh

Siç raporton transmetuesi publik gjerman WDR, arratisja e re ndodhi vetëm pak ditë pas zhdukjes së mashtruesit të njohur gjerman, Hendrik Holt, nga një burg në Berlin.

36-vjeçari ishte dënuar me tetë vite burg për mashtrim, pasi për vite me radhë u kishte shitur investitorëve të huaj parqe eolike që nuk ekzistonin, përmes një biznesi familjar, duke përfituar miliona euro.