Ballina Kronika Turist amerikan goditet nga rrufeja në Etna, humb jetën pranë majës së...

Turist amerikan goditet nga rrufeja në Etna, humb jetën pranë majës së vullkanit

Një turist amerikan ka humbur jetën pasi është goditur nga rrufeja në vullkanin Etna, në ishullin italian të Sicilisë.

Sipas agjencive italiane të lajmeve ANSA dhe Adnkronos, viktima ishte rreth 30 vjeç dhe ndodhej në vullkan gjatë një stuhie me vetëtima. Një helikopter shpëtimi e transportoi në spital, por sipas raportimeve ai kishte ndërruar jetë.

Prej më shumë se një jave, Etna është në aktivitet të shtuar, duke nxjerrë hi dhe llavë. Shpërthimi i vullkanit më aktiv të Evropës ka shkaktuar probleme të mëdha në transportin ajror në Sicili. Operacionet në aeroportin e Katanias u pezulluan plotësisht për disa ditë, ndërsa qindra fluturime u anuluan ose u devijuan.

Aktiviteti vullkanik tërheq shumë vizitorë

Rrjedhat e llavës së Etnës kanë tërhequr një numër të madh turistësh dhe kureshtarësh. Vullkani edhe në rrethana normale është një nga atraksionet kryesore turistike të rajonit, por aktiviteti i fundit ka rritur edhe më shumë interesimin.

Sipas raportimeve të mediave, guidat malore po përballen me një numër shumë të madh kërkesash dhe mezi po arrijnë t’i përballojnë ato.

Autoritetet kanë paralajmëruar vizitorët që të mos afrohen shumë pranë rrjedhave të llavës dhe zonës së majës së vullkanit.

Turisti që humbi jetën dyshohet se kishte hyrë në një zonë të mbyllur për publikun, ku aktualisht nuk lejohen as turet e organizuara.

Publicitet

Sipas raportimeve, ai ishte gjetur të dielën në mbrëmje në gjendje të rëndë. Deri tani nuk janë publikuar të dhëna të tjera për identitetin e tij./nyt